Dy ditë më parë është djegur bunkeri i pikës 6 të UÇK-së në Jezerc të Ferizajt, por akoma nuk është arrestuar ndonjë person i dyshuar. Policia e Kosovës thotë se hetimet po vazhdojnë, por derisa motivet ende nuk dihen, Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se ky veprim është akt kundër trashëgimisë kombëtare.
Istikamet të cilat i përdorën ushtarët e UÇK-së i përdorën para 26 vjetësh këtu në Jezerc të Ferizajt janë ashtu siç kanë qenë.
Por, jo edhe bunkeri që ishte përdorur nga ta, i cili pas luftës në Kosovë ishte rindërtuar.
“Krejt çka ka mbetur nga bunkeri i Pikës së 6-të i cili u përdor nga UÇK këtu në Jezerc, është kjo që shihet prapa meje meqë dikush dy ditë më parë dikush e ka djegur”.
Policia e Kosovës menjëherë ka filluar hetimet, por përkundër që kanë kaluar dy ditë, ende asnjë person nuk është arrestuar për rastin i cili tek ta u raportua një ditë më vonë.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, patrulla dhe hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet një hetim zyrtar për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e incidentit. Hetimet janë në vazhdim”-Policia e Kosovës.
Në degën e Organizatës së Veteranëve të UÇK në Ferizaj ka indinjatë për djegien e bunkerit, i cili thonë se ai është simbol i qëndresës dhe rezistencës së popullit të Kosovës.
“Realisht nuk e dimë se si ka ndodh ajo, uroj që ajo të ketë ndodh prej rastit, apo prej mos kujdesisë sepse në atë vend kanë qasje shumë qytetarët dhe vizitohet prej shumë prej tyre, sepse po të ketë motive tjera është e papranueshme”, ka thënë Afrim Mehmeti, Kryetar i OVL-UÇK në Ferizaj.
Kryetari Mehmeti thotë se bunkeri mund të rregullohet por që është e rëndësishme që ajo të ruaj origjinalitetin e saj.
“Po mundemi me ri-përpunu prapë se edhe ashtu nuk ka qenë e ruajtur bash ashtu siç ka qenë në kohen e luftës, ajo ka qenë e rindërtuar si projekt në kuadër të parkut memorial”, ka thënë Afrim Mehmeti, Kryetar i OVL-UÇK në Ferizaj.
Ky park ishte përuruar në vitin 2020.