Sollën drogë nga Irani në Kosovë, 46 vjet burgim ndaj të akuzuarve

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykimin dënues në çështjen penale kundër të akuzuarve S.Sh., A.D., B.H., S.Z., F.D., M.Y., A.D., H.I., S.Y., S.D. dhe M.Sh. për shkak të veprës penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

Dënimi ndaj të akuzuarve, sipas njoftimit të gjykatës, erdhi pas marrëveshjes së tyre me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për pranimin e fajësisë.

Të akuzuarit S.Sh. dhe A.D., secilit veç e veç i është caktuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje nga pesë vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë secilin veç e veç në shumë prej pesëmijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Gjykata, të akuzuarin Z.S., e ka dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari tjetër S.Y. është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Po ashtu, të akuzuarit F.D., M.Y, A.D dhe H.I., secilin veç e veç Gjykata i ka dënuar me burg në kohëzgjatje prej nga katër vjet dhe dënim me gjobë secilin veç e veç në shumë prej nga tremijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Njoftimi bën me dije se të akuzuarin tjetër B.H., gjykata e ka dënuar me burg në kohëzgjatje prej tre vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej tremijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Në këtë proces janë dënuar edhe të akuzuarit S.D. dhe M.Sh., secili veç e veç dënim me burg në kohëzgjatje prej nga tri vjet dhe dënim me gjobë secilin veç e veç në shumë prej nga dymijë euro, i cili dënim do të paguhet brenda një muaji nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Ndërkaq, të akuzuarve S.Sh. dhe A.D., në dënimin e shqiptuar u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arresti shtëpiak nga data e caktimit 15.02.2022 deri me 14.10.2025, me aktvendim të veçantë i ndërpritet masa.

“Të akuzuarve: S.Z., F.D., A.D., M.Y., A.D., H.I. dhe S.Y., u llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 15.05.2022, ndërsa u vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar”.

Gjykata thotë se të akuzuarit e sipërpërmendur janë fajtorë sepse në muajin prill deri në muajin maj të vitit 2022 kishin organizuar transportin e lëndës së parë për prodhimin e lëndës narkotike-heroinës nga Irani në Turqi dhe Greqi, pastaj në Maqedoni të Veriut deri në destinacion në një depo në rrugën “A.B.” në Ferizaj.

“Nga muaji prill 2022 deri në 23 maj 2022, fillimisht të pandehurit S.Sh., A.D., S.Z., dhe S.Y., e organizojnë transportin e lëndës së parë për prodhimin e heroinës (ham) nga Irani në Tukri dhe Greqi, pastaj në Maqedoni Veriore deri në destinacion në një depo në rrugën ‘A.B.’ në Ferizaj, ku lëndën e parë i vendosin në thasë të çajit të zi, pastaj e ndërtojnë laboratorin në shtëpinë e B., në fshatin F., Komuna Shtërrpcë, ku i sigurojnë të pandehurit H.I., F.D., M.Y., dhe A.D. që të vijnë nga Turqia në Kosovë për të prodhuar heroinën në laborator që kishin ndërtuar”.

“Në këtë mënyrë që me datë 18 maj 2022 kanë filluar procesin e prodhimit të heroinës, ndërsa me datë 20 maj 2022 e kanë ndërprerë prodhimin pasi kanë kuptuar se policia është duke i hetuar dhe për këtë arsyeje e bartin pjesën e heroinës të cilën e kishin prodhuar dhe pjesën e heroinës të papërpunuar në shtëpinë e M.Sh., në fshatin V., Komuna Ferizaj, në mënyrë që ta presin ardhjen e Z.S. dhe S.Y. në Kosovë, derisa me datë 21 maj 2022, këta dy të fundit takohen me S.Sh., A.D. dhe A.D. lidhur me organizimin për prodhimin e pjesës së papërpunuar të heroinës”.

“Pas këtij takimi, F.D., M.Y. dhe A.D., dërgohen në shtëpinë e M. ku kanë rifilluar prodhimin e lëndës narkotike të heroinës së papërpunuar deri sa me datë 23 maj 2022 policia regjionale e antidrogës në shtëpinë e M., gjejnë sasinë e heroinës në peshë prej 67.5 kg. të përpunuar dhe paketuar dhe 25.5 të papërpunuar, ndërsa me datë 30.08.2022 në një shtëpi të pabanuar në fshatin D., Komuna Ferizaj gjejnë edhe 25.5 kilogramë morfinë dhe kodein”.

Me këtë, Gjykata thotë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

I akuzuar S.D., Gjykata ka konstatuar se është fajtor për shkak se “me dashje dhe dijeni të aktivitetit kriminal që kryhej nga 27 prill 2022 deri në 23 maj 2022, ka ofruar ndihmë logjistike në procesin e prodhimit të heroinës, duke u përkujdesur që të gjejë depon ku fillimisht janë vendosur thasët me çaj në të cilët kanë qenë të vendosur lënda e parë bazë e heroinës, ka kontraktuar persona për zbrazjen e thasëve të çajit në të cilat ishte i vendosur lënda bazë e heroinës”.

“Po ashtu së bashku me të pandehurin A.D., në aeroportin e Sh. e kanë marrë të pandehurin A.D., ka marrë me qira automjetin të cilin është shfrytëzuar nga i pandehuri A.D., gjithashtu ka kontaktuar edhe A.B., me të cilin së bashku me A.D. dhe personin S.D., kanë shkuar në Pejë dhe kanë marrë bidonat të mbushur me prekusorë për prodhimin e narkotikëve, me çka ka kryer veprën penale ‘ndihmë në kryerjen e veprës penale prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’”.

Ndërkaq, i akuzuar M.Sh. është shpallur fajtor sepse që nga data 20 maj 2022 deri më datë 23 maj 2022, në rrugën “S.” në fshatin V., Komuna Ferizaj, “me dashje dhe dijeni të plotë të aktivitetit i cili do të kryhej, lëshon me qira katin e dytë të shtëpisë së tij të pandehurit S.Sh., që shfrytëzohet për laborator për prodhimin e heroinës, në të cilën shtëpi bëhet përpunimi final i narkotikëve në të cilin përpunim marrin pjesë të pandehurit A.D., M.,. dhe F.D., ku gjendet dhe sekuestrohet sasia e narkotikëve prej 67.5 kg. Heroinë, me çka ka kryer veprën penale ‘ndihmë në kryerjen e veprës penale prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’”, u tha në vendimin e Gjykatës.