Brenda vetëm gjashtë orësh, nga ora 14:00 deri në 20:00, në territorin e Kosovës janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri. Sipas Qendrës Operative të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, 15 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar.
Situata më kritike është në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar sipërfaqe të mëdha me vegjetacion. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar njësitë e zjarrfikësve nga Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, ndërkohë që është kërkuar edhe ndërhyrje ajrore nga KFOR-i.
“Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim.
Autoritetet theksojnë se menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Agjencia ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke raportuar menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.
Agjencia ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e qytetarëve në përballimin e situatës./Reporteri.net/