Situata me zjarret në Kosovë: KFOR-i hedh mbi 43 mijë litra ujë nga ajri

Misioni i NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim me trupat amerikane të aviacionit të vendosur në Komandën Rajonale-Lindje, po vazhdon të ofrojë ndihmë për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas njoftimit të KFOR-it, dy helikopterë ushtarakë të tipit UH-60 Black Hawk kanë realizuar një seri operacionesh ajrore për hedhjen e ujit në zonat e prekura, me qëllim mbajtjen nën kontroll të flakëve që rrezikonin jetën e banorëve dhe infrastrukturën lokale.

“Gjatë dy orëve të operimit, ekipet ajrore realizuan gjithsej 18 hedhje, duke transportuar mbi 43.500 litra ujë në rajonet e përfshira nga zjarret”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Tutje në komunikatë thuhet se kjo ndërhyrje dëshmon gatishmërinë e menjëhershme dhe angazhimin e fortë të misionit të NATO-s për mbështetjen e institucioneve lokale dhe mbrojtjen e civilëve në kohë krizash.

Ndërkohë, edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka konfirmuar përkeqësimin e situatës në terren.

Vetëm në gjashtë orët e fundit, sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Operative e AME-së, janë regjistruar gjithsej 80 vatra zjarri në mbarë vendin, nga të cilat 35 mbeten ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar.