Shumica e gjermanëve duan që qeveria e tyre të ushtrojë më shumë presion ndaj Izraelit për veprimet e tij në Rripin e Gazës, sipas një sondazhi të ri të publikuar të enjten mbrëma.
Sondazhi “DeutschlandTrend”, i porositur nga transmetuesi publik ARD, zbuloi se 66 për qind e pjesëmarrësve janë pajtuar me deklaratën se “qeveria gjermane duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj qeverisë izraelite për ta ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Rripit të Gazës”.
Vetëm 24 për qind e të anketuarve kanë qenë kundër këtij qëndrimi.
Sondazhi gjithashtu tregoi se 62 për qind e gjermanëve e hedhin poshtë idenë se “Gjermania ka një përgjegjësi më të madhe se vendet e tjera për mbrojtjen e Izraelit për shkak të së kaluarës historike”, me vetëm 31 për qind që e mbështesin këtë qëndrim tradicional.
Sondazhi përfaqësues është kryer nga instituti i anketave “Intrafest dimap” mes datave 4 dhe 6 gusht, ku janë anketuar 1.321 gjermanë.
Presioni në rritje i opinionit publik ndaj qeverisë gjermane – i nxitur nga raportimet për fëmijë që po vdesin nga uria në Gaza – e shtyu kancelarin Merz që sot të njoftojë pezullimin e pjesshëm të eksporteve të armëve drejt Izraelit.
Lideri konservator deklaroi se qeveria nuk do të autorizojë më eksporte të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës, si përgjigje ndaj vendimit të fundit të qeverisë izraelite për të zgjeruar ofensivën ushtarake dhe për të okupuar Qytetin e Gazës.
Për muaj me radhë, Merz i kishte refuzuar thirrjet e deputetëve opozitarë për ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit dhe kishte hedhur poshtë apelat e anëtarëve të BE-së për të pezulluar marrëveshjen tregtare me Tel Avivin, edhe pse fushata ushtarake dhe bllokada izraelite në Gaza kanë shkaktuar mbi 61.000 viktima, shumica gra dhe fëmijë.
The post Sondazh: Shumica e gjermanëve duan që qeveria të ushtrojë më shumë presion mbi Iz*raelin për Ga*zën appeared first on Kosovapost.net.