Skandali me rezerva, LDK: Kompani të favorizuara me fryrje çmimesh – u dëmtua buxheti

Lidhja Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media ka folur rreth aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari për rastin e Rezervave shtetërore.

Alban Zogaj, deputeti i LDK-së, tha se ky rast ka të bëjë me favorizime të kompanive, çmime të fryra, si dhe procedura me negocim, transmeton Klankosova.tv.

“Në këtë rast, e gjithë kjo është në kundërshtim me ligjin e Prokurimit, por edhe me ligjet tjera. Në këtë kontratë të negociuar, që ne e quajmë edhe kontratë sekrete, çmimi i kontraktuar i grurit ishte 483 euro për ton, kurse çmimi real i tregut në atë kohë, sipas të dhënave të Doganës ishte 290 euro për ton. Pra diferenca apo dallimi në çmim diku rreth 193 për ton, e ku dëmi total i shkaktuar ndaj buxhetit të vendit dhe taksave të qytetarëve tanë është rreth 2 milionë euro në tërësi, vetëm nga ky element i kontratës”, thotë Zogaj.

“Në këtë kontratë kemi gjithashtu të bëjmë me kompani të favorizuara, të cilat as nuk i kanë plotësuar kushtet minimale për të ofertu këto produkte, njëra prej tyre ka qenë kompani e ndërtimit, por normalisht e lidhur ngushtë me njërin nga të pandehurit, me emrin Ridvan Muharremi”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pos Hajdarit me akuza për këtë çështje përballen edhe ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica, drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në këtë Ministri, Hafiz Gara dhe afaristit Ridvan Muharremi.

Dëmi që iu shkaktua buxhetit të Kosovës në rastin e “Rezervave shtetërore” llogaritet të jetë afro 3 milionë euro.