Skema e “pasaportës së artë” e Maltës shpallet e paligjshme nga gjykata e BE-së

Vendimi i shumëpritur do të thotë se programi që u lejonte njerëzve të jetonin dhe punonin në bllok duhet të hiqet.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur që skema e “pasaportës së artë” e Maltës është e paligjshme.

Çka nënkupton se programi duhet të hiqet.

Në një vendim të shumëpritur, gjykata e lartë e BE-së arriti në përfundimin se skema e shtetësisë së investitorëve të Maltës ishte në kundërshtim me ligjin e BE-së.

Gjyqtarët kanë thënë se skema përfaqësonte një “komercializim të dhënies së shtetësisë së një shteti anëtar” dhe, si rrjedhojë, shtetësisë së BE-së, e cila ishte në kundërshtim me ligjin evropian.

Malta kishte rrezikuar besimin e ndërsjellë midis shteteve anëtare të BE-së të nevojshëm për të krijuar një zonë pa kufij të brendshëm, ka argumentuar gjykata.

Gjyqtarët shqyrtuan një skemë të vitit 2020 që u lejonte njerëzve që kishin dhënë deri në 750 mijë euro në Maltë dhe – në teori – kishin kaluar 12 muaj në vend, të fitonin shtetësi.

Me një pasaportë malteze, personi fitonte shtetësinë e BE-së dhe lirinë për të jetuar dhe punuar kudo në union.

Skema, e cila e ka origjinën në një ligj të vitit 2013, është kritikuar prej kohësh nga aktivistët e transparencës, të cilët thanë se hapte derën për pastrim parash, korrupsion dhe rreziqe sigurie.

Në vitin 2021, një hetim i The Guardian zbuloi se multimilionerëve me lidhje minimale të vërteta me Maltën po u jepej shtetësia, ndonjëherë duke kaluar vetëm tre javë në vend.

Një sërë emailesh nga Fondacioni Daphne Caruana Galizia të ndara me mediat ndërkombëtare zbuluan se shumë njerëz që pretendonin të ishin banorë i linin bosh pronat e tyre me qira në Maltë.

Komisioni Evropian nisi procedurat ligjore kundër Maltës dhe Qipros në tetor 2020 për shitjen e “shtetësisë së BE-së”.

Qiproja njoftoi se po e mbyllte skemën pak para se të niste çështja, por qeveria e Maltës ishte sfiduese. Në parashtrimet drejtuar gjykatës, argumentoi se kishte kompetencë ekskluzive për të dhënë shtetësi, kështu që kishte të drejtë të drejtonte skemën.

Duke iu përgjigjur vendimit, qeveria e Maltës ka thënë se po studionte implikimet ligjore, “në mënyrë që kuadri rregullator mbi shtetësinë të mund të përshtatet me parimet e përcaktuara në vendim”.

Por gjithashtu lavdëroi përfitimet e skemës, duke thënë se kishte gjeneruar më shumë se 1.4 miliardë euro të ardhura për qeverinë që nga viti 2015.