Zgjedhjet lokale nuk nxorën fitues e as humbës sipas politologut Dritëro Arifit.
Ai për dokumentarin Expose, thotë se Vetëvendosje ka performuar më mirë në këto zgjedhje.
“Votimi i sovranit na ka treguar disa karakteristika interesante në këto zgjedhje, nuk ka fitues absolut, por as humbës absolut. Është reflektim i zgjedhjeve të 9 shkurtit por me disa dallime të vogla. P.sh.: në këtë rast VV ka performuar më mirë në këto zgjedhje sepse ka një shtrirje gjeografike më të mirë në nivel vendi, pra e kemi në 12 komuna në balotazh, ka pak rëndësi nëse del e para apo e dyta, rëndësi ka që performanca e tyre i ka karakterizuar si vendimmarrës, pra si faktor, nuk mund të anashkalohet, kjo i bie që VV ka filluar të bëhet parti serioze, të degëzohet, të shpërndahet, që më herët nuk e ka pasur këtë element. Pra mos të harrojmë që nga viti 2021 pas zgjedhjeve nacionale në zgjedhjet lokale, kemi fiasko në raport me numrat që i kanë pasur në nivel qendror, ndërsa tash edhe pse numrat ndoshta nuk i kanë të nivelit qendror, janë më pak se PDK dhe LDK, por me zgjerim janë më mirë se këto të dyja. Pra kjo është mendoj unë një element pozitiv për VV-në dhe kjo ndoshta në zgjedhjet lokale nuk do të duket me rëndësi për disa por në zgjedhje nacionale kjo mund ta ketë një reflektim më të mirë”, është shprehur ai.
Sipas tij, rezultati thërret për vetëdije politike e partitë duhet të shohin përtej rezultatit numerik dhe të analizojnë cilësinë e fitores apo humbjes. Ai vlerëson se tkurrje të vogël në këto zgjedhje patën LDK e AAK.
“LDK është pak a shumë ka një tkurrje të vogël sepse edhe në ato komuna që ka menduar se e ka bazën kryesore nuk e ka më, sepse është sfiduar pikërisht nga VV, njëjtë edhe AAK, vetëm një komunë e ka fituar bindshëm, është sfiduar ose nga VV ose nga LDK, pra po tregon një tkurrje të vogël, edhe në nivel të asambleve. Kjo duhet të reflektojë te partitë që të ndryshojnë diçka. Nuk mund të shkosh me të njëjtin mentalitet në vitin 2025. PDK ka rritur numrin e asamblistëve por duhet parë ku janë të koncentruar. Pra është një mashtrim optik sepse mund të kesh numra në Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, por në komunat tjera shumë pak relevancë ka PDK. Këtë e kanë kuptuar dhe nuk kanë dashur ta thonë në publik dhe për këtë duhet të reflektojnë sepse tash i kemi dy rryma të themi, Uran Ismaili që nuk arriti të fitojë për kryetar por arriti ta zhvendos PDK-në në nivel të asambleve. Këto gjëra duhet të shihet dhe të krahasohen se ku janë bërë ato gabime dhe ku janë përparësitë dhe të shihet se çka duhet të ndryshohet. Po besoj që në këto zgjedhje lokale secila parti e ka kuptuar realisht se ku qëndron dhe çka duhet të ndryshojë”, ka theksuar Arifi për Expose të Gazeta Blic.
Për politologun, zgjedhjet nuk sollën befasi, përpos Gjilanit.
“Për mua s’ka pasur befasi të mëdha, përpos Gjilanit që kam pritur se do të fitojë pa balotazh por nëse i presim edhe votat e diasporës, potencialisht mund të ndryshojë rezultati”, ka vlerësuar Arifi.
Sipas tij, koalicionet mes partive do të vendosin fituesit në balotazh.
“Balotazhi është çështje pak edhe e predispozitave të koalicionit, pra ka shumë të panjohura, varësisht tash këtu niveli qendror e ka vendimmarrjen, a mund të bëjnë koalicion apo jo sepse gjithçka po lidhet me qeverinë qendrore por edhe këtu do të vërehet se partitë si do të orientohen, që janë më të afta për të bërë koalicion, atëherë janë të sigurta, nuk është me rëndësi cili është i pari e cili i dyti, në balotazh kjo nuk çon peshë”, ka shtuar politologu.
Sipas Arifit, në Prishtinë ka mundësi të fitojë Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Sipas të gjitha gjasave për shkak të bashkëpunimit dhe njëfarë lloj mirëbesimi që kanë krijuar LDK dhe PDK, kjo është rrjedhoja logjike, se si do të duhej të rrjedhin gjëra, probabiliteti më i madh është që të fitojë LDK-ja”, ka deklaruar Dritëro Arifi./Gazeta Blic/