‘Skema’ e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it

Një letër e dalë nga KEDS për Prokurorinë, ngre dyshime mbi një skemë të përgatitur që përfshin dhënien e tenderëve për dy kompanitë, “As Power” dhe “Lurn sh.p.k”. Buletini Ekonomik ka verifikuar disa prej këtyre pretendimeve.

“As Power” dhe “Lurn sh.p.k” nuk e kanë të përbashkët vetëm veprimtarinë biznesore si kompani të shtyllave të betonit.Të dyja kanë përshkruar aktivitete gati të njëjta në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) me rastin e regjistrimit si biznese. Por ato i bashkon edhe një gjë tjetër: Tenderët në Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Gati të gjithë tenderët për investime kapitale në KEDS nga viti 2018 lidhen me emrat e këtyre dy kompanive. Duke filluar nga shtyllat e betonit, trafot, largpërçuesit, transformatorët e deri të ndërrimi i njehsorëve elektrikë.

Një letër e dalë nga KEDS për Prokurorinë, vitin e kaluar, në të cilën Buletini Ekonomik ka siguruar qasje, ngre dyshime për mënyrën e dhënies së tenderëve nga KEDS si dhe për lidhjet e mundshme mes këtyre kompanive me disa prej shefave në KEDS.

Letra qe i shkoi Prokurorise

“As Power” si biznes në Kosovë u regjistrua pak muaj pas pandemisë, saktësisht në muajin tetor të vitit 2021. Që në vitin e parë të regjistrimit, As Power filloi furishëm punën me tendera në KEDS. Sot, pothuajse secili tenderë për montimin e shtyllave të betonit, trafove, transformatorëve e largpërçuesve kontraktohet përmes As Power.

Lurn Sh.p.k është kompania tjetër që, bashkë me As Power, i dominojnë tenderat në KEDS, sipas një hulumtimi disa mujor që Buletini Ekonomik ka realizuar mbi investimet kapitale në rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike. Lurn si biznes është regjistruar 3 vjet më herët se As Power, përkatësisht në vitin 2018.

Edhe Lurn Sh.p.k si veprimtari kryesore i ka shtyllat e betonit, por në KEDS, kjo kompani merr tendera edhe për renovim të objekteve, montimin e njehsorëve elektrikë, e deri të ndërtimi i kapaciteteve për energji solare.

Ndryshe nga As Power ku puna kryesore e saj sillet rreth tenderëve në KEDS, Lurn sh.p.k është kompani me prezencë në aktivitete të prokurimit për shumë institucione publike në Kosovë.

Ajo që bie në sy kur analizohet veprimtaria e të dyjave, është ngjashmëria në listën e aktiviteteve biznesore të vendosura me rastin e regjistrimit si biznese në ARBK. Aktivitetet i kanë të ngjashme në së paku 10 sosh të listuara.

Në listën e aktiviteteve të dyja thonë se merren me: “prodhimin e produkteve prej betonit”; “instalimet elektrike”; “punime suvatimi”; “punimet e kulmit”; “instalime të tjera ndërtimore”; “përfundimi dhe finalizimi i punëve të tjera të ndërtesave”; “aktivitete të tjera të specilaizuara ndërtimi”; “ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore”; “punime hidraulike, instaslime të ngrohjes dhe kondicionimit të ajrit”; “ndërtimi i rrugëve dhe autostradave”.

Nga hulumtimi është kuptuar se këto dy kompani i mbulojnë gati të gjitha punët në KEDS, ani pse në këtë kompani punojnë mbi 2 mijë punëtorë.

Përkundër insistimit, KEDS nuk i ka dhënë qasje mediumit në tenderët që këto dy kompani kanë fituar ndër vite. Për këtë nuk ka ndihmuar as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të cilës Buletini Ekonomik ju ka drejtuar me kërkesë për qasje në dokumente publike.

Ajo që dihet është se dhënia e tenderëve nga KEDS nuk i është nënshtruar deri tani rregullave të prokurimit publik të Kosovës, edhe pse për këtë e obligon licenca. Një raport i GAP-it rekomandon që KEDS duhet ta zbatojë licencën tek pjesa e prokurimit publik.

Në uebfaqe, KEDS publikon vetëm njoftimet për kontratë, por më pas nuk i publikon kompanitë fituese dhe dokumentet tjera që dëshmojnë se ka pasur garë ‘fer’ mes kompanive. E vetmja gjë që publikohet është njoftimi për kontratë.

Nga KEDS nuk kanë dhënë përgjigje se pse nuk i publikojnë dokumentet e plota për tenderët.

Letra ‘zbulon’ skemën

Letra nga KEDS që i shkoi vitin e kaluar Prokurorisë, i lidhë emrat e këtyre dy kompanive me shefat e KEDS-it.

Nga hulumtimi disa mujor, Buletini Ekonomik ka verifikuar disa nga pretendimet e përfshira në këtë letër, përmbajtja e së cilës, sipas burimeve, po hetohet edhe nga Prokuroria.

Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një qëndrim zyrtar nga Prokuroria Themelore, të cilët fillimisht kanë kërkuar më shumë detaje për përmbajtjen e letrës, por më vonë nuk kanë kthyer përgjigje.

Ekzistencën dhe përmbajtjen e letrës, Buletini Ekonomik e ka verifikuar edhe nga bisedat më shumë punëtorë në KEDS. Letra ishte shpërndarë edhe në objektin e KEDS si “fletushkë”, por ishte “izoluar” nga menaxhmenti shumë shpejt.

“Letra ka qenë për disa muaj tema kryesore mes punëtorëve në KEDS. Ka pasur edhe një hetim nga menaxhmenti se kush ka mundur ta shkruajë letrën”, ka thënë në kushte anonimiteti njëri nga punëtorët e KEDS, prej shumë sosh, me të cilët Buletini Ekonomik ka qenë në kontakt gjatë kohës së hulumtimit.

“Për neve që punojmë këtu letra nuk ka qenë befasi. Secili punëtorë në KEDS është në dijeni për këto dy kompani. I shohim vazhdimisht në KEDS”, ka thënë një punëtor tjetër.

Në letër përmenden për afërsi me këto dy kompani, shefat kryesor në KEDS si Alpin Dogan, Kryeshefi Ekzekutiv dhe Bujar Jupaj, ish-drejtor i Sistemit të Operimeve.

Për Dogan, në letër thuhet se “qëndron prapa” Lurn Sh.p.k sa i përket tenderëve që kjo kompani merr në KEDS. Ndërsa, për Jupajn pretendohet për lidhje me kompaninë tjetër, As Power.

Lidhur me këto pretendime nga KEDS nuk kanë kthyer përgjgije përkundër insistimit të mediumit, derisa Jupaj ka mohuar çfarëdo lidhje me kompaninë As Power.

As Power, nën hijen e KEDS

Edhe pas gati 15 vitesh prej kur është privatizuar Distribucioni, ZRrE ende nuk e ka kryer një auditim të pavarur rreth investimeve kapitale që KEDS ka kryer në Rrjetin e Shpërndarjes të energjisë elektrike. Me kontratë, parashihet që KEDS do t’i investojë 300 milionë euro, ndërsa deri tani është thënë se janë investuar mbi 200 milionë euro.

Kategoria e investimeve kapitale e ka peshën më të madhe në faturat e energjisë elektrike për konsumatorët e rrymës në Kosovë.

Pikërisht në kuadër të investimeve kapitale, kompania As Power i fiton tenderët në KEDS. Përveç hyrjes furishëm me tendera qysh në vitin e parë kur u regjistrua si biznes, drejtori i kësaj kompanie Altjon Shehaj, në një bisedë me Buletini Ekonomik, indirekt ka pranuar se funksionojnë si kompani nën hijen e KEDS-it. Sipas tij, të gjitha pajisjet, duke filluar nga trafot, largpërçuesit e deri të transformatorët, i marrin të gatshme nga KEDS, derisa kompania e kryen vetëm “punën e dorës”.

As Power

“Ne tenderin që e marrim e kemi pa material, materialin e marrim nga KEDS-i, ne kemi vetëm punën e dorës, të gjitha i furnizon KEDS-i, kabllat i furnizon KEDS-i, largpërçuesit, trafot, të gjitha, çdo gjë prej A deri në ZH furnizohet nga KEDS-i. Ne vetëm i marrim në depo dhe i montojmë”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për përvojën dhe si u bë që kompania filloi me tendera në KEDS sapo ishte regjistruar si biznes, Shehaj është arsyetuar duke thënë se “kemi punuar në fillim si nënkontraktorë në KEDS”, para se të marrin “punë më të rënda”.

Ai thotë se është në dijeni për letrën që i ka shkuar edhe Prokurorisë. “Eshtë përhapur në gjithë KEDS-in se dikush po shpërndanë letra, por nuk kam qenë në dijeni që qenka edhe emri i kompanisë time në ato letra”, thotë Shehaj.

Në letrën e dalë nga KEDS, për Shehaj thuhet se është i afërt me njërin nga shefat në KEDS, Bujar Jupaj, ish-drejtorin e Sistemit të Operimeve. Në letër thuhet se pronari i kompanisë As Power e ka thënë hapur në disa raste, se “Bujari është këtu”, duke aluduar se qëndron “prapa kompanisë”.

Shehaj ka pranuar se ka njohje me Jupajn, por këtë “njohje” e ka reduktuar vetëm në raport të punës profesionale. Në anën tjetër, Jupaj fillimisht ka mohuar krejtësisht se e njeh Shehajn kur është pyetur lidhur me pretednimet që dalin nga letra.

“Jo jo, nuk e njoh, as nuk kam pas kurrë me të komunikime”, ka thënë shkurt Jupaj. Por e ka ndërruar qasjen, kur është ballafauar me deklaratrën e Shehajt i cili thotë se “e njeh e Jupajn”.

“Une thash kurrë s’kam pasur komunikim, ka mujt me qenë pjesë e naj organizimi, po kështu komunikim absolut jo”.

Në letër ngritën edhe pretëndime për shpëlarje parash dhe investime të dyshimta në sektorin e ndërtimit, por këto pretendime Buletini Ekonomik nuk ka arritur t’i verifikojë. Nga burime të sigurta, mësohet se për këtë një hetim është duke u zhvilluar Prokuroria.

“Lurn” – nga shtyllat e betonit deri te njehsorët elektrikë

Për kompaninë tjetër Lurn Sh.p.k, në letër thuhet se e ka mbështetjen e Kryeshefit Ekzekutiv të KEDS, Alpin Dogan dhe Këshilltarit Ekzekutiv, Fidan Dushi. Aty përmenden tenderët që “Lurn” ka fituar ndër vite në KEDS, pa i përfillur, siç thuhet, procedurat e prokurimit.

“Kompania “Lurn sh.p.k” në KEDS shpërblehet me secilën kontratë që e dëshiron, kjo lehtë vërtetohet duke parë që kjo kompani vetëm në vitin 2024 është shpërbleyer me miliona euro kontrata nga KEDS”, thuhet në letër.

Në vitin 2024, Lurn kishte filluar me prodhimin e shtyllave të betonit për KEDS. Në po të njëjtin vit, sipas, letrës është bërë furnitori kryesor dhe i padiskutueshëm i shtyllave të betonit në KEDS.

“Duke lënë kështu prapa shumë kompani tjera dhe duke u lënë stoqet plot me shtylla të betonit edhe me cmime shumë më të lira kompanitë më serioze në këtë lëmi”, thuhet në letër.

Buletini Ekonomik ka arritur t’i verifikojë disa prej këtyre pretendimeve.

Pronari i “Lurn”, Besart Hasanaj ka pranuar se janë prezent me shumë tendera në KEDS, përfshirë këtu edhe atë për shtyllat e betonit. Ka thënë se diku 20 për qind të punëve si kompani i kanë nga KEDS-i.

Përveç shtyllave të betonit, Lurn kryen edhe renovim të zyrëve në objektet e KEDS, si dhe merret me ndërrimin e njehsorëve elektrikë. Kjo vërtetohet nga postimet në kompanisë, ku janë bërë publike shumë nga punimet për KEDS.

Lurn

Në letër thuhet se po në vitin 2024, Lurn është shpërblyer me kontratën tjetër nga KEDS në vlerë prej 3 milionë euro, për ndërrimin e njehsorëve elektrikë. Ndërrimi i njehsorëve elektrikë është një nga projektet kapitale me të mëdhat për KEDS. Për këtë aktivitet, në letër thuhet se kompanitë tjera në treg nuk e kanë pasur as mundësinë e ofertimit.

Hasanaj kur është pyetur për këtë ka pranuar se janë angazhuar për ndërrimin e njehsorëve elektrikë, por ka thënë se “vetëm si nënkontraktorë”. Ai ka mohuar se nuk ka pasur garë mes kompanive për këtë aktivitet të prokurimit. Se a ka pasur garë, KEDS nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara.

Ndërsa në uebfaqen e KEDS, për këto aktivitete të prokurimit, nuk publikohen dokumentet e plota. Aty figuron vetëm dosja e tenderit, apo njoftimi për kontratë, por nuk tregohen kompanitë që kanë marrë pjesë në garë dhe kompania fituese.

Lurn, nga të dhënat e hulumtuara, shihet se ka qasje të lehtë edhe në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Në fillim të këtij viti, kjo kompani mori autorizim nga ZRRE për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhim të energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet të instaluar prej 483.12 Kë në Shajkovc të Podujevës.