Sipas KEDS, qindra biznese tashmë kanë dorëzuar dëshmitë e nevojshme që vërtetojnë se i plotësojnë kushtet për të mbetur konsumatorë të KESCO-s. Këto biznese kanë dëshmuar se nuk kanë më shumë se 50 punëtorë dhe se qarkullimi i tyre vjetor nuk e kalon shumën prej 10 milionë eurosh, duke siguruar kështu të drejtën për të vazhduar furnizimin me energji elektrike nga KESCO.
Megjithatë, sipas KEDS, mijëra biznese të tjera ende nuk kanë përmbushur këtë obligim. Afati për dorëzimin e dokumenteve përfundon të premten, më 21 mars, dhe bizneset që nuk dorëzojnë dëshmitë e kërkuara do të përjashtohen nga tarifa e rregulluar e furnizimit, duke kaluar automatikisht në tregun e hapur të energjisë.
Sipas KEDS, dokumentacioni mund të dorëzohet në njërën nga qendrat e shërbimit me konsumatorë të KESCO-s anekënd Kosovës ose në adresën elektronike: [email protected].
Me vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), bizneset që nuk dorëzojnë dëshmitë përkatëse do të humbin të drejtën e furnizimit nga KESCO me tarifa të rregulluara dhe do të duhet të gjejnë vetë një furnizues në tregun e hapur.
KEDS bën thirrje që të gjitha bizneset që ende nuk kanë dorëzuar dokumentet të veprojnë sa më parë, për të shmangur çdo ndërprerje të furnizimit me energji ose detyrimin për të operuar në treg të hapur, ku kushtet mund të jenë më pak të favorshme.