Skandaloze: Qeveria në ikje e Kurtit i del në mbrojtje të arrestuarit, Hekuran Nikçit, duke e quajtur “profesionist”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj arrestimit të kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, i cili ishte emëruar kundërligjshëm në këtë pozitë, duke i dalë atij në mbrojtje.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar që të tregohen raste ku një person është arrestuar për çështje administrative.

“Prokuroria arreston dhe kërkon paraburgim për Hekuran Nikçin, Kryeinspektorin e Punës, për çështje administrative – shkarkimin e një personi. Le të ma gjen dikush një rast të vetëm në Kosovë, kur dikush është arrestuar për një çështje të tillë?!”, ka shkruar Murati në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka përmendur dy raste në të cilat prokuroria s’ka ndërmarrë asnjë veprim.

“Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për nënshkruesit e dëmit mbi 100 milionë euro të kontratës kolektive. Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për ministrin e LDK-së që e vazhdon paligjshëm licencën për terminalin e devollëve”.

Sipas tij, “nëse Pal Lekaj mund të gjykohet në liri për rastin e 53 milionëve, si mund të arsyetohet mbajtja në paraburgim e një profesionisti si Hekuran Nikçi për çështje krejtësisht administrative?”.

Murati ka theksuar se ka shpresa tek vendimi i gjykatës që të marrë parasysh situatën.

“Nesër qenka seanca ku shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim për 30 ditë, e uroj e shpresoj që së paku Gjykata të marrë parasysh situatën e të korrigjojë këtë arbitraritet të Prokurorisë”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi, dhe zyrtarin e të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, Naim Shalaku, të cilët u ndaluan nga Policia e Kosovës të enjten për 48 orë, pasi u intervistuan nga Departamenti i Krimeve Ekonomike.