Sinani: Duam të drejta sikurse ato të serbëve të Kosovës

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, deklaroi se veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve të atjeshëm, janë të shumta.

Sinani tha se Vuçiq ka bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese për integrimin e shqiptarëve të Luginës dhe zhvillimin socio-ekonomik të asaj pjese.

Sinani deklaroi e shqiptarët e Luginës kërkojnë të drejtat e njëjta që gëzojnë serbët në Kosovë.

Sinani nënjë postim në Facebook ka thënë se Vuçiq ka bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese për integrimin e shqiptarëve të Luginës dhe zhvillimin socio-ekonomik të asaj pjese dhe se gjithashtu ka margjinalziuar organin qeveritar për Luginën e Preshevës dhe ka përjashtuar shqiptarët nga pushteti në Medvegjë.

“Serbia nuk ka zbatuar qëllimet thelbësore të marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë.

Krahas obligimeve kushtetuese dhe ligjore, si dhe obligimeve të cilat imponohen nga marrëveshjet tanimë të njohura ndërkombëtare; Serbia ka marrë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës edhe obligime të posaçme me tri dokumente të veçanta, të cilat janë miratuar nga ana e organeve ekzekutive dhe legjislative republikane”, ka shkruar Sinani.

Sinani ka numëruar edhe tri marrëveshje që janë miratuar nga vetë organet e Republikës së Serbisë dhe që po shkelen nga Qeveria e Bërnabiq.

“I. – “Plani dhe programi për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”. I miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë në shkurt të vitit 2001, njohur me emërtimin e tij të popullarizuar: “Plani i Çoviqit”

Ky Plan dhe Program buron si produkt i “Deklaratës për çmilitarizim” të firmosur nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) dhe NATO, të njohur si “Marrëveshja e Konçulit”

II. – “Marrëveshja mbi parimet e riorganizimit të Trupit Bashkërendues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, nënshkruar më 2009 nga kryetari i Trupit Bashkërendues dhe Minsitri Millan Markoviq, deputeti Riza Halimi dhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Hans Ola Urstad.

III. – “Plani Shtatëpikësh” miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë më 4 qershor 2013. Ky Plan miratohet nga Qeveria e Serbisë pas heqjes së lapidarit kushtuar ish-luftëtarëve të UÇPMB-ës para objektit të komunës së Preshevës”, janë tri marrëveshjet që ka përmendur këshilltarja e Kurtit.

Sinani tutje ka thënë se as Programi i vitit 2001 dhe as Marrëveshja për Riorganizimin e Trupit Bashkërendues të vitit 2009 dhe as “Plani Shtatëpikësh” s’kanë dhënë rezultat minimale në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe sipas saj kjo dëshmon për autoritarizmin e pushtetit në Serbi dhe politikën hegjemonisë serbe.

“As Programi nga viti 2001, as Marrëveshja për Riorganizimin e Trupit Bashkërendues i vitit 2009, e as “Plani Shtatëpikësh” nuk dhanë as rezultatet minimale në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës. Natyrisht. Ky është pushteti i tyre autoritar. Kjo është politika e tyre hegjemoniste. Kundër integrimit të serbëve në Kosovë. Kundër integrimit të shqiptarëve në Serbi.

Kundër bashkëjetesës së serbëve me shqiptarët në Republikën e Kosovës.Për një Serbi, një Luginë të Preshevës, pa shqiptarë. Një politikë kundër paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Midis shqiptarëve dhe serbëve. Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në të gjitha skenarët e mundshëm.

Kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës”, ka shkruar Sinani.

Related Posts