Situata me vërshime, KEK-u hap për qarkullim të përkohshëm rrugën Vodicë – Dardhishtë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se për shkak të gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut, e ku janë përmbytur disa rrugë lokale, ka lejuar hapjen për qarkullim të përkohshëm të rrugës Vodicë – Dardhishtë, e cila kalon përmes zonës së KEK-ut.

“Ky vendim është marrë me kërkesë zyrtare të Komunës së Obiliqit dhe është miratuar nga menaxhmenti i KEK Sh.A., me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve deri në tejkalimin e kësaj gjendjeje emergjente. Rruga do të jetë e hapur vetëm përkohësisht, deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin e kushteve të rregullta të qarkullimit. Për informim më të detajuar, në këtë postim është publikuar edhe harta orientuese, ku është e shënuar qartë rruga e lejuar për qarkullim. KEK Sh.A. falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe kërkon respektimin e udhëzimeve të sigurisë gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor”, ka njoftuar KEK-u.

Po ashtu për këtë vendim ka njoftuar edhe Komuna e Obiliqit.

“Komuna e Obiliqit njofton qytetarët se, si pasojë e reshjeve të fundit dhe përmbytjeve në disa rrugë lokale, me kërkesë zyrtare të Komunës dhe me miratim nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.), është lejuar hapja e përkohshme për qarkullim e rrugës Vodiçë – Dardhishtë, e cila kalon nëpër zonën e KEK-ut.  Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve, deri në tejkalimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet dhe normalizimin e situatës në rrugët alternative.  Rruga Vodiçë – Dardhishtë do të jetë e hapur vetëm përkohësisht, deri në rikthimin e kushteve të rregullta të qarkullimit.  Komuna e Obiliqit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë”, ka njoftuar Komuna e Obiliqit.