“S’mund ta mbajmë pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme” | Ky ishte paralajmërimi i errët i Albin Kurtit që po ndodh para syve tanë

“Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme për një kohë”.

Këto janë fjalët e vetë Albin Kurtit, të shkruara me dorën e tij, në faqen 45 të një dokumenti që ai ia shpërndau një grupi të ngushtë aktivistësh të Vetëvendosjes.

Është një fjali e vetme, por me peshë tronditëse, e hedhur në një dokument të brendshëm të vitit 2017, sot tingëllon si paralajmërim i errët për atë që po ndodh para syve tanë nga marsi i vitit 2025.

Sot, ky dokument nuk është më një kujtesë e së shkuarës, është manuali i pushtetit absolut që po zbatohet hap pas hapi në Republikën e Kosovës.

Qeveria “Kurti 2” ka kaluar kufijtë e çdo norme demokratike. Ministrat e saj shfaqen në Kuvend si deputetë, votojnë si pjesë e legjislativit, për të kaluar në ndërtesën tjetër, vetëm pak metra më tej, dhe për t’u ulur në karriget e qeverisë si pjesë e ekzekutivit.

Një “funksionim” i tillë, krejtësisht antikushtetues, s’është parë dhe as dëgjuar në asnjë shtet demokratik. Por, kjo gjendje s’është aspak problem për Kurtin dhe Vetëvendosjen.

Ky është thelbi i “gjendjes së jashtëzakonshme” që Kurti e kishte planifikuar shumë më herët, jo për sigurinë kombëtare, por për sigurinë e pushtetit të vet.

Një pushtet që ushqehet me krizë, që mbijeton nga përçarja dhe që kërkon tension për të justifikuar ekzistencën e vet.

Që nga viti 2020, kur Albin Kurti u ul për herë të parë në karrigen e kryeministrit, Kosova nuk ka njohur qetësi institucionale.

Konfliktet me sindikatat, përplasjet me mësimdhënësit e mjekët, ligjet që bien ndesh me Kushtetutën, sulmet ndaj institucioneve të pavarura, të gjitha këto nuk janë aksidente politike, por janë të paramenduara dhe të planifikuara prej vitesh nga Kurti dhe partia e tij.

Pjesë e një projekti më të madh që e kishte një titull të thjeshtë, por shkatërrimtar: “gjendje e jashtëzakonshme”.

Nga 27 marsi deri më 31 tetor 2025, Republika e Kosovës ka kaluar 208 ditë nën hijen e “gjendjes së jashtëzakonshme”.

Një periudhë e gjatë, e zgjatur pa transparencë, pa kufi, pa qëllim të qartë – përveç njërit: të mbahet pushteti me çdo kusht.

Sot, ai dhe disa ministra të tij janë certifikuar si deputetë, por kjo s’ka qenë as pengesë, as dilemë.

Në mëngjes shaqen si deputetë në Kuvend, në mesditë votojnë si ministra në Qeveri, dhe prapë kthehen si deputetë për të votuar vetën si pjesë të Qeverisë së re.

Ky është një absurdet institucional që po zbërthen themelet e Republikës së Kosovës.