Edhe një tjetër masë të përkohshme vendosi para disa ditësh Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Pas një kërkese nga Lista Serbe rreth procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve, Kushtetuesja bllokoi çdo veprim në Kuvend apo për formimn e qeverisë deri më 30 shtator.
“TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;”, thuhet në vendimin e saj.
Kjo mjaftoi dhe pushteti u hodh në sulm.
Së fundmi Vetëvendosje e mandatoi Kurtin për kryeministër, e ky i fundit kur mori fjalën, sulmoi Gjykatën Kushtetutese, opozitën, mediat, Prokurorinë, të gjithë.
“Gjykata Kushtetutese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes. Mëqe tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe. Pa arsysheshëm, besoj unë dhe kërkoj që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri më 30 shtator.
Kjo është ngjajshëm sikur ministri ynë i Shëndëtësisë, Arben Vitia, të lëshoj një vendim mjeksor të ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmën dilemë që e kam është nëse kjo masë është më shumë absurde apo e dëmshme.” – deklaroi Kurti.
Pas Kushtetueses, shënjestra e radhës ishin mediat. Kurti foli për atë që ai e quajti “mjegull dezinformative,” “përsëritje gënjeshtrash,” dhe “luftë hibride” ndaj së vërtetës – duke mos ofruar asnjë shembull konkret, asnjë burim, asnjë citim.
“Pas më shumë se një çerek shekulli, terri informativ nën okupim të egër të Serbisë, është zëvendësuar me një mjegull dezinformative në kushtet e lirisë. Këtë kaos prej mjegulle po gjejnë vend lajmet që shpeshherë nuk ua dimë as burimin prej nga vijnë ato. Sot nuk është problemi as te identifikimi i gënjeshtrës sepse nuk po fshihen më nga ajo, por te përsëritja e vazhdueshme e saj.
Ai pati fjalë edhe për opozitën, duke i akuzuar se kanë tentuar në çdo formë ta bllokojnë. Megjithatë, reagimet nga partitë në opozitë ishin të menjëhershme duke e akuzuar Kurtin se ai vetë ka qenë dhe mbetet bllokuesi.
Por, ajo që nuk po bën zë në këtë hallakamë politike, është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Deri më tash, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Madje, deklaronte se zyra e saj ligjore po e analizon situatën në Kuvend, duke lënë të kuptohet se edhe mund ta mandatojë Kurtin për kryeministër.
Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.