“Skifteri K1-Made in Kosova” nën dyshime, shpërthimi që të gjithë e panë del i rremë

Shpërthimi i dronit që u prezantua si “Skifteri K1 – Made in Kosova” rezulton të jetë i rremë.

Ridvan Aliu nga “Future Minds Academy” ka shpërndarë një video, siç thotë ai të dronit Skifteri K1 “Made in Kosova” që mund të godasë deri në mbi 1000 kilometra largësi.

Megjithatë, analiza e videos nga HIVE, një program për verifikimin e përmbajtjes së krijuar me AI, ka treguar se skena e shpërthimit nuk është reale, por e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale.

Aliu i ka thënë ndëkohë kallxo.com që “goditja është reale, por për çështje sigurie, pjesa e shpërthimit është edituar (invert dhe night vision on)”.

Për KOHA, Muhamet Ajrullahu ka thënë se “goditja është reale, por për çështje sigurie, pjesa e shpërthimit është edituar (invert dhe night vision on)”.

Ndërtuesi që ka në pronësi Future Minds Academy nuk ka treguar për vendin ku u testua.

“Për shkaqe sigurie kaq informata mund t’iu japim: Testimi është bërë prej njërit nga klientët tanë. Droni është ngritur përmes raketës (launcher). Ka qëndruar në ajër mbi 7 orë dhe e kemi goditur objektin pasi që droni ka bërë manovrime në ajër mbi 1.100km… E kuptojmë natyrën e interesimit nga shumë portale por thënë të drejtën nuk e di pse ju dhëmb disa për këtë sukses të vendit tonë”, tha Ajrullahu.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë thënë që nuk kanë informacione për videon.

“Lidhur me dronin e quajtur ‘Skifter K1’, nuk kemi zhvilluar asnjë diskutim dhe nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse. Aktualisht, nuk mund të konfirmojmë detaje shtesë për këtë çështje. Megjithatë, institucionet përkatëse janë duke e përcjellë situatën për të gjitha aspektet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore. Njëkohësisht, inkurajojmë dhe mirëpresim çdo inovacion teknologjik në fushën e dronëve që synon zhvillimin dhe prodhimin vendor në Republikën e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes.

Hije dyshimi për dronin ka ngritur edhe analisti politik, Latif Mustafa.

Përmes një postimi publik, Mustafa ka vënë në dyshim mungesën e transparencës rreth këtij testimi dhe ka theksuar se një zhvillim i tillë nuk mund të kalojë pa mbikëqyrjen e institucioneve zyrtare të sigurisë.

Sipas tij, edhe nëse pretendohet se goditja ka qenë e suksesshme, një test i tillë do të duhej të realizohej në prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it dhe institucioneve përkatëse shtetërore.

Mustafa ngre shqetësimin se ligjërisht qytetarët nuk lejohen të mbajnë armë pa leje, ndërsa në këtë rast flitet për një mjet vdekjeprurës me kapacitete të mëdha, pa asnjë informacion publik për licencë prodhimi apo autorizim nga ushtria.

Ndërkohë, “inxhinieri” Ridvan Aliu në një postim në Facebook e prezantoi dronin si një prodhim të rëndësishëm nga Kosova.

Teksa ndau pamje të dronit, ai tha se i njëjti “u testua nga njëri prej klientëve tanë me saktësi maksimale”.

“Kosova gati të godas nga ajri 1000+ km larg”, shkroi ai mes tjerash./Paparaci