Sondazhi: Besimi ndaj Bashkimit Europian arrin nivelin më të lartë që nga viti 2007

Besimi i qytetarëve evropianë ndaj Bashkimit Evropian ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2007, sipas sondazhit më të fundit të Eurobarometrit të publikuar nga Komisioni Evropian. Të dhënat tregojnë se 52% e qytetarëve të BE-së shprehin besim në institucionet evropiane, një rritje e ndjeshme që pasqyron një klimë pozitive në raport me funksionimin dhe rolin e BE-së në kontekstin global.

Sipas raportit, besimi më i madh ndaj BE-së vjen nga të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç, ku 59% e tyre kanë shprehur mbështetje të qartë për Unionin. Sondazhi është realizuar mes datave 26 mars dhe 22 prill në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, përmes 26,368 intervistave ballë për ballë.

Në raport theksohet gjithashtu një rekord historik në mbështetjen për euron. Aktualisht, 74% e qytetarëve të BE-së mbështesin një union ekonomik dhe monetar me një valutë të përbashkët, ndërsa në vendet e eurozonës kjo mbështetje arrin në 83%. Megjithatë, perceptimi për situatën ekonomike mbetet i ndarë, pasi 44% e qytetarëve e vlerësojnë ekonominë evropiane si të mirë, ndërsa 48% e shohin negativisht. Mbi 43% e të anketuarve besojnë se kushtet ekonomike do të mbeten të qëndrueshme gjatë vitit të ardhshëm.

Një tjetër gjetje e rëndësishme nga sondazhi është mbështetja e madhe për thellimin e integrimit evropian në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. 81% e të anketuarve janë në favor të një politike të përbashkët të mbrojtjes mes vendeve anëtare, një përqindje që përfaqëson nivelin më të lartë që nga viti 2004.

Ky valë pozitive në besim ndaj BE-së vjen në një moment tensionesh të shtuar ndërkombëtare, veçanërisht në marrëdhëniet transatlantike. Vetëm pak ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump shtyu për në 9 korrik vendimin për vendosjen e tarifave të rënda mbi importet evropiane, duke i dhënë hapësirë negociatave ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit. Edhe pse emri i Trump nuk është përmendur drejtpërdrejt në pyetjet e sondazhit, ndikimi i zhvillimeve politike globale mbi perceptimet e evropianëve është i dukshëm.

Në planin gjeopolitik, pushtimi i Ukrainës nga Rusia vazhdon të mbetet tema kryesore në vetëdijen kolektive evropiane. Sipas sondazhit, 77% e qytetarëve e konsiderojnë këtë pushtim si një kërcënim për sigurinë e BE-së, ndërsa 72% e mbështesin politikat e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Në këtë kuadër, BE-ja ka miratuar së fundmi krijimin e një fondi prej 150 miliardë eurosh për mbrojtjen, duke u përgatitur për skenarë të mundshëm të përkeqësimit të situatës në Evropën Lindore dhe përballë pasigurive në angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e kontinentit.

Komisioni Evropian thekson se këto rezultate reflektojnë një mbështetje të gjerë për projektin evropian dhe një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare në kohë sfidash të shumta ndërkombëtare.