Pavarësisht se afati kushtetues prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re po i rrjedhë, kryetari i LVV-së Albin Kurti nuk ka filluar ende bisedimet me subjektet e tjera politike për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re. Kurti ende është duke u marr me çështjet e zgjedhjeve lokale dhe me numrat që ka marr në komuna. I mandatuar për këtë kryeministër nga presidentja, Kurti tha se i ka edhe dhjetë ditë kohë për formimin e Qeverisë.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili deri më 27 tetor duhet të dal para deputetëve në Kuvend për të dëshmuar nëse i ka siguruar votat e nevojshme apo jo, negociatat e vetme i pati zhvilluar me partinë Nisma Socialdemokrate të Fatmir Limajt e cila edhe tash ka shprehur gatishmëri që të ulët për takim nëse Kurti i kërkon takim. Deputetja e Nismës Xhevahire Izmaku tha për rtv21 se gatishmëri për takim nuk ka të bëjë me ermin e përvetshëm, por për zgjidhje të problemeve politike.
‘’Gjithmonë dhe nuk ka të bëjë me emër të përveshëm të zotit Kurtit, mirëpo në raport me të mirën e vendit dhe në raport në zgjidhjen e problemeve, Nisma do të ishte me secilin kryeministër të vendit në tavolinë. Tavolina është ajo që duhet të zgjidhen problemet politike dhe në këto rrethana ne besojmë plotësisht se duhet të ketë një zgjidhje”, tha Izmaku
‘’Ne mendojmë se kontributi jonë kish qenë më i miri në pozicionin e Kuvendit dhe besojmë se kjo është dashur që të ndodh sepse vendi dhe institucioni ligjvënës ka nevojë me pas një personalitet me kredibilitet të lartë siç është zoti Limaj’’, shtoi ajo.
Për formimin e Qeverisë së re Kurtit i duhen së paku 61 vota dhe partitë parlamentare kanë rezervat e tyre. Në PDK gjatë ditës thanë se nuk kanë ende një qëndrim nëse do të pranojnë të takohen me Kurtin, por janë kundër një Qeverie Kurti tre për shkak se, siç thonë, qeverisja e tij i ka sjellë dëme të mëdha vendit.
Ndërkohë, në LDK kanë qëndruar në pozicionin e tyre që prej disa muajsh kur thanë se duan Qeveri të përkohshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sërish ka prezantuar qëndrimin e saj se nuk bën asnjë llooj koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Time Kardiaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se ky subjekt politik nuk do të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje për qeverinë e re.
Ajo ritheksoi se AAK është pro një qeverie me partitë ish opozitare, në të kundërtën sipas saj vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Jo nuk duhet të ketë, për shkak të performancës së keqe, për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , për shkak të sanksionit nga Bashkimi Evropian , për shkak të izolimit, të gjithë të këqijave aferave korruptive, izolimit të vendit, për shkak të keqqeverisjes, shtrenjtimit të energjisë elektrike nuk ish dashtë me koalicion i qeverisë.”, deklaroi Kadriaj
Partnerja e koalicionit të Kurtit, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, preferon që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mungesë të besimit të ndërsjellë midis partive politike.
‘’Unë kam deklaruar shumë her edhe gjatë përpjekjeve kur dështonte konstutimi i Kuvendi që në mungesë të një besimi apo mirëbesimin mes partive politike për tu ulur që të diskutojnë, nuk mbetet asgjë tjetër përveçse zgjedhjet”.
Nëse Kurti nuk arrin që t’i sigurojë votat për formimin e Qeverisë brenda afatit kushtetues prej 15 ditësh, radha i lëshohet një shumice tjetër parlamentare të cilën e mandaton presidentja për Qeverinë e re. Por, në mungesë të një konsensusi politik shumica e partive politike parlamentare preferojnë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në fillim të muajit dhjetor.