Skandali me subvencione, Peci-opozitës: Kriminela, s’mund të më ndalni as me ujë e as me plumba

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas skandalit të 100 mijë eurove me subvencione, që iu dhanë vëllait të Fitore Pacollit në formë granti, si dhe këshilltarit të tij, Naim Huruglicës.

Në një reagim të bërë në Facebook, Peci ka thënë se nuk mund ta “ndalin as me ujë e as me plumba”, ndërsa i ka quajtur shpifje e akuza ato që janë publikuar në media këto ditë.

Sipas tij, sulmi është nisu nga PDK-ja, ndërsa LDK-ja “e bitisi” dhe në fund PDK-ja po kërkon shkarkime, teksa ju thotë edhe “kriminela”.

“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve! E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela”, shkruan Peci.

Ministri Peci thotë se deri tani ka treguar etikë dhe tani e tutje do t’i demaskojë opozitën si asnjëherë tjetër.

Ai thotë se ai po sulmohet qëllimshëm pasi ka ndryshim radikal në sektorin e bujqësisë.

“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoj si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar Peci.