Sindikata e punëtorëve të ATK-së padit ministrin Hekuran Murati për mosmiratim të rregullores së pagave

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka dorëzuar një padi ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për shkak të mosmiratimit të rregullores për organizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës, shkruan Insajderi.

Në një komunikim drejtuar anëtarëve të saj, të cilin e ka siguruar Insajderi, sindikata bën të ditur se rreth 70% e stafit të ATK-së nuk ka përfituar rritje page për shkak të mungesës së kësaj rregulloreje.

Ata e cilësojnë këtë situatë si pasojë të mosveprimit të ministrit Murati, duke e akuzuar atë për shkelje ligjore dhe cenim të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit dhe shqetësimet stafit lidhur me pagat, ku rreth 70% e stafit nuk ka pasur rritje te pagës. (përveç atyre që mbajnë pozitën e inspektorit sipas kontratës së punës), ju njoftojmë se kjo gjendje është si pasojë e mos nënshkrimit të Rregullores për organizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës për punëtorët e ATK-së. Mos veprimi nga Ministria e Financave, përkatësisht ministrit përkatës Z. Hekuran Murati si person përgjegjës, ka shkaktuar pasiguri juridike si dhe pasoja materiale për punëtorët e ATK-së”, thuhet në emalin e tyre.

Sindikata potencoi se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe takimeve me ministrin, deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për miratimin dhe zbatimin e rregullores.

“Përkundër kërkesave të njëpasnjëshme nga SHSPATK në Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve si dhe obligimit ligjor bazuar në Ligjin Nr 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, deri me sot nuk kemi asnjë njoftim zyrtar lidhur me miratimin dhe aplikimin e kësaj rregulloreje. Përveç kësaj, ne kemi shkuar edhe zyrën e ministrit duke kërkuar që të ndërmarr veprime drejt miratimit të rregullores edhe pse na premtoi se rregullorja do të procedohet shpejt ne ende nuk jemi njoftuar asgjë”.

“Deri sa jemi në këtë situatë (ku përveç fjalëve nuk kemi asgjë zyrtare), kemi qenë në kontakt edhe me avokaturën e përzgjedhur dhe sot kemi dorëzuar në MFPT kërkesën dhe padinë ndaj ministrit përgjegjës sepse përveç që kemi qenë të dëmtuar deri me tash në muajt në vijim mund të dëmtohemi edhe me shumë dhe të gjitha këto dëme do t’i kërkojmë në procedurë gjyqësore”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Punëtorët e ATK-së paralajmëruan se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmeve dhe për të garantuar të drejtat e tyre.