S’ka kuorum: Dështon formimi i Komisionit Hetimor për rrymën, votojnë veç tre deputetë

Pas shumë diskutimeve, në Kuvend nuk është miratuar formimi i Komisionit Hetimor për Energjinë.

Dështimit të formimit të këtij Komisioni i ka paraprirë një debat i ashpër mes pozitës dhe opozitës, me akuza dhe kundër akuza.

Kjo për shkakun se Komisioni që u tentua të miratohej sot në Kuvend, sipas propozimit të VV-së, do të duhej të hetojë keqpërdorimet e mundshme në sektorin e energjetikës që nga shpallja e pavarësisë.

LDK ka propozuar për kryetar komisioni Driton Selmanaj, teksa anëtar deputetin Besian Mustafa.

PDK ka propozuar për zv/kryesues, Ferat Shalën, ndërsa anëtare Eliza Hoxhën.

AAK ka propozuar për anëtar Pal Lekajn.

VV nuk ka propozuar asnjë emër për Komisionin.

Ndërkaq, propozim s’ka dhënë as Grupi Multi Etnik.

Megjithatë, nga 61 deputetë, kanë votuar vetëm tre deputetë, dhe të tre kanë abstenuar.

Me këtë, konstatohet se nuk ka pasur kuorum për formimin e Komisionit, teksa seanca do të vazhdojë nesër.