Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme.
Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm për t’ua lehtësuar familjeve me ekonomi më të dobët blerjen e veturave, pasi sipas tij, jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.
Megjithatë, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ftoi deputetët që ta kundërshtojnë votimin e këtij plotësim/ndryshimi të ligjit, duke e quajtur propozimin e Lushtakut si joprofesional. Ajo njëherësh theksoi se Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshimet profesionale në këtë ligj dhe se deputetët duhet të presin ato ndryshime.
Në fund thirrja e deputetes Pacolli pati efekt, pasi 52 deputetë të mazhorancës votuan kundër, derisa vetëm nëntë deputetë votuan për.