Skandali i rezervave | Populli e ndëshkon me votë ministren Hajdari, tregon rezultat të dobët në zgjedhje

Ministrja e Industrisë, Ndëmrarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, rrezikon të mos bëhet deputete, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje i kishte dhënë një numër goxha lartë në listën e tyre për zgjedhjet e nëntë shkurtit.

Ani pse kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e ndëshkoi për skandalin e rezervave shtetërore, një gjë të tillë e bëri elektorati, duke i dhënë vetëm rreth 14 mijë e 300 vota.

Kurti, jo vetëm që nuk e kishte ndëshkuar, por e kishte mbrojtur ministren në detyrë, pas publikimit të audio-incizime që dëshmonin skandalin me rezervat shtetërore.

Madje ai kishte xhiruar një video, të cilën më pas do ta publikonte në Facebook, e ku mes tjerash deklarohej se “i beson plotësisht ministres Hajdari”.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, thoshte Kurti.