Përveç Kadri Veselit, lirim të përkohshëm nga paraburgimi në Hagë kanë kërkuar edhe Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Madje për këtë të fundin, mbrojtja e tij e kishte përmendur që ai kërkesa të tilla s’kishte bërë as kur iu ishte dashur siç ka qenë për rast të sëmundjes së vëllait, martesës së dy fëmijëve të tij dhe lindjes së dy nipërve/mbesave.
Mbrojtja e Krasniqit duke kërkuar lirimin e përkohshëm për klientin e tij thotë se privimi i zgjatur i nga liria është barrë e rendë kundër vazhdimit të paraburgimit veçanërisht që ende s’ka ndonjë dënim dhe ai prezumohet i pafajshëm.
Sipas mbrojtjes, vazhdimi i paraburgimit për Krasniqin në këto kushte aktuale mund të perceptohet si një dënim paraprak që shkon kundër prezumimit të pafajësisë dhe do të dëmtonte të drejtat që formojnë themelin e një gjykimi të drejtë.
Ata thonë se nuk ekziston asnjë formë konkrete ose e besueshme që Krasniqi mund të ndikojë tek dëshmitarët pas mbylljes së provave nga ZPS-ja ashtu qysh edhe pretendon pala akuzuese.
Si rrjedhojë, argumentet e tilla, mbrojtja i quan spekulative dhe pa asnjë bazë faktike.
Mbrojtja thotë se prania e Krasniqit në Kosovë do të përmirësonte aftësinë e mbrojtjes për të marrë udhëzime dhe për të realizuar hetime të nevojshme për t’u përgatitur për çështjen e saj.
Përfaqësuesit e Krasniqit kërkojnë edhe shqyrtim human të kësaj kërkesë duke u nisur edhe nga mosha e tij. Ndërsa, disa aspekte të tjera të cilat mbrojtja i ka përmendur janë të redaktuara për publikun.
Madje, një rrethanë familjare që mbrojtja e përmend gjatësinë e privimit nga liria të Krasniqit është edhe lindja e dy mbesave të tij.
“Që nga fillimi i paraburgimit të tij janë lindur dy mbesa. Z. Krasniqi tani kërkon të kthehet tek familja e tij me dinjitet dhe të kalojë kohë kuptimplotë me familjen e tij që po rritet – një nxitje që vetëm e forcon motivimin e tij për të përmbushur çdo kusht që Paneli mund të vendosë”, thuhet në kërkesën për lirimin e Jakup Krasniqit.
Veç kësaj, mbrojtja përmendi konstatimet e vazhdueshme të gjyqtareve se s’ka informacione të mjaftueshme që mbështesin argumentet e ZPS-së që Krasniqi mund të arratiset nga drejtësia. Madje, mbrojtja thotë se këtë rrezik ende më shumë e ulë mosha e avancuar e Krasniqit dhe lidhjet e forta personale dhe familjarë në Kosovë.
Sipas mbrojtjes, Krasniqi nuk kishte kërkuar lirim as për shkak të sëmundjes së vëllait të tij, as kur iu martuan dy fëmijët e as kur i lindën fëmijët e fëmijëve.
Si rrjedhojë, Krasniqi tani po e kërkon lirimin e përkohshëm për t’u kthyer tek familja e tij dhe për t’i marrë përgjegjësitë familjarë me dinjitet.
Veç kësaj, mbrojtja argumenton se meqë Prokuroria ka mbyllur çështjen e saj nuk qëndron argumenti që Krasniqi mund të ndikojë tek dëshmitarët pasi që s’ka të tillë që mund të jenë subjekt i ndërhyrjes.
Ndërsa, spekulativ e a quajtur pretendimin e Prokurorisë se dëshmitarët që kanë dhënë tashmë dëshmi mund të tërhiqen ose ta ndryshojnë atë.
Si argument të saj për të mbështetur lirimin e përkohshëm të Krasniqit, mbrojtja e ka përmendur edhe respektimin e kushteve të lirimit të përkohshëm ndaj klientit të saj në vjeshtën e 2024-ës.
Veç kësaj, Mbrojtja e Krasniqit thotë se Policia e Kosovës ka konfirmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj për të monitoruar dhe zbatuar çdo kusht që vendoset nga gjykata.
“Procedurat tani po kalojnë në një fazë të re, ku Mbrojtja do të angazhohet aktivisht në përgatitjen e çështjes së saj. Shumica e punës hetimore dhe përgatitore duhet të ndodhë jashtë Hagës, veçanërisht në Kosovë. Vlerësimi i proporcionalitetit duhet të marrë parasysh të drejtën e Z. Krasniqi për kushte të përshtatshme për të përgatitur mbrojtjen e tij. Për të siguruar pjesëmarrjen e tij të plotë dhe të kuptueshme në këtë fazë të procesit, është e domosdoshme që t’i lejohet të kthehet në Kosovë nën kushte të përshtatshme”, thuhet në kërkesë.
Mbrojtja e Veselit: ZPS po mbështetet në akuza të vjetra dhe spekulime, ai duhet të lirohet përkohësisht
Në përgjigjen e tij të dorëzuar me 22 prill 2025 të Veselit, ndaj kundërshtimit të Prokurorisë për lirim të përkohshëm në Kosovë, Veseli thotë se Prokuroria ka dështuar të tregojë se ekzistojnë ende rreziqë reale sipas nenit 41 (6) lidhur me të akuzuarin në këto procedura.
Sipas mbrojtjes së Veselit, përgjigja e Prokurorisë mbështetet në akuza të vjetra dhe spekulime të përgjithshme për të justifikuar vazhdimin e ndalimit të klientit të saj.
Ata thonë se Prokuroria po përpiqet vazhdimisht por pa sukses që të argumentoj se trupi gjykues duhet të rishikojë gjetjet e tij lidhur me rrezikun për arratisje të Veselit. Dhe si rrjedhojë, sipas tyre edhe Prokuroria po dështon të ngrisë shqetësime të arsyetuara lidhur me lirimin e përkohshëm të Veselit.
Në përgjigjen e saj, mbrojtja thotë se duhet të miratohet kërkesa për lirimin e Veselit.
Sipas mbrojtjes nuk ka pasur asnjëherë pretendime se Veseli ka qenë i përfshirë për të ndikuar tek ndonjë dëshmitarë dhe as që ka keqpërdorur pozitat e tij në Kosovë për të ndikuar ashtu siç Prokuroria sugjeron që mund ata bëjë.
Mbrojtja argumenton se tashmë çështja e Prokurorisë është mbyllur dhe çdo rrezik për ndërhyrje të dëshmitarëve është ndjeshëm më i ulët nëse nuk është zhdukur plotësisht.
Megjithatë, ata thonë se këto mund të menaxhohen mjaftueshëm përmes kushteve të lirimit të përkohshëm që mund të iu vendosen të akuzuarit.
Mbrojta ka argumentuar se Policia e Kosovës është e aftë ta bëjë monitorimin e kushteve të vendosura nga gjykata në rast lirimi dhe se profesionalizimi i këtij organi të drejtësisë është konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian.
Ky argument i mbrojtjes kishte ardhur pasi thuhet se Prokuroria ka ngritur shqetësime në lidhje me Policinë e Kosovës dhe me kapacitetet e saj për të menaxhuar lirimin e përkohshëm.
“Prokuroria shpreh shqetësimin për mungesën e informacionit në lidhje me aftësinë e Policisë për të zbuluar mesazhe të koduara. Mbrojtja riafirmon se nuk është sugjeruar kurrë që Z. Veseli ka përdorur mesazhe të koduara. Për më tepër, mbyllja e çështjes së Prokurorisë e bën këtë rrezik edhe më të largët dhe spekulativ”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes.
Mbrojtja e Selimit: Prokuroria po niset nga premisa se mocionet tona mund të jenë të pasuksesshëm
Ngjashëm si mbrojtja e Veselit, edhe ajo e Selimit flet për rrezikun e arratisjes të klientit të saj për çka Gjykata kishte konstatuar se nuk ka informacione të mjaftueshme për t’a theksuar një gjë të tillë.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria argumenton se procesi i ardhshëm që lidhet me mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kërkon që gjyqtarët ta rishikojnë këtë gjetje lidhur me rrezikun e arratisjes.
Mbrojtja e Selimit thotë se ky argument i Prokurorisë nis nga premisa se mocionet e mbrojtjes do të jenë të pasuksesshme prandaj ata po ia kërkojnë gjyqtarëve që në njëfarë forme ta parashikojnë para kohe këtë proces.
Mbrojtja thotë se augmenti i Prokurorisë për të rishikuar konstatimet për rrezikun e arratisjes së Selimit duhet të refuzohet.
Ata thonë se kushtet e propozuara për lirim të përkohshëm janë të mjaftueshme për të adresuar çdo rrezik e po ashtu Selimi mund të ftohet për të shkuar në objektin e paraburgimit pak para se të vendoset në mocionet e mbrojtjes.
Sipas përgjigjes së mbrojtjes, Prokuroria ka argumentuar se pengimi i procedurave në këtë rast mund të ndodhë në çdo fazë gjykimi edhe kur paraqiten provat e Mbrojtësit të viktimave e po ashtu edhe atyre të mbrojtjes. por, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë që Selimi mund të angazhohej në veprime të tilla.
Si rrjedhojë, mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm për Selimin.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/