Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka bërë të ditur se nëse nuk do t’u ekzekutohen pagat brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor, do të marrin masa të menjëhershme, me qëndrime publike, veprime sindikale dhe hapa ligjorë.
Në reagimin e lëshuar thuhet se kërkesa është drejtuar ndaj menaxhmentit dhe bordit të RTK-së dhe se masat që i paralajmëruan do të bëhen për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit, RTK-së.
Kjo sindikatë kërkon përgjegjësi, reagim të menjëhershëm dhe bashkërendim institucional për të zgjidhur këtë situatë që e quan të rëndë e të papranueshme.
“Është jetike që të gjendet zgjidhje urgjente financiare, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo çdo mekanizmi tjetër të mundshëm, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga”, thuhet në njoftim.
SPERTK deklaron se i bën thirrje edhe Qeverisë në detyrë që të veprojë menjëherë, ashtu siç veproi në muajin gusht, kur ndau 2.5 milionë euro për të siguruar funksionimin e RTK-së.
“Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të parandaluar pasojat sociale dhe institucionale që mund të shkaktojë mungesa e pagave. Është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në Kosovë po lihet pa buxhet, ndërsa në anën tjetër po rrezikohet programi, transmetimi dhe funksionimi i plotë i RTK-së, si dhe jetesa e mbi 700 familjeve që varen nga ky institucion”, thuhet në reagim.
Sindikata shton se në një kohë kur në gjithë shtetin po deklarohet për rritje pagash, në RTK jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rritje, por nuk ka as buxhet të mjaftueshëm as për pagat: “Punëtorët e RTK-së nuk po kërkojnë privilegje, por vetëm pagën që ligjërisht u takon dhe që duhet të ekzekutohet në kohë”.
Ditë më parë, sindikata ka kërkuar urgjentisht edhe nga Kuvendi i Kosovës që të ndërhyjë për të siguruar alokimin e buxhetit për transmetuesin publik. Në kërkesën drejtuar deputetëve, kjo sindikatë tha se duhet të shmanget përsëritja e situatës së muajit gusht, kur punëtorët mbetën pa paga dhe funksionimi i RTK-së u rrezikua.










