Shpenzimet ushtarake globale arritën një nivel të ri në vitin 2024. Gjermania ngjitet në vendin e katërt në rangun botëror të shpenzimeve për mbrojtjen.
Rreth 2,7 bilionë dollarë – ky është rekordi i ri financiar botëror për shpenzimet ushtarake në vitin e kaluar – një rritje prej 9,4% krahasuar me vitin 2023. Ka dhjetë vjet që shpenzimet ushtarake në botë po rriten. Por asnjëherë kaq shumë që fundi i Luftës së Ftohtë. Më shumë se 100 vende kanë shpenzuar më shumë për ushtrinë se vitin e kaluar. Rritje e ndjeshme e shpenzimeve ushtarake vihet re në Evropë dhe Lindjen e Mesme, pasojë e luftës në Ukrainë dhe në Gaza, sipas Institutit të Stokholmit për Studimet e Paqes, SIPRI.
Gjermania ngjitet në vendin e 4-t
Tek ky zhvillim në Europë ka luajtur mjaft rol edhe Gjermania: në vitin 2024, shpenzimet ushtarake gjermane u rritën për të tretin vit radhazi. Sipas SIPRI, ato arritën në 88.5 miliardë dollarë amerikanë, që ishte 28 për qind më shumë se një vit më parë. Kjo e vendos Gjermaninë në vendin e katërt në renditjen e vendeve me shpenzimet më të larta ushtarake – pas SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Në vitin 2023, Gjermania ishte ende në vendin e shtatë.
“Për herë të parë që nga ribashkimi, Gjermania është vendi me shpenzimet më të larta ushtarake në Evropën Perëndimore”, thekson studiuesi i SIPRI, Lorenzo Scarazzato. Kjo për shkak të fondit të veçantë prej 100 miliardë eurosh për Bundeswehr-in, i miratuar në vitin 2022. Me këto para, Gjermania do të pajisë më mirë ushtrinë e saj me mungesa të mëdha.
Sipas SIPRI, ky nuk është fundi: “Vendimet e fundit politike në Gjermani dhe shumë vende të tjera evropiane tregojnë se Evropa ka hyrë në një fazë të shpenzimeve të larta dhe në rritje ushtarake, e cila ka të ngjarë të vazhdojë në një të ardhme të parashikueshme”.
Ukraina me barrën më të madhe ushtarake
Edhe vende të tjera evropiane i rritën ndjeshëm shpenzimet e tyre ushtarake në vitin 2024: Polonia shpenzoi 31 për qind më shumë se një vit më parë dhe tani investon 4.2 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto në mbrojtje. Kjo është vlera më e lartë e të gjithë anëtarëve evropianë të NATO-s. Në vitin 2024, vit kur u bashkua me NATO-n, Suedia investoi 34 për qind më shumë se një vit më parë, duke shpenzuar dymbëdhjetë miliardë dollarë amerikanë për mbrojtjen.
Por Ukraina mban barrën më të madhe ushtarake në botë: shpenzimet e saj ushtarake arritën në 34 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2024. Për krahasim në Gjermani vitin e kaluar ishin rreth dy përqind. “Të gjitha të ardhurat nga tatimet në Ukrainë u absorbuan plotësisht nga shpenzimet ushtarake në vitin 2024, ndërsa të gjitha shpenzimet joushtarake socio-ekonomike u financuan nga ndihma e huaj”, thuhet në raportin e SIPRI. Kurse Rusia agresore investoi 149 miliardë dollarë në forcat e saj të armatosura vitin e kaluar, një rritje prej 38 për qind në krahasim me vitin 2023.
Asnjë vend nuk shpenzon më shumë se SHBA
Shtetet e Bashkuara mbeten deri tani vendi me shpenzimet më të larta ushtarake, të cilat u rritën edhe më tej në vitin 2024. Ky shtet investoi gjithsej 997 miliardë dollarë amerikanë në forcat e armatosura. “Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të SHBA-së për vitin 2024 u caktua për modernizimin e aftësive ushtarake të SHBA-së dhe arsenalit bërthamor të SHBA-së për të ruajtur një avantazh strategjik ndaj Rusisë dhe Kinës”, sipas analizës së SIPRI. SHBA ka më shumë se 5000 koka bërthamore dhe po investon shumë në modernizimin gradual të arsenalit të saj.
Edhe Kina e vazhdoi kursin e modernizimit të ushtrisë së saj në të gjitha fushat, plan që parashikohet të zgjasë deri në vitin 2035 – me një buxhet prej 314 miliardë dollarësh në vitin 2024. Sipas SIPRI, aftësitë e përmirësuara ushtarake përfshijnë “avionë të rinj luftarakë të maskuar, mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe mjete nënujore pa pilot”. Përveç kësaj, Kina zgjeroi me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor në vitin 2024. Në lindje bie në sy për shpenzimet ushtarake edhe Japonia, që i rriti shpenzimet ushtarake me 21% në 55,3 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Në Lindjen e Mesme spikat Izraeli, që i rriti shpenzimet ushtarake me 65 për qind në 46.5 miliardë dollarë në vitin 2024. Arsyeja për këtë lidhet me përshkallëzimin e konfliktit me Hezbollahun dhe vazhdimi i luftës në Rripin e Gazës. Në këtë sfond, edhe Libani gjithashtu shpenzoi dukshëm më shumë për mbrojtjen. Për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike të vendit, kjo nuk kishte ndodhur në vitet e mëparshme. /dw