Sllovenia ndalon importet nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze, dërgon ndihma për Gazën

Qeveria sllovene ka njoftuar të mërkurën ndalimin e importeve të mallrave që prodhohen në vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara, si dhe miratimin e një pakete të re ndihmash për popullin palestinez në Rripin e Gazës.

“Qeveria sot ndaloi importin e mallrave që vijnë nga vendbanimet në territoret e pushtuara, përfshirë edhe ndalimin e përpjekjeve për të anashkaluar këtë ndalim,” thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar në faqen e internetit të qeverisë, raporton Reuters.

Tutje, bëhet e ditur se nuk është sqaruar nëse ndalimi zbatohet për të gjitha mallrat e prodhuara në territoret e pushtuara apo vetëm për ato izraelite.

Po ashtu, qeveria ka urdhëruar ministritë përkatëse që të shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të eksporteve nga Sllovenia drejt vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara.

Kryeministri Robert Golob ka deklaruar se: “Veprimet e qeverisë izraelite, përfshirë ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme, shpronësimet, zhvendosjen e detyruar të popullsisë palestineze, shkatërrimin e shtëpive të tyre… përbëjnë shkelje të rënda dhe të përsëritura të ligjit humanitar ndërkombëtar.”

Sipas tij, këto veprime “rrezikojnë jo vetëm jetët dhe dinjitetin e popullsisë palestineze, por edhe themelet e rendit ndërkombëtar.”

Kujtojmë se pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar e konsideron të paligjshme ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara. Ndërkohë, qeveria izraelite i konsideron ato të ligjshme sipas ligjeve të saj, ndonëse disa vendbanime të quajtura “outpost” janë të paligjshme edhe sipas ligjeve izraelite, por shpeshherë tolerohen dhe më vonë legalizohen.

Qeveria sllovene ka njoftuar gjithashtu se do të ofrojë ndihmë materiale në vlerë prej 879,490 euro, për palestinezët e prekur nga lufta në Gaza mes Izraelit dhe grupit militant Hamas.

The post Sllovenia ndalon importet nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze, dërgon ndihma për Gazën appeared first on Kosovapost.net.