Një valë zjarresh shkatërruese kanë shpërthyer në rajone të ndryshme të Turqisë ditët e fundit duke shndërruar mijëra hektarë tokë në hi. Nën kërcënim janë banesat, pronat dhe burimet e vlefshme natyrore.
Mediat turke raportojnë se erërat e forta dhe kushtet e vështira të motit po e bëjnë të vështirë për forcat zjarrfikëse të shuajnë flakët, ndërsa mijëra zjarrfikës dhe mjete ajrore po luftojnë për të kontrolluar frontet e zjarrit.
Një vatër e madhe raportohet në Izmir ku janë evakuuar 5 lagje të qytetit pasi flakët kanë hyrë në zonat e banuara. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve, helikopterëve dhe ekipeve të Shërbimit Pyjor, flakët u vunë disi nën kontroll, por rreziku mbetet.
Erërat e forta, që arrijnë nga 70 deri në 117 kilometra në orë, po e bëjnë punën e zjarrfikësve dukshëm më të vështirë. Aktualisht, një total prej 1113 personash po punojnë në frontin e zjarrit, me ndihmën e 122 automjeteve zjarrfikëse, 74 cisternave të ujit dhe 84 makinave të zhvendosjes së dheut.