Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur sot se 39 persona janë arrestuar në aksionin për keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Ai në një konferencë për medie tha se dëmi vlerësohet të jetë 1 milion e 43 mijë euro, derisa shtoi se cak i hetimeve ishin edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, të cilët po ashtu janë në mesin e të arrestuarve, shkruan Demokracia.com.
Aksioni i sotëm i Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, i cili rezultoi me 39 të arrestuar dhe me dyshime për një dëm mbi një milion euro në Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), ka rikthyer në vëmendje një histori që institucionet e drejtësisë e kishin mbyllur më herët si “pa elemente të veprës penale”. Një histori që vitin e kalaur ishte arkivuar, po del se kishte mbetur e pazgjidhur në substancë.
Bazuar ne një dokumente që posedon Demokracia.com, në vitin 2022, Policia e Kosovës kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale një informatë anonime që ngrinte dyshime serioze për keqpërdorime financiare në BKS, përfshirë raste konkrete kompensimesh të dyshimta, tentativë përmbarimi mbi bazë të një aktgjykimi refuzues, përdorim të fondeve publike, miratim të një statuti të kontestuar dhe vendime për shpërblime të larta financiare. Hetimi kishte zgjatur mbi dy vjet, me kërkesa të përsëritura të prokurores drejtuar policisë dhe me raporte shtesë hetimore, derisa në fund rasti ishte mbyllur me arsyetimin se nuk plotësoheshin elementet e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në thelb, prokuroria kishte vlerësuar se veprimet e trajtuara, edhe nëse mund të përbënin shkelje administrative apo menaxheriale, nuk arrinin pragun penal, duke theksuar mungesën e provave për përfitim personal apo qëllim kriminal nga ana e personave të përfshirë. Madje, në disa raste, ishte theksuar se veprimet e ndërmarra nga menaxhmenti i BKS-së ishin bërë në emër të “interesit financiar të institucionit”, sidomos në rastin e marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të cilat ishin arsyetuar si mënyrë për të shmangur dëme edhe më të mëdha financiare.
Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi sot se hetimet e reja kanë zbuluar 166 transaksione të dyshimta, përfshirë pagesa pa dokumentacion, ujdi fiktive dhe bartje të shumave të konsiderueshme financiare, me vlera që shkojnë nga disa mijëra deri në dhjetëra mijëra euro për transaksion. Për pasojë, janë arrestuar 39 persona, janë sekuestruar para të gatshme, pasuri luksoze dhe janë bllokuar mbi 1.3 milion euro mjete financiare.
Më poshtë mund ta lexoni në tersi Raportin për mbylljen e rastit për BSK-në nga ana e hetuesisë qe posedon Demokracia.com e që mban datën më 19.12.2024, ku në fund të raportit është nënshkruar prokurorja, Ilirjana ÇOLLAKU TAFA:
REPUBLIKA E KOSOVËS
REPUBLIKA KOSOVA – REPUBLIC OF KOSOVO
Prokurori i Shtetit / Državni Tužilac / State Prosecutor
Prokuroria Speciale / Specijalno Tužilaštvo / Special Prosecution
Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar / Departman za istragu Korupcije i Finansijskog Kriminala / Department for the investigation of Corruption and Financial Crime
PPN.nr.109/2022
Në bazë të nenit 48 dhe 84 paragrafi 2 nen paragrafi 2.1 të Kodit Nr.08/L-032 të Procedurës Penale të Kosovës dhe nenit 11 par. 4 të Rregullores nr.03/2021 për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL) në Sistemin Prokurorial, nxjerrë:
R A P O R T PËR M B Y LL J E T Ë R A S T I T
Mbyllet rasti i regjistruar në regjistrin e lëndëve “PPN” nën numrin e lartpërmendur, i iniciuar në bazë të Njoftimit lidhur me informatën me numër I-2022-36 nga personi anonim, të parashtruar nga Policia e Kosovës – DPP Prishtinë, Departamenti i Hetimeve, Njësia e veçantë e hetimeve, me nr. reference 06/3-188/2022, të datës 13.07.2022, të pranuar në Prokurorinë Speciale të Republikës të Kosovës (PSRK) me datë 13.07.2022, me dyshimet se zyrtarë të lartë të Byrosë Kosovare të Sigurimit (tutje: BKS), përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të BKS, ish – Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (tutje: ShSK) dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (tutje: BQK), janë të përfshirë në kryerjen e veprës penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sanksionuar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (nr. 06/L-074) (tutje: KPRK), apo të ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet zyrtarisht.
A r s y e t i m
- Pretendimet e kallëzuesit dhe historiku i procedurës
- Më datë 13.07.2022, PSRK ka pranuar Njoftimin lidhur me informatën me numër I-2022-36 nga personi anonim, nga Policia e Kosovës – DPP Prishtinë, Departamenti i Hetimeve, Njësia e veçantë e hetimeve, me nr. reference 06/3-188/2022, të datës 13.07.2022.
Sipas këtij njoftimi, policia ka njoftuar se në informatë ishin cekur disa pretendime për kryerje të veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare, nga BKS.
Informata kishte të bënte më atë se në vitin 2020, Ministria e Financave të Republikës së Kosovës, i kishin lëshuar para BKS-së, në emër të marrëveshjes për polica kufitare, mirëpo BKS me këto para, po i paguante dëmet tek Fondi i Kompensimit, fond ky në të cilin e kanë obligim për të participuar kompanitë e sigurimeve. Sipas informatës, këto pagesa janë të kundërligjshme dhe se kompanitë e sigurimeve, prej këtyre pagesave, nuk i japin obligimet e tyre për BKS. Tutje, informata sqaron se vetëm në vitin 2020, janë lidhur 6000 marrëveshje për kompensime të dëmeve me para të qeverisë, të cilat kanë qenë të destinuara për pagesën e policave kufitare, e që këto para për marrëveshje për kompensim dëmi, janë të obliguara që t’i paguajnë kompanitë e sigurimeve.
Po ashtu, informata jep sqarime edhe lidhur me një rast konkret të vetëaksidentit, ku ishin të përfshirë palët: M.L. dhe N.M., në cilësinë e paditësve, ndërsa e paditur ka qenë BKS. Padia ishte paraqitur për kompensim dëmi material dhe jo material në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Istog. Me vendim gjyqësor, padia ishte aprovuar, ndërsa ish-përfaqësuesi në gjykata i BKS– V.H. (tani avokat), kishte paraqitur ankesë pas afatit ligjor. Në procedurë pranë shkallës së dytë, gjykata kishte vendosur që të kompensojë paditësit M.L. dhe N.M., për të gjitha format e dëmit material dhe jo material, përjashtimisht rentën-fitimin e humbur dhe shpenzimet e procedurës, për të cilat Gjykata e kthen rastin në rigjykim. Në këtë procedurë, kontestuese ndërmjet palëve ka qenë fakti se BKS kishte kërkuar që paditësi M.L., i cili jeton në Belgjikë, të sjellë vërtetimin që nuk punon, që nuk realizon të ardhura nga marrëdhënia e punës ose nga ndonjëra nga skemat e sigurimit shëndetësor apo të jetës në Belgjikë, mbi bazën e këtij aksidenti. Me ardhjen në krye të drejtorit S.M. në BKS, kjo lëndë ishte mbyllur, ashtu që M.L. dhe N.M. i janë dhënë kompensim në vlerë totale 296,839.00 Euro, bashkë me rentë dhe shpenzime, pa vendim gjyqësor dhe pa dokumentacion që është kërkuar nga ekspertët gjyqësorë për ta llogaritur ekspertizën. Marrëveshja ishte nënshkruar nga përfaqësuesi i BKS – F.S.. Paditësi M.L. punon në Belgjikë dhe realizon të ardhura, andaj sipas informatës, thuhet se është e çuditshme se si është kompensuar pala dhe se a ka këtu skemë mashtrimi-përfitimi dhe dëmtimi të kompanive të sigurimeve për përfitime të një grupi të personave.
Tutje, informata jep të dhëna lidhur me padinë që ka bërë BKS kundër J.M., nga fshati Loxhë – Komuna e Pejës. Gjykata Themelore në Pejë, më datë 25.09.2019, kishte marrë Aktgjykim me nr. C.nr.885/16, me të cilin e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses BKS, në Prishtinë, me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet i padituri J.M. që të paguajë shumën prej 10,632.00 Euro në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut të datës 03.09.2010 në Pejë. Për këtë Aktgjykim refuzues, Gjykata Themelore në Pejë, më datë 22.10.2019, kishte marrë vendim të formës së prerë, pra vendimi gjyqësor është i plotfuqishëm. Edhe pse ky vendim kishte marrë formë të prerë, më datë
25.05.2021, përmes përmbaruesit privat “Zyra e Përmbaruesit Vais Law”, e përfaqësuar nga Mr.Sc. V.B. dhe Mr.sc. I.G., që të dy përmbarues privat, me adresë në magjistralen PrishtinëShkup, km 10, nr. 1400, Lipjan (kompleksi Buqaj), BKS, si kreditore, e përfaqësuar nga S.M.
– Drejtor Ekzekutiv, kundër debitorit J.M., kishte bërë propozim për përmbarim, për pagesën prej 10,632.00 Euro, duke e marrë si provë Aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Peje, me nr. C.nr.885/16, edhe pse më këtë aktgjykim ishte refuzuar në tërësi kërkesëpadia e BKS. Sipas informatës, dyshohet se personi J.M., nuk ka shkaktuar asnjëherë aksident trafiku (e verifikuar sipas Sistemit Informativ të Policisë –SIPK).
Po ashtu, në informatë është bashkëngjitur Vendimi me nr. 33/19, i datës 23.04.2019, nga F.H. – Kryetar i Kuvendit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, me të cilin vendim, në pikën II, thuhet se, për shkak të përfundimit me sukses të procesit të anulimit të dispozitës së nenit 14.1.7 të ligjit për Kryqin e Kuq të Kosovës, të punësuarve S.M., Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, si dhe V.H., Shef i Sektorit Ligjor të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, u janë ndarë shuma prej 25,000.00 Euro neto secilit, në emër të shpërblimit për punën e kryer, të paraqitur si në këtë vendim.
Sipas informatës, këto keqpërdorime të zyrtarëve të BKS, janë të përkrahura nga BQK dhe Asambleja e Përgjithshme e anëtarëve të Byrosë. Kjo asamble përbëhet prej pronarëve të kompanive të sigurimit (11) dhe e njëjta, më datë 18.06.2020, kishte miratuar Statutin për BKS, me nr. 483/1/20 dhe përmes këtij statuti, kishte nxjerrë nene në kundërshtim me ligjet e aplikueshme që përcaktojnë procedura dhe kategori të ndryshme. Në statut, përmes nenit 24 (emërimi i Drejtorit Ekzekutiv), nenit 26 (zgjedhja e Drejtorit Ekzekutiv) dhe nenit 34 (Qasja në informacione nga pala e dëmtuar), përcakton mënyrën e zgjedhjes e që për këtë pozitë, sipas ligjeve, duhet të shpallet konkurs publik, respektivisht të zgjidhet oferta më e mirë për kompaninë e cila bën ruajtjen e të dhënave të klientëve të regjistruar në kompanitë e sigurimeve. Po ashtu, në nenin 35 (hyrja në fuqi) të këtij Statuti, thuhet se (citim): “Ky Statut hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, pas pëlqimit paraprak nga Autoriteti Mbikqyrës-BQK”. Bordi i BQK-së nuk ka aprovim të Statutit dhe ky statut aplikohet nga BKS, edhe pse është në dijeni BQK-ja.
Në informatë janë bashkëngjitur një sërë dokumentesh, si:
Shkrimi i datës 16.02.2022, në gazetën “Metro”, për dëmshpërblimin e M.L., në vlerë prej 300,000.00 Euro, me titull “Gjykata refuzon, Byroja paguan kundërligjshëm rreth
300 mijë euro”
- Aktgjykimi i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore në Pejë, C.nr.885/16, i datës
25.09.2019
- Propozimi për përmbarim nga BKS, përmes përmbaruesit privat, i datës 25.05.2021
- Vendimi me nr. 33/19, i datës 23.04.2019, i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, për shpërblim me nga 25,000.00 Euro për secilin (për S.M. dhe V.H.) Statuti i BKS-së me nr. 483/1/20, i datës 18.06.2020
Më datë 15.08.2022, Prokurorja e çështjes në PSRK ka paraqitur Kërkesë për sigurimin e informatave të nevojshme, drejtuar policisë, ku ka kërkuar që të ndërmerren disa veprime hetimore, me qëllim që të verifikohen pretendimet e përmendura në informatën e lartcekur. Më datë 24.10.2022, hetuesi i rastit në polici, ka sjellë disa dokumente të siguruara nga BKS.
Më datë 03.07.2023, policia ka dorëzuar raportin informues lidhur me kërkesën e PSRK, të datës 15.08.2022.
Më datë 11.12.2023, Prokurorja e çështjes në PSRK ka paraqitur Kërkesë për sigurimin e informatave të nevojshme, drejtuar policisë. Më datë 23.05.2024, policia ka dorëzuar raportin informues lidhur me kërkesën e PSRK.
Më datë 27.08.2024, Prokurorja e çështjes në PSRK ka paraqitur Kërkesë për sigurimin e informatave të nevojshme, drejtuar policisë. Më datë 24.09.2024, policia ka dorëzuar raportin informues lidhur me kërkesën e PSRK.
Më datë 15.10.2024, Prokurorja e çështjes në PSRK ka paraqitur Kërkesë për sigurimin e informatave të nevojshme, drejtuar policisë. Më datë 31.10.2024 dhe 29.11.2024, policia ka dorëzuar raportet informues lidhur me kërkesën e PSRK.
- Faktet e çështjes
- Në këtë rast, sipas informatës së pranuar, kemi të bëjmë me disa pretendime për keqpërdorime, për pesë (5) situata si më poshtë:
- Rasti i paditësve M.L. dhe N.M.
- Rasti ndaj të paditurit J.M.
- Keqpërdorimet e BKS nga Fondi i Kompensimit
- Miratimi i Statutit të ri të BKS
- Vendimi i ShSK-së për shpërblimin e S.M. dhe V.H.
- Lidhur me pikën e fundit – “Vendimi i ShSK-së për shpërblimin e S.M. dhe V.H.”, më datë 16.12.2024, Prokurori i çështjes në PSRK, përmes Kryeprokurorit të PSRK, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në procedurë paraprake, ka paraqitur Informatë për mungesë të kompetencës lëndore të Prokurorisë Speciale vetëm sa i përket çështjes së marrjes së Vendimit me nr. 33/19, i datës 23.04.2019, të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës. Kjo për shkak se subjektet e përfshira në pretendimet për kundërligjshmërinë e vendimit të lartcekur, nuk bëjnë pjesë në kategoritë e përfshira në nenin 3, paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të të Ligjit nr. 08/L-168 për Prokurorinë Speciale. Përveç tjerash, ish-Shoqata e Sigurimeve të Kosovës (si pararendëse e Byrosë Kosovare të Sigurimit), ka gëzuar statusin e Organizatës JoQeveritare, që do të thotë se të punësuarit dhe strukturat organizative brenda kësaj OJQ, nuk i plotësojnë kriteret për t’u kategorizuar në cilësinë e personave zyrtarë. Tutje, bazuar në provat e siguruara gjatë procedurës paraprake të hetimeve, Prokurorja e çështjes në PSRK, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjektet e përfshira dhe veprimet e tyre, konsumojnë figurën e veprës penale “Keqpërdorimi i besimit”, të sanksionuar nga neni 330, par. 2 i Kodi Penal të Republikës së Kosovës (06/L-074). Kjo vepër penale nuk bie në kompetencë të veçantë lëndore e as në kompetencë plotësuese të PSRK-së. Rrjedhimisht, kjo çështje penale është deleguar në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për trajtim.
- Lidhur me pikat e tjera të cekura në paragrafin 6, më poshtë do të elaborohen faktet e çështjes, për secilën nga to.
- Rasti i paditësve M.L. dhe N.M.
- Sipas përshkrimit të rrjedhës së aksidentit, rezulton se me datë 05.08.2011, në orën 02:30, në fshatin Dollc — Komuna e Klinës, kishte ndodhur një aksident trafiku (vetëaksident), të cilin e kishte shkaktuar automjeti i markës “VW Sharan”, me targa GFN 231, të cilin e drejtonte I.M., ndërsa në cilësinë e pasagjerëve kanë qenë M.L. dhe N.M., të përshkruar më gjerësisht sipas raportit policor me numër DR-3004-11, përfshirë procesverbalin mbi vend shikimin e aksidentit, skicën e vendit të ngjarjes dhe fotografitë e automjetit të dëmtuar. Si pasojë e këtij aksidenti kishin pësuar lëndime trupore pasagjerët M.L. dhe I.M..
- Të dëmtuarit në këtë aksident trafiku, me datë 05.10.2011, përmes të autorizuarit të tyre avokat B.M., kishin parashtruar padi pranë Gjykatës Themelore në Pejë — Dega në Istog, të përshkruar më gjerësisht në referatin e padisë, përkatësisht parashtresës për zgjerimin e padisë në kuptim subjektiv, të datës 18.05.2012.
- Në seancën e parë të shqyrtimit përgatitor të mbajtur pranë Gjykatës Themelorë në Pejë — Dega në Istog, të evidentuar me numër të lëndës C.nr. 212/11, të datës 18.10.2012, nga i autorizuari i paditësve avokat B.M., ishte propozuar nxjerrja e ekspertizës nga lëmia e Neurokirurgjisë, Ortopedisë, Psikiatrisë, Maksiofaciale, Mjekësisë së Punës dhe nga lëmia e Komunikacionit Rrugor.
Nga ekspertiza e komunikacionit të datës 29.10.2012, hartuar nga eksperti i komunikacionit N.N., rezulton se deri te aksidenti i komunikacionit ka ardhur si pasojë e lëshimeve të drejtuesit të automjetit “VW Sharan”, të cilin e ngiste I.M., në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, gjatë hyrjes në zonën e kufizimit të shpejtësisë të kufizimit prej 50km/h, gjatë kryqëzimit me magjistralen Pejë — Prishtinë, duke mos mundur të ndalet dhe të mos kthehet majtas në drejtimin e dëshiruar të lëvizjes, humbë kontrollin momental duke kaluar tërthorazi rrugën — devijuar (fluturuar 45.90m), deri sa ka rënë në një livadh.
Nga ekspertiza mjekësore rezulton se paditësi M.L. dhe N.M., si pasojë e këtij aksidenti, kishin pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme.
- Pas marrjes së mendimit të ekspertëve të lartcekur, nga i autorizuari i paditësve është propozuar nxjerrja e provës me ekspertizë aktuaristike, me ç’rast sipas mendimit të dhënë nga eksperti U.S., sipas ekspertizës së datës 06.03.2013, është konstatuar se paditësi M.L., si pasojë e aksidentit ka pësuar fitim të humbur në lartësi prej 838,827.00 euro, ndërsa paditësi N.M. në lartësi prej 20,018.23 euro, të përshkruar më gjërësisht në ekspertizën referuese.
Si rrjedhojë e kundërshtimeve nga Byroja Kosovare e Sigurimit, është nxjerrur prova me ekspertizë të ekspertit A.B., me ç’rast përkitazi me të dëmtuarin M.L. nuk ka dhënë mendim ne mungesë të dokumentacionit, ndërsa përkitazi me të dëmtuarin N.M. ka konstatuar se ka pësuar fitim të humbur, si rrjedhojë e aksidentit në lartësi prej 13,673.93 euro, të përshkruar më gjërësisht në mendimin e datës 01.08.2013.
- Duke qenë se pranë gjykatës ishin paraqitur dy mendime të ndryshme të ekspertizave aktuaristike, nga i autorizuari i paditësve avokat B.M., ishte propozuar nxjerrja e provës me grup të ekspertëve në përbërje prej R.B., B.U. dhe M.K., me ç’rast sipas mendimit të datës 31.10.2013, është konstatuar se i dëmtuari M.L., si pasojë e aksidentit kishte pësuar fitim të humbur në lartësi prej 604,438.10 euro, ndërsa paditësi N.M. si pasojë e aksidentit kishte pësuar fitim të humbur në lartësi prej 34,449.56 euro (duke përfshirë edhe kamatën e arritur), të përshkruar më gjërësisht në ekspertizën e datës 31.10.2013.
- Pas marrjes së mendimit të grupit të ekspertëve gjyqësor, Gjykata Themelore në Pejë — Dega në Istog, sipas numrit të lëndës C.nr.212/11, konform dispozitave të Ligjit Nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, me datë 30.01.2014, kishte marrë aktgjykim detyrues për Byronë Kosovare të Sigurimit, të përshkruar më gjerësisht si në aktgjykimin referues si në vijim:
| Paditësit | Vlera e Gjykuar | Renta në të ardhmen mujore
apo e kapitalizuar |
Kamata |
Shpenzimet e procedurës |
| M.L. | 138,589.67 euro | 2,874.54 euro | 8% nga data
30.01.2013 |
|
| N.M. | 57,385.00 euro | 149.60.00 | 8% nga data
30.01.2013 |
4,663.00 |
| Total: | 195,974.67 euro | 554,783.07 euro | Gjithsej: 755,420.74 | |
euro
- Kundër këtij aktgjykimi, Byroja Kosovare e Sigurimit, brenda afatit kishte parashtruar ankesë, më datë 17.03.2013. Sipas aktvendimit të datës 01.04.2014, Gjykata Themelore në Pejë — Dega në Istog, me numër të lëndës C.nr. 212/11, kishte hudhur poshtë ankesën e Byrosë Kosovare të Sigurimit, nën arsyetimin se kinse ankesa është parashtruar pas afatit të paraparë ligjor.
Me datë 08.04.2014, BKS kishte parashtruar propozim për kthim në gjendje të mëparshme pranë Gjykatës Themelore në Pejë — Dega në Istog. Njëkohësisht, me datë 15.04.2014, ishte ushtruar edhe ankesë ndaj këtij aktvendimi, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës për shqyrtimin e ankesës si të afatshme.
- Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata e Apelit e Kosovës sipas numrit të lëndës Ac.nr.1352/14, e njëjta e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar ankesën e BKS, sa i përket afatshmërisë së ankesës, ndërsa përkitazi me dëmin material dhe jomaterial, i kishte ndryshuar shumat, kurse përkitazi me dëmin material (fitimin e humbur), çështja ishte kthyer në rigjykim për të dhënë sqarime shtesë sa i përket kësaj kategorie të dëmit. Shumat e ndryshuara me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e Kosovës janë si në vijim:
| Paditësit | Vlera e Gjykuar | Kamata |
| M.L. | 28,900.00 | |
| N.M. | 27,300.00 | |
| Gjithsej: | 55,900.00 | 9,340.00 |
- Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit e Kosovës, të evidentuar me numër të lëndës Ac.nr.
1352/14, i autorizuari i paditësve avokat B.M. kishte parashtruar revizion, me ç’rast, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme e Kosovës Rev. Nr. 93/19, të datës 08.04.2019, ishte refuzuar si i pabazuar revizioni, ashtu që është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës së Apelit e Kosovës Ac.nr. 1352/14 i datës 14.01.2019.
- Në respektim të aktgjykimeve referuese, me qëllim të eliminimit të shpenzimeve të përmbarimit, BKS me datë 01.03.2019 kishte përmbushur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e Kosovës Ac.nr. 1352/14, në vlerë të përgjithshme prej 65,240.00 euro, e cila mund të vërtetohet sipas urdhër-transferit të datës 25.02.2019 dhe pasqyrës së transaksioneve bankare të datës 01.03.2019.
- Në riprocedurë gjyqësore pranë Gjykatës Themelorë në Pejë — Dega në Istog (përkitazi me dëmin material (fitimin e humbur)), duke vepruar sipas vërejtjeve të konstatuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës, fillimisht është bërë nxjerrja e provës me ekspertizë nga lëmia e punës, me ç’rast sipas mendimit të dhënë në formë të shkruar në ekspertizën e datës 25.07.2019 nga eksperti K.Z., është vlerësuar se paditësi M.L. ka zvogëlim të aftësisë punuese në shkallë prej 59.261 60%, ndërsa paditësi N.M. ka zvogëlim të aftësisë punuese në shkallë prej 36.5%.
Konform këtij vlerësimi të zvogëlimit të aftësisë punuese, është propozuar nxjerrja e provës së re të ekspertizës aktuaristike, me ç’rast sipas vlerësimit të ekspertizës së datës 10.12.2019, e përpiluar nga G.Sh., është konstatuar se paditësi M.L., si pasojë e aksidentit, ka pësuar fitim të humbur në formë të kapitalizuar në lartësi prej 607,361.00 euro, ndërsa paditësi N.M. ka pësuar fitim të humbur në formë të kapitalizuar në lartësi prej 26,405.00 euro.
- Duke qenë se për BKS ishte kontestuese shkalla e zvogëlimit të aftësisë punuese, mbi bazën e së cilës derivonte edhe ekspertiza e aktuaristikës, si rrjedhojë e propozimit për nxjerrjen e provës së sërishme të ekspertizës së punës, gjykata kishte aprovuar një propozim të tillë duke nxjerrur provën e re nga lëmia e punës me ekspert A.H.. Sipas mendimit të dhënë me datë 22.05.2021 dhe 24.05.2021 nga eksperti i lëmisë së punës A.H., ishte vlerësuar se i dëmtuari N.M., si pasojë e aksidentit të komunikacionit, kishte pësuar zvogëlim të aftësisë punuese, nga data e aksidentit deri me datë 05.08.2013 në shkallë prej 100% dhe nga data 05.03.2013 deri me datë 05.08.2015 në shkallë prej 60%, ndërsa pas datës 05.08.2015 e deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore në shkallë prej 45%. Ndërkaq, i dëmtuari M.L. si pasojë e aksidentit kishte pësuar zvogëlim të aftësisë punuese në nga data e aksidentit deri me datë 05.08.2013 në shkallë prej 100%, ndërsa pas 05.08.2013 e deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore në shkallë prej 70%.
- Për shkak se ekspertiza e propozuar nga BKS ishte në disfavor të theksueshëm nga ekspertiza e përpiluar nga K.Z., BKS pas shqyrtimit dhe konsultimit me mjekët cenzor të saj, me datë 23.06.2021 merr konfirmim se ekspertiza nga lëmia e punës e përpiluar nga K.Z. mund të pranohet.
- Nga rezultati që kishin dhënë ekspertizat në këtë proces gjyqësor, BKS kishte bërë disa përllogaritje të përafërta, të shumave që mund të gjykoheshin nga Gjykata. BKS kishte vlerësuar se meqenëse pranë kësaj gjykate ishin nxjerrë disa ekspertiza nga lëmia e aktuaristikës, duke marrë parasysh mesataren e tyre, vetëm për paditësin M.L. llogaritej të ishte vlerë e përgjithshme e fitimit të humbur prej 682,642.66 euro, si dhe shuma e kamatës në lartësi prej 546,712.61 euro, e cila është llogaritur aktuari i BKS[1]. Pra, BKS kishte vlerësuar se totali vetëm për paditësin M.L. eventualisht do të mund të gjykohej në lartësi rreth 1,229,355.50 euro. Ndërsa, lidhur me kërkesën e paditësit N.M., po ashtu kishte ekspertiza të ndryshme dhe BKS kishte vlerësuar se nëse merrej mesatarja e tyre në emër të fitimit të humbur, llogaritej të ishte vlera e përgjithshme prej 26,910.68 euro, si dhe shuma e kamatës në 1artësi prej 21,522.00 euro, e cila është llogaritur aktuari i BKS[2]. Pra, totali për paditësin N.M. do të mund të gjykohej në lartësi prej 48,432.68 euro. Sa i përket shpenzimeve procedurës, BKS kishte vlerësuar faktin se po të gjykoheshin shpenzimet sipas Tarifës së Odës së Avokateve dhe për shpenzimet tjera vijuese, përfshirë shpenzimet në shkallën e parë dhe në riprocedurë, do të mund të gjykoheshin mbi 15,000.00 euro.
- Në takimin e mbajtur me datë 06.08.2021[3] me të autorizuarin e palëve dhe paditësve M.L.
dhe N.M., në prezencë të Drejtorit Ekzekutiv, ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit në gjykata të BKS-së, pas një negociimi me palët, ishte arritur marrëveshja si në vijim:
- L. të paguhet shuma prej ——————————200,000,00 euro;
- M. të paguhet shuma prej —————————— 20,000,00 euro;
- Në emër të shpenzimeve të procedurës shumën prej 11,599.00 euro.
Total —————————————————————— 231,599.00 euro.
- Pra, sipas BKS, nga ky rast ata do të ishin të ekspozuar ndaj një rreziku potencial, duke u detyruar në kompensimin e dëmit në lartësi prej 1,277,787.27 euro, duke mos përfshirë shpenzimet e përmbarimit dhe kamatat vijuese, në rast se lënda do të apelohej në Gjykatën e Apelit. Andaj, sipas BKS, mund të thuhet se vlera potenciale e kursyer është rreth 1,046,188.27 euro.
- Po ashtu, BKS ka sqaruar se lidhur me rastin në fjalë është kërkuar nga Departamenti Antimashtrim në BKS, që të verifikohet se a kanë qenë palët respektive, pjesëmarrës në këtë aksident trafiku, me ç’rast sipas procesverbalit së datës 23.04.2014, në bazë të fotografive të siguruara, është vërtetuar se emrat e të dëmtuarve janë të evidentuar pranë regjistrit amë të të lënduarve në Spitalin Regjional në Pejë, e njëherit është marrë deklarata e shkaktarit të aksidentit I.M., e cila është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës.
- Po ashtu, lidhur me rastin në fjalë, sipas vendimit me numër 359/14 të datës 21.03.2014, BKS ka formuar grupin punues për trajtimin e rastit të evidentuar pranë Gjykatës Themelore në Pejë — Dega në Istog me numër të lëndës C.nr. 212/11. Konkluzionet e këtij grupi punues ishin që të bëhet një investigim në Bruksel për të vërtetuar faktet kontestuese sa i përket natyrës së lëndimeve dhe faktit se a është në marrëdhënie pune dhe a është përfitues i ndonjë skeme sociale apo invalidore. Si rrjedhojë e këtyre konkluzioneve nga grupi punues, është vendosur që të bëhet një vizitë në Bruksel për të eliminuar disa nga dyshimet e ngritura gjatë trajtimit të këtij rasti. Sipas raportit të punës me numër 348/14 të datës 20.03.2014 është konfirmuar se i dëmtuari M.L. ka gjeneruar të hyra në lartësi prej 2,877.41 euro, si dhe është konfirmuar se shkresa e lëshuar nga Qendra Publike për veprimtari Sociale — CPAAS në Bruksel është autentike, ndërsa përkitazi me informacionin se a është përfitues nga Qendrat Sociale apo Qendra të tjera të cilat japin ndihma në këto raste, nuk është marrë ndonjë konfirmim. Në bazë të shkresës së datës 10.10.2019 të lëshuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qendrës Publike të Ndihmës Sociale në Evere, vërtetohet se M.L., nuk trajtohet nga CPAS i Evere[4]. Në bazë të shkresës së datës 17.10.2019, vërtetohet se M.L., nga data 23.08.2011 nuk ka punuar. Në bazë të shkresës së datës 21.08.2013, vërtetohet se M.L., është i paaftë për punë prej datës 07.08.2011 dhe se nuk ka asnjë të ardhur si i punësuar. Në bazë të shkresës së datës 17.06.2021, të lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale vërtetohet se N.M. është në evidencën e të papunëve. Në bazë të shkresës së datës 17.06.2021 të lëshuar nga Qendra për Punë Sociale — Istog, vërtetohet se N.M. nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është përfitues i ndihmës sociale.
- Në bazë të dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe në bazë të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, rezulton se BKS është përgjegjëse për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial për dëmet e shkaktuara nga automjetet pa mbulesë siguruese, automjetet me policë kufitare (sikurse në çështjen konkrete) dhe automjetet e pa identifikuara. Ndër tjerash, personave të dëmtuar nga këto aksidente u takon e drejta në zhdëmtim, sikurse për dëmet materiale ashtu edhe për dëmet jomateriale, përfshirë edhe fitimin e munguar, ashtu që gjatë vlerësimit të lartësisë së fitimit të humbur merret në konsiderim fitimi që ka mundur të pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhjes së rregullt të gjërave ose sipas rrethanave të veçanta, e realizimi i të cilit është penguar nga veprimi i dëmtuesit ose nga lëshimi që të ndërmerr veprimin. Ndër tjerash, sipas dispozitës së nenit 172, par. 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 04/L-077 parashihet se: “Për shkaqe serioze kreditori mundet edhe në raste të tjera të kërkojë menjëherë ose më vonë, që në vend të rentës paguhet një shumë e përgjithshme.”
- Pra, në rastin konkret, BKS ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për arritjen e kësaj marrëveshje me një interes të veçantë financiar, duke ju shmangur rrezikut potencial të shumave që do të gjykoheshin në rast të mos arritjes së marrëveshjes.
- Rasti ndaj të paditurit J.M.
- Më datë 25.09.2019, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm, kishte marrë Aktgjykimin C.nr.885/16, me të cilin e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses BKS, me të cilën paditësja kishte kërkuar që të detyrohet i padituri J.M., që t’ia paguajë shumën prej 10,632.00 Euro, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e trafikut të datës 03.09.2010 në Pejë. Kërkesëpadia ishte refuzuar për shkak të parashkrimit, duke qenë se Gjykata kishte vlerësuar se padia e BKS ishte paraqitur pas afatit ligjor. Ky Aktgjykim ishte bërë i plotfuqishëm ngase procedura nuk kishte vijuar tutje në shkallë të dytë.
- Përkundër këtij Aktgjykimi, BKS kishte paraqitur Propozim për përmbarim, tek përmbaruesi privat ‘Zyra Përmbarimore VAIS Law”, më datë 25.05.2021. Në këtë propozim, duke u bazuar në Aktgjykimin e plotfuqishëm C.nr.885/16, BKS kishte kërkuar që të detyrohet debitori – J.M., që t’ia paguajë kreditorit BKS, shumën prej 10,632.00 Euro në emër të borxhit kryesor, si dhe shpenzimet e tjera të procedurës.
Më datë 26.05.2021, përmbaruesi privat V.B. – “Zyra Përmbarimore VAIS Law”, kishte lëshuar Urdhër P.nr.788/21, me të cilin e kishte lejuar përmbarimin e propozuar nga BKS. Më datë 30.08.2021, J.M. kishte paraqitur prapësim kundër urdhrit për përmbarim. Më datë 29.07.2022, Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm, kishte nxjerrë Aktvendim Ep.nr.315/21, me të cilin e kishte pranuar në tërësi si të bazuar, prapësimin e debitorit J.M. dhe e kishte shfuqizuar urdhrin e përmbaruesit privat P.nr.788/21 të datës 26.05.2021.
- Rrethanat faktike të lartcekura, mbështeten edhe në deklaratën e dëshmitarit J.M., që e ka dhënë në polici (shih pjesën e këtij vendimi, që i referohet deklaratës së dëshmitarëve).
- Pretendimet për keqpërdorimet e BKS nga Fondi i Kompensimit
- Pas analizimit të materialeve të pranuara nga NjIF, BKS dhe BQK, policia, në raportin informues, ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë të dhënë se gjatë vitit 2020, BKS ka paguar marrëveshje (dëme) nga Fondi i Kompensimit, me paratë që kishte ndarë Qeveria e Kosovës në emër të subvencionimit të policave kufitare. Po ashtu, vlen të ceket se lidhur me pagesat nga Qeveria e Kosovës, për subvencionim të policave kufitare gjatë vitit 2020, nuk kishte pasur asnjë konfirmim nga ndonjë organ qeveritar, deri në vitin 2020, kur Ministri i Financave kishte nxjerrë vendim për formim të grupit punues. Ky grup, më datë 19.05.2022, kishte përgatitur Raport për shqyrtimin e policave kufitare të lëshuara dhe të pakonfirmuara nga MPB-ja (nr. prot.1014-1a/2022) dhe në këtë raport, kishte konstatuar se grupi punues nuk ka arritur që të gjejë argumente të mjaftueshme për konfirmimin e policave të pakonfirmuara dhe si të tilla, këto polica kanë mbetur si të tilla (pra, të pakonfirmuara).
- Miratimi i Statutit të ri të BKS
- Në mbledhjen e datës 12.04.2018, Asambleja e Përgjithshme e BKS, kishte marrë Vendim që Statuti aktual i atëhershëm i BKS, të dërgohej tek të gjitha Kompanitë e Sigurimit në Kosovë, që të bëjnë rishikimin e statutit nga juristët e tyre dhe më pas, komentet e tyre t’i dërgojnë tek
Drejtori Ekzekutiv i BKS, i cili më pas do t’i paraqiste këto komente tek Këshilli Administrativ në BQK. Në mbledhjen e datës 29.11.2018, Asambleja e Përgjithshme e BKS, kishte marrë Vendim për të aprovuar Draftin e Statutit të BKS. Pas kësaj, sipas vendimit në fjalë, ky statut do t’i dërgohej Këshillit Administrativ në BQK për shqyrtim të komenteve eventuale.
- Më datë 21.01.2020, B.P., Drejtor Ekzekutiv në BKS, kishte drejtuar Kërkesë për aprovim të Statutit të BKS, tek A.Xh. – Drejtoreshë e Departamentit për Licensim dhe Standardizim në BQK.
- Më datë 11.03.2020, është bërë miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në Statut, i nënshkruar nga A.Xh. – Drejtoreshë e Departamentit për Licensim dhe Standardizim në BQK dhe S.H. – Zv. Guvernator-Mbikqyrës i Financave në BQK (shih dokumentin e BQK, nr.
prot.136/2020, të datës 11.03.2020).
- Në mbledhjen e datës 18.06.2020, Asambleja e Përgjithshme e BKS, kishte marrë Vendim për të aprovuar Statutin e BKS, i cili është nënshkruar nga Drejtorët Ekzekutiv të Kompanive të Sigurimit.
Deklaratat e dëshmitarëve5
Ø Deklarata e dëshmitarit F.H., e dhënë në polici më datë 27.09.2022
- Deklaron se është me profesion ekonomist dhe aktualisht është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “Alvera” me seli në Ferizaj. Tutje thotë se gjatë kohës së funksionimit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, ka qenë pjesë e shoqatës, si anëtarë i kuvendit dhe në vitin 2019 ka qenë edhe kryetar i kuvendit i paracaktuar përmes rrotacionit. Sqaron se Kuvendi i shoqatës së sigurimeve është përbërë nga themeluesit e shoqatës e të cilët kanë qenë të gjitha kompanitë e sigurimeve private që kanë operuar në tregun e sigurimeve në Kosovë. Në kuvend secila kompani është përfaqësuar përmes drejtorit të përgjithshëm. Shoqata e sigurimeve të Kosovës ka pasur autorizime të veçanta nga Banka Qendrore e Kosovës për licencimin e Agjentëve dhe Brokerave dhe ka pasur për obligim që t’i raportojë Bankës Qendrore të Kosovës. Sqaron se parakusht për licencimin e një Agjenti apo Brokeri ka qenë trajnimi i tyre nga ana e shoqatës.
Deklarata e dëshmitarit V.H., e dhënë në polici më datë 24.02.2023
- Deklaron se punon si avokat. Sa i përket Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, deklaron se fillimisht ka punuar si referent juridik, e më pastaj si zyrtar ligjor, e më vonë si shef i sektorit ligjor. Në BKS, nga viti 2012 e deri në korrik të vitit 2014, ka qenë përfaqësues në Gjykatë në përfaqësimin e lëndëve. Lidhur me vendimin e datës 29.09.2020 për shuarjen e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, deklaron se të gjithë anëtarët prezent kanë votuar pro shuarjes së SHSK-së dhe sipas pikës II të vendimit theksohet se shuarja fillon nga data 01.01.2021, respektivisht deri në mbylljen e proceseve shtetërore, ku ne komunikim me Departamentin e OJQ-ve në kuadër të MPB-së, është theksuar se në secilin rast, gjendja bankare e cila duhet të prezantohet në procesin e mbylljes duhet të jetë me zero, e cila në atë kohë nuk ka qenë e tillë. Me tutje, në atë kohë SHSK ka pasë në proces përmbarimi edhe të disa detyrimeve të
5 Me autorizim të Prokurores së çështjes, janë marrë edhe disa deklarata të tjera të dëshmitarëve, të cilat janë dhënë në Polici. Mirëpo, deklaratat e dëshmitarëve, të cekura si më poshtë, kanë të bëjnë vetëm me çështjen e marrjes së Vendimit me nr. 33/19, i datës 23.04.2019, të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës:
- K. (nga kompania e sigurimeve “SIGKOS”), më datë 15.11.2024;
- L. (nga kompania e sigurimeve “Skardian”), më datë 21.10.2024;
3)Sh.B. (nga kompania e sigurimeve “Iliria”), më datë 28.10.2024;
- Ll. (nga kompania e sigurimeve “Dukagjini”), më datë 14.11.2024;
- R., (nga kompania e sigurimeve “Siguria”), më datë 18.11.2024;
- T. (nga kompania e sigurimeve “EUROSIG”), më datë 20.11.2024;
- B.(nga kompania e sigurimeve “INSIG”), më datë 20.11.2024;
Meqenëse këto deklarata kanë të bëjnë vetëm me çështjen e marrjes së Vendimit me nr. 33/19, të datës 23.04.2019, të njëjtat nuk do të elaborohen, duke qenë se janë përfshirë në Informatën për mungesë të kompetencës lëndore të Prokurorisë Speciale, të datës 16.12.2024 dhe do të trajtohen tutje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
papërmbushura nga anëtarët e saj, për të cilat, anëtarët e kuvendit kanë pas qëndrimin se asnjë nuk duhet të amnistohet, por secila duhet t’i mbushë detyrimet e plota ndaj SHSK. Po ashtu, SHSK ka pasur Statutin e debitorit në një proces tjetër të përmbarimit me kompaninë e auditivit të jashtëm Delloid, e cila edhe sot vijon, prandaj nuk ka qenë e mundur që të bëhet shuarja, respektivisht ç’regjistrimi. Sa i përket Vendimit nr. 80/20, të datës 29.09.2020 të ShSK, deklaron se vendimi është respektuar, me përjashtim të procesit të mbylljes, për arsyet që ceken më lart. Lidhur me Vendimin nr. 83/20, të datës 29.09.2020, deklaron se ky vendim është zbatuar plotësisht. Për vendimin e datës 29.09.2020, ku ai (V.H.), caktohet si përfaqësues i ShSK, deri në përmbylljen e procesit të shuarjes dhe ç’regjistrimit, deklaron se ky vendim është zbatuar. Lidhur me Vendimin e datës 29.09.2020, ku caktohet shpërblimi mujor i përfaqësuesit të ShSK (V.H.), deklaron se i njëjti është zbatuar dhe nuk është vazhduar pas datës 30.06.2021. Për Vendimin e datës 29.09.2020, ku anëtarët e shoqatës duhet të paguajnë kontribut mujor për financimin e aktivitetit të shoqatës për muajin tetor 2020, në shumë prej 1,820.00 Euro, deklaron se kjo shumë e mjeteve financiare është pagesë e kontributit mujor të vazhdueshëm nga të gjithë anëtarët. ShSK nuk ka pasur mjete financiare të akumuluara njëherësh, për shpenzim gjatë një viti financiar, por për çdo shpenzim të paguar si pagë, tatim, qira dhe çdo shpenzim tjetër, janë paguar nga inkasimi mujor i kontributeve mujore të anëtareve të ShSK. Tutje, deklaron se ai i kishte përgatitur të gjitha draftet e vendimeve të nxjerra në mbledhjen e datës 29.09.2020, pasi që kishte qenë shef i sektorit ligjor. Lidhur me pyetjen se përse në departamentin për OJQ në MPB (ish MAP), rezulton se në aspektin formal-juridik, përfaqësuesi i kësaj shoqatë është ende z. S.M., dhe se sipas dokumenteve, kjo OJQ ishte ende aktive, deklaron se i ka treguar arsyet e mospërfundimit të shuarjes së shoqatës. Departamenti i OJQ-ve ishte njoftuar formalisht për ndërrimin e përfaqësuesit të autorizuar, mirëpo vetë procesi i shuarjes nuk është vijuar më tutje, përveç shuarjes përmes vendimit nga asociimi vullnetar, ngase në një organizatë, shuarja bëhet edhe me heqje dorë dhe mospjesëmarrja në aktivitete dhe se sipas ligjit kërkohet që të ketë së paku tre anëtarë për tu asocuar dhe ushtruar aktivitet. Deklaron se si emër i kujtohet M.L. por nuk e njeh. Me Mentorin ishin takuar në vitin 2014 në Bruksel, në prezencë të F.A. – ish drejtor ekzekutiv i BKS, me autorizim të organeve vendim-marrëse të BKS dhe qëllim i këtij takimi ka qenë komunikimi me të njëjtin lidhur me mbylljen e rastit për kompensim të dëmit, për të cilin rast ka pasur proces gjyqësor në gjykatë në Kosovë. Deklaron se ai personalisht nuk ka negociuar apo komunikuar lidhur me lëndën, mirëpo ka qenë prezent, sepse ka qenë përfaqësues i BKS në këtë rast. Thotë se sipas autorizimit të BKS, kanë pasur që të marrin informata lidhur me vërtetësinë e lartësisë së pagës së prezantuar, për të cilën kishin shkuar tek punëdhënësi i tij dhe ai i kishte prezantuar vetëm në shikim prova se paga ka qenë e njëjtë, ashtu siç ishte prezantuar në Kosovë. Po ashtu, deklaron se kanë shkuar edhe tek Enti Social lokal për të vërtetuar nëse i njëjti pranon ndonjë nga skemat pensionale, por aty ka qenë e pamundur qasja në informacion. Deklaron se asnjëherë nuk ka ndikuar tek ndonjë person, që M.L. të kompensohej për këtë lëndë. Lidhur me vendimin e datës 29.11.2017, me nr.1361/17, me të cilin V.H. ishte caktuar si përfaqësues ligjor për rishikimin dhe draftimin e statutit të ri të BKS, deklaron se ka qenë anëtar i komisionit dhe e kanë rishikuar statutin e vitit 2011 dhe kanë paraqitur draftin për ndryshim me propozime. Shton se hartimi dhe draftimi i këtij statuti, ka kaluar për vlerësim nëpërmjet asamblesë dhe pas miratimit të draftit të statutit, i njëjti ishte miratuar edhe nga BQK dhe vlerëson se është në harmoni me ligjet në fuqi. Deklaron se nuk është në dijeni për ndonjë presion të ndonjë zyrtari shtetëror të bërë ndaj përfaqësuesve të Kompanive të Sigurimit në Kosovë, për aprovimin e këtij statuti dhe se ky aprovim ishte bërë sipas vullnetit të anëtarëve të BKS, të cilin e ka vlerësuar edhe BQK. Deklaron se nuk ka asnjë lidhje në afërsi familjare, shoqërore apo interes të përbashkët financiar me ndonjërin nga përfaqësuesit e kompanive të sigurimit, me ndonjë nga zyrtarët e BQK apo me S.M. dhe se nuk është shpërblyer me ndonjë shumë financiare nga BKS apo ShSK, me ndonjë vendim tjetër përpos të atyre që u cekën.
Deklarata e dëshmitarit S.M., e dhënë në polici më datë 23.04.2024
- Deklaron se deri më datë 29.09.2020, ka ushtruar detyra të rëndësishme në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës, deri tek ajo e Drejtorit Ekzekutiv. Me datë 29.09.2020, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit, për arsye se me datë 03.09.2020, Asambleja e Përgjithshme e BKS e kishte emëruar UD të drejtorit të BKS, nga data 10.2020-28.02.2021, për arsye se me datë 30.09.2020 i ka skaduar mandati drejtorit të BKS. Nga data 01.03.2021-28.02.2025, është emëruar si Drejtor Ekzekutiv i BKS, të cilën detyrë e kishte ushtruar deri më datë 05.01.2024, për shkak se kishte ofruar dorëheqjen e parakohshme nga kjo pozitë. Deklaron se për qasje në llogari bankare të BKS është autorizuar me vendim të Këshillit Administrativ të BKS-së dhe se ka qenë i autorizuar në të gjitha llogaritë bankare të BKS-së. Deklaron se nuk ka vendim specifik për ndonjë llogari bankare, porse vendimi për autorizim, vlen për të gjitha llogaritë e BKS. Tutje, thotë se ai si drejtor ekzekutiv si dhe drejtori financiar, i kanë nënshkruar transferet bankare të realizuara. Po ashtu, deklaron se sa ka qenë drejtor ekzekutiv në BKS, e ka pasur ekspert të jashtëm ligjor V.H.. Lidhur me rastin e M.L. dhe N.M., deklaron se nuk i mban mend të gjitha detajet e rastit, mirëpo nga përmbledhja e rastit që është bërë nga F.S.-Drejtor i Zyrës Ligjore dhe Administratës në BKS, si dhe nga takimet e përbashkëta me komplet juristët e BKS, në prezencën e avokatit, së bashku me palët, është biseduar dhe është propozuar që rasti të mbyllet me marrëveshje jashtëgjyqësore. Edhe një herë dëshmitari sqaron se nga përmbledhja e rastit që është bërë nga zyra ligjore, është vlerësuar se si do të mund të përfundonte rasti me vendim të gjykatës. Po ashtu, kishin kërkuar nga aktuari i BKS Sh.G., i cili kishte njoftuar me shkrim se shpenzimet e tjerakamatë vonesat, kanë arritur shumat mbi 500,000.00 Euro, prandaj, për të ekonomizuar rastin, i ka thënë se kanë të drejtë që të bëjnë ofertë financiare për zgjidhje të rastit. Tutje, dëshmitari deklaron se në bazë të raporteve të dorëzuara, shihet qartë se BKS i janë kursyer rreth 1 milionë Euro. Deklaron se sa i përket rolit të tij si drejtor ekzekutiv në këtë rast, ka marrë pjesë në takim ku janë pajtuar me palën paditëse, ka propozuar shumën e marrëveshjes dhe ka vlerësuar se ekonomikisht, rasti është mbyllur në favor të BKS dhe se shuma që i është paguar palës paditëse, është siguruar nga Fondi i Sigurimit Kufitar. Sa i përket lëndës përmbarimore me J.M., deklaron se për shkak të numrit të madh të kërkesave për rimbursim, ka mundur që të përgatitet gabimisht nga stafi i BKS, por me bindje të plotë deklaron se nuk kanë pasur qëllim që të dëmtojnë palën apo procesin gjyqësor. Deklaron se ka pasur marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe BKS, për subvencionim të policave kufitare dhe atë marrëveshja e vitit 2020 dhe marrëveshja e vitit 2021 dhe se këto mjete janë përdorur në bazë të ligjeve në fuqi. Për mënyrën se si qeveria ka subvencionuar policën kufitare, deklaron se përmes një Memorandumi të mirëkuptimit të vitit 2020, ne mes te MF BQK-së dhe BKS-së, në të cilin memorandum është paraparë që secilin muaj BKS ua ofron shënimet Policisë Kufitare të konfirmuar se ato vetura, me ato te dhëna, a kane hyrë në Pikat Kufitare. Pas pranimit dhe kontrollimit, Policia Kufitare ka kthyer përgjigje me shkrim se nga totali i numrit të Policave, i ka kthyer në dy kategori: të verifikuara që kanë hyrë në pika kufitare dhe të pa verifikuara që kanë hyrë në pikat kufitare në kohën kur janë lëshuar Policat e Sigurimit kufitar. Roli i Agjentit të BKS-se ka qenë të lëshojë Policën e Sigurimit dhe sipas marrëveshjes së vitit 2020 dhe Udhëzimit te brendshëm të BKS-së të nënshkruar nga B.P., sistemi nuk është konfiguruar në mënyrën e duhur dhe kur kanë hyrë në muajin Dhjetor u është shfaqur një gabim teknik qe e kanë vërejtur nga Ankesat e qytetarëve, sepse sistemi është konfiguruar gabimisht. Tutje, deklaron se nuk janë paguar marrëveshje gjyqësore apo jashtëgjyqësore me mjete financiare të subvencionimit të policave kufitare sepse këtë mënyrë të pagesës nuk e lejon rregullorja. Për fund, deklaron se nuk ka afërsi familjare, shoqërore apo interes të përbashkët me ndonjë për përfaqësuesve të kompanive të sigurimit apo me zyrtarë prej BQK, ndërsa V.H. e kishte shok që nga koha e studimeve.
Deklarata e dëshmitarit I.K. (nga kompania e sigurimeve “SIGKOS”), e dhënë në polici më datë 10.01.2023
- Deklaron se punon në kompaninë e sigurimeve “SIGKOS” dhe se deri më datë 31.12.2022, ka qenë Kryeshef ekzekutiv, mirëpo për shkak të disa rrethanave ka ofruar dorëheqje. Nga janari i i 2023-tës është koordinator. Sqaron se sipas Ligjit për sigurime nr. 05/L-045, Kryeshefi Ekzekutiv e përfaqëson kompaninë në të gjitha instancat që ligji mbi sigurimet ia njeh. Shoqata e kompanive të sigurimeve ka qenë asociacion që është themeluar në baza vullnetare për të mbrojtur interesat e industrisë së sigurimeve me të gjitha të drejtat dhe kompetencat sipas ligjit të asocimit. BKS-ja është themeluar me ligjin nr. 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia. Të gjitha kompanitë e sigurimeve janë të obliguara sipas këtij ligji për të qenë anëtare të BKS, për ta shitur sigurimin e automjetit. BQK-ja, e cila sipas këtij ligji ka mbikëqyrje strikte mbi BKS, e mbikëqyrë byronë edhe përmes një rregulloreje të posaçme për të gjitha funksionet që përshkruhet në ligjin e autopërgjegjësisë. Tutje, sqaron se obligimet financiare ndaj SHKS, kanë qenë që të paguajë shpenzimet e aktivitetit operativ të shoqatës, të paguajë dëmet nga polica kufitare, të pranojë të hyra nga shitja e policës kufitare, të financojë fondin e kompensimit, i cili i ka trajtuar dhe paguar të gjitha dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara në trafik. Pas vitit 2011, deklaron se është formuar me ligj BKS-ja, ku SIGKOS dhe kompanitë e tjera të sigurimeve, kanë pasur për obligim financimin e aktivitetit operativ të SHSK-së vetëm për çështje operative, që nënkupton lobimin në interes të industrisë së sigurimeve. Dëshmitari sqaron se BKS-ja, sipas ligjit të auto përgjegjësisë bën planifikimin e buxhetit për çdo vit për vitin pasues. Obligimet e kompanive të sigurimit janë që këtë buxhet ta financojnë në atë mënyrë që byroja në kontinuitet t’i përmbushë të gjitha obligimet që rezultojnë nga ligji dhe rregullorja. Lidhur me Vendimin nr. 1361/17 e datës 29.11.2017 për draftim të statutit të ri, të Kryesuesit të Asamblesë së përgjithshme të BKS-së, deklaron se nuk i kujtohet mirë nëse ka qenë në mbledhje, por deklaron se nëse ka qenë, atëherë është pajtuar me përpilimin e këtij vendimi, për arsye se statuti duhet të evolojë sipas zhvillimit të industrisë, duke i pasur në konsideratë dispozitat ligjore strikte që i definojnë të drejtat, detyrat dhe obligimet e BKS.
Deklaron se i ka ardhur për shikim drafti-Statuti i BKS, i datës 18.06.2020 dhe ky draft është i miratuar dhe si të tillë ai e kishte vlerësuar që është në rregull dhe e ka nënshkruar në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë së sigurimeve SIGKOS dhe i njëjti është miratuar paraprakisht edhe nga BQK-ja.
Deklarata e dëshmitarit B.B., e dhënë në polici më datë 15.02.2024
- Punon në Departamentin e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK, në pozitën si Udhëheqës i Divizionit për Raportim dhe Analiza, që nga viti 2001 e tutje. Sqaron se BQK e mbikëqyrë
BKS-në, në bazë të Ligjit për Sigurimet e Detyrueshme dhe në bazë të rregullores për Raportim të BKS-së. Më konkretisht, sqaron se me mbikëqyrjen e BKS merret Departamenti i Mbikëqyrjes se Sigurimeve. Ndërsa, për Divizionin për Raportim dhe Analiza, sqaron se aktiviteti i DRA-se është: pranimi i raporteve mujore nga sigurimet kufitare dhe pagesën e dëmeve. Mbi bazën e raporteve të pranuara nga BKS-ja, DRA-ja përgatit raport informues për bordin ekzekutiv të BQK-së dhe bordin e BQK-së. Përveç raporteve mujore DRA-ja pranon nga BKS-ja edhe raportet tre mujore të pasqyrave financiare si dhe raportin vjetor të audituar nga auditori i jashtëm. Po ashtu, sqaron se BQK pranon raportet lidhur me dëmet e paguara për secilin fond dhe për secilin lloj të dëmeve. Deklaron se e kanë ekzaminuar aktivitetin e BKS lidhur me Fondin e Kompensimit, Sigurimin Kufitar dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare (MoU) dhe sqaron se ekzaminimi bëhet afërsisht një herë në dy vjet apo më shpesh, nga departamenti i mbikëqyrjes së sigurimeve, respektivisht divizioni i mbikëqyrjes në vend. Deklaron se në kuadër të ekzaminimit bëhen edhe ekzaminimi i llogarive bankare dhe të gjitha çështjeve tjera që BQK-ja vlerëson se duhet të ekzaminohen. Deklaron se nuk është në kompetencën e tij që të dijë se sa llogari bankare ka Fondi i Kompensimit, në emër të BKS dhe se të gjitha llogaritë, nëse janë ekzaminuar, të njëjtat janë ekzaminuar nga divizioni për mbikëqyrjen në vend. Nëse ka pasur ndonjë keqpërdorim të fondeve nga zyrtarë të BKS, ato paraqiten në raportet e divizionit për mbikëqyrjen në vend. Sqaron se BKS është e obliguar që të japë disa raporte, si Raporti i Auditorit të jashtëm (vjetor), pasqyrat financiare tremujore, raportet e primeve dhe dëmeve (mujore), si dhe buxheti për vitin e ardhshëm (parashikimi) që dërgohet në BQK në nëntor të çdo viti për me marrë pëlqimin e BQK-së.
Deklarata e dëshmitarit S.Sh., e dhënë në polici më datë 16.02.2024
- Deklaron se prej 01.11.2018 punon si Udhëheqës i Divizionit për mbikëqyrjen në vend, i cili operon në ne Departamentin e Mbikëqyrjes te Sigurimeve në BQK. Sqaron se detyrat e divizionit janë për mbikëqyrjen në vend të siguruesve në aspektin e monitorimit dhe vlerësimit të shëndetit financiar të siguruesve, duke i vlerësuar rreziqet që i bartin dhe shkeljet e mundshme të rregullativës së BQK-së, e gjithë kjo në funksion të ruajtjes së interesave të polis-mbajtësve si objektiv i BQK-së. Tutje thotë se edhe BKS-ja, përkundër që nuk është sigurues i drejtpërdrejtë, është subjekt i mbikëqyrjes nga departamenti i mbikëqyrjes së sigurimeve. Kjo mbikëqyrje realizohet bazuar në rregulloren për standardet e raportimit dhe të mbikëqyrjes së BKS-së dhe akteve të tjera kur përshtatshmërisht janë të aplikueshme, p.sh. ligji për auto përgjegjësi dhe ligji i sigurimeve. Po ashtu, deklaron se në kuadër të mbikëqyrjes së sigurimeve përgjegjësi e departamentit dhe divizionit është vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të byrosë, duke vlerësuar edhe efektshmërinë e funksionit të kontrolleve të brendshme të byrosë si dhe pajtueshmërinë me ligjin dhe rregulloret e BQK-së. Gjatë ekzaminimit të byrosë ekzaminohen edhe fushat e dëmeve financave dhe menaxhmenti në tërësi. Pra, sqaron se subjekt i ekzaminimit është BKS-ja dhe brenda raporteve të ekzaminimit mund të ketë vlerësime që lidhen me fondet e byrosë, pagesën e dëmeve. Çështja e llogarive bankare është pjesë e ekzaminimit të fushës së financave gjatë ekzaminimeve në sigurues. Edhe për BKS-në njëjtë si për siguruesit tjerë në ekzaminimin e fundit, deklaron se kanë kërkuar llogaritë bankare të BKS-së për periudhën e ekzaminimit. Deklaron se pas kërkesës së departamentit nga bankat janë ofruar informacione që BKS-ja ka llogari në 4 banka. PCB, RBKO, BE dhe BPB dhe se BKS ka ofruar edhe vendimet lidhur me autorizimet në llogari. Sa i përket numrit të xhirollogarive bankare të BKS, deklaron se BQK-ja, ka pranuar llogari sipas kërkesës nga bankat komerciale dhe janë njoftuar që BKS ka llogari në katër institucione bankare. Për të ditur më saktë së sa llogari bankare ka në secilën prej këtyre bankave, dëshmitari deklaron se duhet kërkuar raportet që janë dorëzuar tek departamenti mbikëqyrjes së sigurimeve për këtë çështje. Deklaron se nuk ka dijeni se S.M. ka qenë i autorizuari i vetëm në tre (3) llogari aktive të BKS, por për këtë thotë se mund t’i referohemi vendimeve të këshillit administrativ të BKS-së që bënë emërimet apo autorizimeve për qasje në këto llogari. Nuk i kujtohen emrat e M.L. dhe N.M..
Deklarata e dëshmitares G.Sh., e dhënë në polici më datë 16.01.2023
- Deklaron se është aktuare me profesion dhe punën si aktuare me orar të rregullt, e ushtron në kompaninë e sigurimeve “Dukagjini” në Prishtinë, ndërsa paralelisht ka biznesin privat, përmes së cilit merret me punët e profesionit të aktuaristikes me kompani të tjera të sigurimeve dhe po ashtu është e angazhuar përmes të njëjtit biznes, si eksperte gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit. Në rastet kur Gjykata e cakton si eksperte e aktuaristës për të hartuar ekspertizën aktuaristike për ndonjë lëndë përkatëse, atëherë ajo ftohet nga gjykata qoftë me ftesë të rregullt, qoftë përmes telefonit për të shkuar në gjykatë dhe për të marrë lëndën dhe në rastet e tilla i përgjigjet gjykatës duke shkuar fizikisht dhe duke tërhequr lëndën me të gjitha shkresat e veta. Më pas, deklaron se lëndën e shfleton, analizon dhe përpilon konstatimet, duke iu përgjigjur detyrave të aktvendimit të gjykatës dhe përmes konstatimeve të cekura, harton ekspertizën aktuaristike, të cilën në kopje të mjaftueshme së bashku me lëndën dhe shkresat e lëndës, e kthen në gjykatë për procesim të gjykatës në pyetje. Deklaron se është caktuar nga gjykata me aktvendim të veçantë, si eksperte e aktuaristikës në rastin e paditësit M.L., kundër të paditurës BKS. Deklaron se i është përgjigjur detyrave te aktvendimit të gjykatës për llogaritjen e dëmit material të llojit të fitimit të humbur dhe rentës mujore për të ardhmen, kjo duke u bazuar në ekspertizën e mjekësisë së punës, mbi shkallën e zvogëlimit të aftësisë punuese për paditësit M.L. dhe N.M., dhe pas analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka nxjerrë konstatimet sikur ne ekspertizën e datës 10.12.2019. Sa i përket faktit se në ekspertizë, për paditësin M.L. kishte konstatuar se pas aksidentit, paditësi M.L. është i pa punë dhe nuk gëzon të hyra sociale nga shteti belg dhe/apo nuk është shfrytëzues i ndonjë skeme të ngjashme sociale, deklaron se për nevoja te hartimit te kësaj ekspertize, ka analizuar të gjitha shkresat e deponuara në lëndën përkatëse dhe në rastin e paditësit M.L., në shkresat e lëndës janë deponuar të dhëna përmes të cilave ka konstatuar se i njëjti në shtetin Belg, para aksidentit ka qenë i punësuar tek punëdhënësi CAROSERIE AND COURANNE, si automekanik, me të ardhura mujore prej 2,874.54 euro. I njëjti, pas aksidentit, nuk ka deponuar te dhëna se vazhdon të punoj punën si automekanik, ndërkohë që në shkresat e lëndës ka deklaruar se për shkak të zvogëlimit të aftësisë punuese ka qenë i paafte të kryejë punët sikur para aksidentit. Tutje, dëshmitarja deklaron se për këtë konstatim ka kontaktuar edhe përfaqësuesin e autorizuar të palës, Avokatin B.M., për të siguruar eventualisht ndonjë informacion shtesë dhe i njëjti deri në momentin e fundit të hartimit të ekspertizës, e ka informuar se paditësi M.L. është i pa punë dhe nuk është shfrytëzues i ndonjërës nga skemat sociale në vendin ku jeton. Po ashtu, deklaron se për këtë konstatim është bazuar edhe në shkresat e lëndës të cilat janë të pakontestueshme nga ana e gjykatës, të cilat për të paraqesin argument meritor të nevojshëm për t’i shfrytëzuar në përpilim të ekspertizës. Tutje, sqaron se sa i përket konstatimit se M.L., pas aksidentit, është i papunë dhe nuk gëzon të hyra sociale nga shteti belg, deklaron se mbi atë se çka ka analizuar dhe parë në shkresat e lëndës, rreth paraqitjes së mendimit vetëm mbi ato shkresa që kanë qenë në lëndë dhe nga informacionet shtesë të siguruara nga përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, atë dhe e ka shprehur ne ekspertizë, ndërsa mendimin profesional rreth llogaritjes së dëmit material të fitimit të humbur dhe rentës për të ardhmen, ashtu siç është kërkuar me aktvendim të gjykatës, e ka llogaritur nga të hyrat që paditësi ka gëzuar para aksidentit, e kjo duke u bazuar në praktikat e mira të profesionit aktuariar, si dhe dispozitave të tjera ligjore dhe rregulloreve qe përcaktojnë këto kritere e që janë valide ne vend. Tutje, thotë se pjesa profesionale e punës në këtë ekspertizë, ndërlidhet ekskluzivisht në llogaritje të dëmit material të cekur si më lartë, ndërsa në aspektin tjetër meritor, deklaron se është jashtë limiteve të përgjegjësive të saj, si eksperte e aktuaristikës dhe jashtë detyrave te aktvendimit të gjykatës. Sa i përket konstatimit rreth gjendjes së papunësisë së paditësit pas aksidentit, deklaron se për të paraqet rrethanë të njohur nga përfaqësuesi i autorizuar dhe nga shkresat e lëndës. Sqaron se si eksperte e aktuaristikës, nuk ka mekanizma për të vërtetuar gjendjen reale në këtë rast të paditësit, mirëpo këto kanë qenë informata të marra nga shkresat e lëndës dhe përfaqësuesi ligjor, të cilat i kanë shërbyer për ta bërë një llogaritje profesionale për rastin në fjalë. Deklaron se me vetë faktin që e kam poseduar komplet lëndën, i ka parë të gjitha ekspertizat dhe ka qenë në dijeni se për këtë rast janë bërë edhe dy ekspertiza të tjera. Në pyetjen se përse i ka besuar faktit se M.L. është i papunë dhe nuk gëzon të hyra sociale nga shteti Belgjikës, apo nuk është shfrytëzues i ndonjë skeme të ngjashme sociale nga shteti Belgjikës, përderisa nga Gjykata dhe ekspertizat tjera të bëra për këtë çështje, është kërkuar të dëshmohet kjo, deklaron se për nevoja të llogaritjeve që i janë përcaktuar, i ka marrë për bazë rrethanat e paraqitura në shkresa të lëndës dhe nga përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, andaj dhe e ka lënë në fund të ekspertizës, tek mendimi profesional, pasuesin ndër-vërejtje, në faqen fundit të ekspertizës përpara shtojcave, ku ka shprehur mendimin dhe rezervimin e të drejtës rreth rishikimit dhe rillogaritjes së ekspertizës, në rast se paraqiten rrethana të tjera nga ato të prezantuara në lëndë, e që ndërlidhen me shfrytëzimin e ndonjërës nga skemat sociale – pension invalidor apo të ngjashëm, si dhe ndonjë rrethane të re që ndërlidhet me punësimin e paditësit. Deklaron se nuk ka dijeni nëse dikush ka ndikuar që të caktohet si aktuare në këtë rast. Po ashtu, deklaron se nuk ka pasur ndonjë konsultim me ndonjë zyrtar të BKS apo person tjetër, për përgatitjen e ekspertizës. Nuk ka pranuar pagesë shtesë, përveç pagesës së faturuar. Deklaron se nuk e njeh personin M.L., por avokatin e tij e njeh dhe të njëjtin e kishte kontaktuar për rrethanat e lartcekura. Tutje, deklaron se njeh S.M. dhe V.H., nga përvoja e saj në tregun e sigurimeve, por nuk ka biseduar ndonjëherë me ta për rastin e M.L.t. Po ashtu, thotë se nuk ka bërë ndonjë përpjekje (kërkesë) në shtetin e Belgjikës, për të vërtetuar gjendjen reale të paditësit M.L., sepse është jashtë autorizimeve të saj.
Deklarata e dëshmitarit J.M., e dhënë në polici më datë 07.09.2022
- Deklaron se punon punë private nëpër biznese të ndryshme. Në vitin 2010, thotë se ka pasur një aksident trafiku, ku ka qenë duke vozitur mjetin motorik “Motor Cros” dhe është aksidentuar me një automjet tjetër dhe se në motor me të kishte qenë Sh.K., shok i tij. Në këtë aksident, kishte pësuar lëndime të mëdha trupore, ndërsa Sh.K. i kishte qenë në gjendje kome për 5 ditë, e më pas kishte ndërruar jetë. Më pas kishte filluar procesi gjyqësor për këtë aksident, ku fillimisht ai nuk kishte mundur t’i përgjigjej ftesave të gjykatës, por më vonë po. Ky proces gjyqësor kishte përfunduar me vendim të plotfuqishëm, me të cilin ishte refuzuar në tërësi si e pabazuar kërkesë-padia e paditëses BKS, për shkak të parashkrimit të lëndës. Për këtë rast, i kujtohet se kur ka filluar pandemia, i kanë ardhur disa dokumente dhe menjëherë kishte shkuar tek avokati A.K. në Pejë dhe ai i kishte thënë se duhet të shkojë tek përmbaruesi privat në Prishtinë. Dëshmitari deklaron se kishte shkuar tek përmbaruesi i cili gjendej tek rrethi afër Lipjanit dhe aty i kishte dërguar letrat, të cilat i kishte thënë avokati që t’i vulosë dhe njërën prej tyre, përmbaruesi kishte hezituar ta vulosë, mirëpo në fund e kishte vulosur. Këtë dokument të vulosur nuk e posedonte për momentin, por mund ta dërgonte më vonë. Pasi e kishte pranuar këtë vulë në dokument nuk ishte kontaktuar asnjëherë nga ndonjë person apo institucion.
III. Analizë e çështjes dhe konkluzionet e Prokurorit
- Pas shqyrtimit dhe analizimit të Njoftimit lidhur me informatën me numër I-2022-36 nga personi anonim, të paraqitur nga Policia e Kosovës, si dhe provave tjera relevante që përmban dosja, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në rastin konkret, në veprimet e personave të paraqitur si të dyshuar, të cilët ishin pjesëmarrës në cilësi të personave zyrtarë, siç është përshkruar në pjesën përkatëse më lart, nuk përmbushen elementet e veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, apo ndonjë vepër tjetër penale sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.
Aspekti ligjor material në rastin konkret
Ø Vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
- Nga përkufizimi i dispozitës së nenit 414 të KPRK-së, rrjedhë se vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” ekziston kur personi zyrtar a personi përgjegjës, duke shfrytëzuar pozitën e vet zyrtare apo autorizimet, me tejkalimin e kufijve të autorizimeve të
tij, ose duke mos i kryer detyrat e veta zyrtare, përfiton për vete a për tjetrin ose organizatën e biznesit çfarëdo dobie, i shkakton dëm tjetrit ose shkel seriozisht të drejtat e personit tjetër
Nga përkufizimi i kësaj dispozite, rrjedhë se vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përbëhet prej këtyre elementeve të posaçme: 1) personi zyrtar, 2) tejkalimi i kompetencave ose mos përmbushja e detyrave zyrtare nga ana e personit zyrtar, 3) qëllimi i përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër apo që t’i shkelë të drejtat e personit tjetër. Po ashtu, për të ekzistuar një vepër penale duhet të plotësohen edhe elementet e përgjithshme të veprës penale, ndër të cilat janë edhe fajësia dhe kundërligjshmëria.
Tek keqpërdorimi i detyrës zyrtare, për ekzistimin e kësaj vepre, përpos dashjes nevojitet edhe qëllimi i kryesit që përmes kryerjes së kësaj vepre të përfitohet diçka apo të shkaktohet dëm i caktuar. Kryesi i veprës penale nuk kryen vepra vetëm për të kryer vepër, por që përmes kryerjes së asaj vepre të arrijë edhe një qëllim tjetër si arsye për kryerje të veprës.
Pra, kjo vepër penale konsumohet kur personi zyrtar ndërmerr veprime të cilat formalisht janë në kuadër të autorizimeve të tij, por janë të kundërligjshme në aspektin material, ngase janë në kundërshtim me interesat dhe detyrat e shërbimit. Me veprimin e tij kryesi i lë pas dore interesat dhe qëllimet e shërbimit dhe ato i zëvendëson me interesat e veta ose interesat e ndonjë personi tjetër. Ai detyrën dhe autorizimin e tij i shfrytëzon për t’i sjellë vetes a tjetrit çfarëdo dobie ose për t’i shkaktuar tjetrit dëm.
Shembull tipik i keqpërdorimit të këtillë të detyrës zyrtare janë keqpërdorimet lidhur me të ashtuquajturat autorizime diskrecionale, kur personi zyrtar, me rastin e nxjerrjes së ndonjë akti ose të zgjidhjes së ndonjë rasti, është i autorizuar që, në mesin e shumë zgjidhjeve, të zgjedhë atë që është më e arsyeshmja. Nëse personi zyrtar në këtë rast nuk udhëhiqet nga interesi i shërbimit, po vendimin e bazon në ndonjë interes të vetin ose të huaj, ai keqpërdor detyrën zyrtare, edhe pse vepron në kuadër të detyrës zyrtare.
Jo çdo shkelje, përkatësisht çdo tejkalim apo çdo mos përmbushje e detyrave zyrtare konsumon veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit, ngase në mungesë të dashjes, shkeljet e tilla mbesin në kategorinë e shkeljeve administrative.
Vlerësimi i prokurorit
- Pas analizimit dhe shqyrtimit të informacionit të paraqitur si më lartë, të gjitha dokumenteve tjera relevante si pjesë e lëndës si dhe legjislacionit përkatës, nuk është evidentuar ndonjë provë, e cila çon në dyshimin e arsyeshëm se nga personat e paraqitur si të dyshuar, e të cilët ishin pjesëmarrës në cilësi të personave zyrtarë (qoftë në BKS apo BQK), kanë ndërmarrë ndonjë nga veprimet e sanksionuara sipas legjislacionit penal në fuqi, kjo për arsyet e paraqitura si në vijim.
Lidhur me rastin e paditësve M.L. dhe N.M.
- Prokurorja e çështjes vlerëson se nuk është detyrë e Prokurorit të Shtetit që të veprojë si instancë më e lartë gjyqësore në lidhje me vendimet që merren nga gjykatat e rregullta të Kosovës[9], përveç dhe për aq sa ka veprime nga palët në kuadër të procesit gjyqësor, që mund të kenë elemente të ndonjë vepre penale.
Dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale (KPP) nuk rregullojnë çështjet e natyrës administrative apo të fushave të tjera, por me këto dispozita caktohen rregullat që garantojnë se asnjë person i pafajshëm nuk do të dënohet, ndërsa dënimi ose sanksioni tjetër penal mund t’i shqiptohet vetëm personit i cili ka kryer vepër penale sipas kushteve të parapara me Kodin Penal dhe me ligjet tjera të Kosovës në bazë të të cilave janë paraparë veprat penale sipas procedurës së zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme para gjykatës kompetente11.
Prokuroria vetëm mund të shikojë prima facie, nëse procedura në përgjithësi, shikuar në tërësinë e saj, është zhvilluar në mënyrë të ligjshme, ashtu që evidenton veprimet potenciale që mund të hyjnë në domenin penal.
Në raport me veprat penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, qëllimi i dispozitave ligjore të KPP është që të vlerësohet dhe hetohet nëse një individ për qëllime përfitimi për vete apo për të tjerë, ka keqpërdorur detyrën apo autorizimin që i është besuar. Nëse mungon qëllimi i tillë, apo nëse një zyrtar nuk ka vepruar në një mënyrë i udhëhequr nga interesi publik, atëherë edhe nëse konsiderohet se ka pasur shkelje të procedurave dhe dispozitave të ligjeve të natyrave tjera jo penale, ato shkelje duhen trajtuar për nga përgjegjësia administrative, disiplinore apo tjetër, varësisht nga rasti konkret, dhe përmes organeve të parapara me ligjet relevante e jo në aspektin penal[10].
- Në rastin konkret, Prokuroria ka ardhur në përfundimet si më poshtë:
- Është evidente se kemi pasur të bëjmë me një proces gjyqësor civil që ka zgjatur për një periudhë shumë të gjatë kohore, ashtu që nga momenti i ngritjes së padisë, e deri në arritjen e marrëveshjes gjyqësore, kishin kaluar pothuajse nëntë (9) vite. Nga shkresat e lëndës, vërehet se gjatë kësaj periudhe, janë ndërmarrë shumë veprime procedurale, qoftë nga ana e palëve, ashtu edhe nga gjykata, si dhe rasti është apeluar në shkallë të dytë dhe të tretë. Për shkak të kalimit të kohës dhe epilogjeve që kishte pasur kjo lëndë në gjykatë, shuma e vlerësuar nga rrjedha e kamatës ndër vite për palën e paditur-BKS, ka akumuluar vlera të larta (siç është llogaritur nga aktuari i BKS).
- Nga dosja e lëndës, vërehet se janë bërë një mori ekspertizash të lëmive të ndryshme, për të përcaktuar shumat e kompensimit të dëmit dhe të rentës (fitimit të munguar) dhe rezultati nga këto ekspertiza, nuk ka qenë i favorshëm për BKS.
- Sipas kornizës ligjore në fuqi në domenin civil, palët paditëse të këtij rasti, kanë pasur të drejtë inicimi dhe kompensimi për dëmet e shkaktuara. Ndërkaq sa i përket BKS, në bazë të dispozitave të Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe në bazë të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, e njëjta është përgjegjëse për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial për dëmet e shkaktuara nga automjetet pa mbulesë siguruese, automjetet me policë kufitare (sikurse në çështjen konkrete) dhe automjetet e pa identifikuara. Ndër tjerash, personave të dëmtuar nga këto aksidente u takon e drejta në zhdëmtim, sikurse për dëmet materiale ashtu edhe për dëmet jomateriale, përfshirë edhe fitimin e munguar, ashtu që gjatë vlerësimit të lartësisë së fitimit të humbur merret në konsiderim fitimi që ka mundur të pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhjes së rregullt të gjërave ose sipas rrethanave të veçanta, e realizimi i të cilit është penguar nga veprimi i dëmtuesit ose nga lëshimi që të ndërmerr veprimin.
- Nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor në rastin konkret, evidentohen edhe provat të cilat dëshmojnë statusin rreth skemës sociale, si dhe çështjen e punësimit të palëve paditëse (të ardhurave)– prova këto që gjykata i ka marrë të mirëqena dhe provueshmërinë e të cilave e çmuar sipas bindjes së saj të lirë.
- BKS ka ndërmarrë një mori veprimesh në këtë proces, si: a) investigimin në shtetin belg për të pasur pasqyrë të qartë rreth natyrës së lëndimeve dhe faktit se a është në marrëdhënie pune dhe a është përfitues i ndonjë skeme sociale apo invalidore pala paditëse, b) verifikimin në Departamentin Antimashtrim në BKS; c) formimin e grupit punues për trajtimin e rastit; d) konsultimit me mjekët cenzor të saj; e) konsultimit me aktuarin e BKS, qe ka bërë llogaritjet respektive; f) ka bërë kundërshtime ndaj ekspertizave të disfavorshme dhe propozime për nxjerrje të ekspertizave të reja në shqyrtim gjyqësor. Pra, është mëse e qartë se nuk ka pasur pasivizim të BKS në këtë lëndë, përkundrazi janë shteruar të gjitha mundësitë ligjore dhe faktike, në përpjekje që rezultati i lëndës të kthehet në favorin e saj.
- Duke marrë në konsideratë të lartcekurat, menaxhmenti i BKS ka ardhur në përfundim se është më ekonomike që të vazhdohet me marrëveshje jashtëgjyqësore me palën paditëse, ashtu që të evitohet mundësia për kompensim, i cili potencialisht mund të kapte më shumë se dyfishin e vlerës që ishte arritur me marrëveshje.
- Nga veprimet hetimore të autorizuara nga Prokurori i çështjes dhe nga provat e grumbulluara, nuk mund të konkludohet se ndonjë nga të dyshuarit e pretenduar, të ketë tejkaluar përgjegjësitë e tij apo nuk ka përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që do të konsumonte veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, të sanksionuar me KPRK. Po ashtu, nga të dhënat e siguruara nuk janë gjetur prova se ndonjë nga të dyshuarit ka përfituar ndonjë dobi materiale për vete apo për persona të tjerë. Për më tepër, nga dosja e lëndës vërehet se zyrtarët e BKS kanë ndërmarrë veprime në interes të përfundimit sa më të favorshëm të kësaj lënde civile, për BKS.
Lidhur me rastin ndaj të paditurit J.M.
- Sa i përket kësaj pike, siç u shtjellua në përmbledhjen faktike të këtij vendimi, kjo lëndë përmbarimore ka përfunduar me Aktvendimin Ep.nr.315/21, të datës 29.07.2022, të Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm, me të cilin gjykata e kishte pranuar në tërësi si të bazuar, prapësimin e debitorit J.M. dhe e kishte shfuqizuar urdhrin e përmbaruesit privat P.nr.788/21 të datës 26.05.2021.
Në këtë kuptim, pala J.M. nuk është dëmtuar dhe të njëjtit nuk i janë përmbaruar mjetet që pretendoheshin me propozimin për përmbarim të BKS. Siç kishte cekur edhe dëshmitari S.M. në deklaratën e tij, për shkak të numrit të madh të kërkesave për rimbursim, ka mundur që propozimi për përmbarim të përgatitet gabimisht nga stafi i BKS.
- Nga kjo rrjedhë se mund të ketë pasur shkelje të natyrës administrative të cilat janë në kundërshtim me parimin e qeverisjes së mirë, mirëpo në bazë të provave të mbledhura nuk mund të konkludohet se ndonjë nga të dyshuarit e pretenduar, të ketë tejkaluar përgjegjësitë e tij apo nuk ka përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që do të konsumonte veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, të sanksionuar me KPRK. Po ashtu, nga të dhënat e siguruara nuk janë gjetur prova se ndonjë nga të dyshuarit ka përfituar ndonjë dobi materiale për vete apo për persona të tjerë, lidhur me këtë lëndë përmbarimore dhe kjo vërehet edhe nga epilogu që ka pasur kjo lëndë në gjykatë.
Ø Lidhur me pretendimet për keqpërdorimet e BKS nga Fondi i Kompensimit
- Pas analizimit të materialeve të pranuara nga NjIF, BKS dhe BQK, është konstatuar se nuk ka pasur asnjë të dhënë se gjatë vitit 2020, BKS ka paguar marrëveshje (dëme) nga Fondi i Kompensimit, me paratë që kishte ndarë Qeveria e Kosovës në emër të subvencionimit të policave kufitare. Përveç kësaj, BQK, si organ mbikqyrës i BKS, përmes Departamentit për Mbikqyrje të Sigurimeve, kishte bërë ekzaminimet e veta (Raporti Final i Ekzaminimit i datës 31.03.2016, me nr. prot.231, Raporti Final i Ekzaminimit, i datës 02.03.2020, me nr. prot.110 dhe Raporti Final i Ekzaminimit, i datës 12.12.2023, me nr. prot.435-D-23[11]). Për këto të gjetura, është njoftuar menaxhmenti i BQK dhe BKS i është dhënë afat i caktuar për përmbushjen e tyre.
- Prandaj, në këtë kuptim, nuk është evidentuar ndonjë provë, e cila çon në dyshimin e arsyeshëm se personat e paraqitur si të dyshuar, e të cilët ishin pjesëmarrës në cilësi të personave zyrtarë (qoftë në BKS apo BQK), kanë ndërmarrë ndonjë nga veprimet e sanksionuara sipas legjislacionit penal në fuqi, sa i përket çështjeve që kanë qenë objekt i hetimit në këtë lëndë, iniciuar në PSRK nga Policia e Kosovës – DPP Prishtinë, Departamenti
i Hetimeve, Njësia e veçantë e hetimeve, me nr. reference 06/3-188/2022, të datës 13.07.2022 në bazë të informatës së pranuar me numër I-2022-36 nga personi anonim.
Lidhur me miratimin e Statutit të ri të BKS
- Sa i përket pretendimeve fillestare, se Statuti i ri i BKS, ishte miratuar pa aprovimin e BQK, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, është konstatuar se të njëjtat nuk qëndrojnë.Siç u sqarua në përmbledhjen faktike, BQK e kishte dhënë konfirmimin e saj ashtu që më datë 11.03.2020, është bërë miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në Statut, dhe ky dokument është nënshkruar nga A.Xh. – Drejtoreshë e Departamentit për Licensim dhe Standardizim në BQK dhe S.H. – Zv. Guvernator-Mbikqyrës i Financave në BQK (shih dokumentin e BQK, nr. prot.136/2020, të datës 11.03.2020).
- Ndërkaq, sa i përket pretendimeve se në statutin e ri të BKS, kishte dispozita ligjore që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi, Prokurorja e rastit thekson se nuk është organ kompetent për të rishikuar ligjshmërinë e akteve normative, sepse për këtë ekzistojnë mekanizma të tjerë ligjorë. Përveç kësaj, shihet se procesi i miratimit të statutit, ka kaluar nëpër disa filtra, ashtu që u është dërguar për komente secilës zyrë ligjore në kompanitë e sigurimeve, të cilat janë anëtare të asamblesë së BKS dhe në fund është aprovuar edhe nga BQK.
- Rrjedhimisht, nuk është evidentuar ndonjë provë, e cila çon në dyshimin e arsyeshëm se nga personat e paraqitur si të dyshuar, e të cilët ishin pjesëmarrës në cilësi të personave zyrtarë (qoftë në BKS apo BQK), kanë ndërmarrë ndonjë nga veprimet e sanksionuara sipas legjislacionit penal në fuqi, gjatë procesit të miratimit të këtij statuti.
***
Prandaj, nga sa u tha më lartë, duke vepruar konform nenit 11 par. 4 të Rregullores nr.03/2021 për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik ( SMIL) në Sistemin Prokurorial, e në pajtim me nenin nenet 48 dhe 84 paragrafi 2[12] nen paragrafi 2.1 të Kodit Nr.04/L-123 të Procedurës Penale të Kosovës u vendos që rasti në fjalë të mbyllet me anë të këtij Raporti. Në rast se në të ardhmen paraqiten prova apo informacione të reja që do të mbështesnin një dyshim të arsyeshëm për kryerje të veprës penale, PSRK do të ri-fillojë hetimin për rastin në fjalë.
___________________
Ilirjana ÇOLLAKU TAFA
Prokurore e Shtetit në PSRK
Kopje për:
- Në dosje të lëndës;
- Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës;
- Njoftim për Mbylljen e Rastit, Policisë së Kosovës- Njësia e Veçantë e HetimeveDepartamenti i Hetimeve, Prishtinë
Duke vlerësuar kamatën e llogaritur për vlerën sipas mesatares së ekspertizave të treguara si më sipër, dhe atë nga dita e ndodhjes së aksidentit, gjegjësisht nga data 05.08.2011 e deri me 31.12.2013 (kur ka hyrë në fuqi Ligj i ri mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve) me normën mesatare sipas mjeteve të deponuara në bankat afariste mbi një vit pa destinim të caktuar, ndërsa nga data 01.01.2014 e deri në ditën e arritjes së marrëveshjes sipas normës së interesit prej 8% i binte shuma e kamatës në lartësi prej 546,712.61 euro, e cila është llogaritur aktuari i BKS.
Duke llogaritur kamatën për vlerën si më sipër për periudhën nga data 05.08.2011 e deri me 31.12.2013 (kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve) me normën mesatare sipas mjeteve të deponuara në bankat afariste mbi një vit pa destinim të caktuar, ndërsa nga data 01.01.2014 e deri në ditën e arritjes së marrëveshjes sipas normës së interesit prej 8% i binte shuma e kamatës në 1artësi prej 21,522.00 euro, e cila është llogaritur aktuari i BKS.
Për këtë takim, është mbajtur procesverbali e po ashtu është njoftuar me raport të veçantë përkitazi me rastin në fjalë edhe Këshilli Administrativ i BKS.
Duke qenë se nga data e aksidentit e deri në kohën kur është arritur marrëveshja jashtëgjyqësore për mbylljen e këtij rasti, BKS nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për subrogim nga Qendra për Punë Sociale në Belgjikë apo ndonjë sigurim të ngjashëm shëndetësor për kompensimin e pa aftësisë punuese për të dëmtuarin M.L., kjo na bën të kuptojmë se një kërkesë e tillë nuk është paraqitur, edhe në rast se do të paraqitej, kjo kërkesë do të ishte e parashkruar ngase kanë kaluar mbi dhjetë (10) vite që nga koha e aksidentit.
Neni 414 i Kodit nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës
Shih Komentarin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, autorë Ismet Salihu, Hilmi Zhitija, Fejzullah Hasani, Botimi 1, Botuar më 2014 nga GIZ, faqe 1209
Po aty, faqe 1210
Shih po ashtu Udhëzuesin e Veçantë mbi Korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare të Gjykatës Supreme të Kosovës, viti 2021
Kompetencat e Prokurorit të Shtetit janë të përcaktuara në Ligjin për Prokurorin e Shtetit; Ligji për
Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe dispozitat relevante në ligjin e aplikueshëm të KPP 11 Shih po ashtu nenin 1 të KPP nr 08/L-032
Shih fusnotën 9 më sipër, po aty
Për të gjitha të gjeturat potenciale në këto raporte, që nuk ndërlidhen me çështjet që kanë qenë objekt i hetimit në këtë rast, hetuesi i rastit është udhëzuar që të njëjtat të trajtohen ndaras, si lëndë e veçantë dhe për këtë të paraqitet Raport Informues, adresuar Prokurorisë kompetente varësisht nga natyra e veprave penale të dyshuara;
Shih po ashtu parimet e përcaktuara në Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe Udhëzuesin mbi Rolin e Prokurëve miratuar në Kongresin e Tetë të Kombeve të Bashkuara, ku përcaktohet se Prokurorët nuk do të iniciojnë apo vazhdojnë ndjekjen penale apo do të bëjnë cdo përpjekje për të pezulluar procedimin, kur një hetim i paanshëm tregon se akuza është e pabazuar. /Demokracia.com/










