Simeone: Na mungojnë edhe tri ndeshje, e dimë çfarë duam dhe si ta kërkojmë

Simeone doli para mediave pas ndeshjes ndaj Barcelonës me kënaqësinë logjike për kualifikimin në gjysmëfinale.

Vuajtje maksimale, por shijon më shumë…
A e patë si luajnë katalanasit? Me çfarë shpejtësie lëvizin? Bëmë gabime të rëndësishme që iu lejuan të përfitonin me gjithë lojën e tyre të lidhur dhe na e vështirësuan kontrollin. Me 2-0 ndeshja mund të rrëshqiste, por ne u ringritëm falë personalitetit të Giménez, Koke dhe Llorente, qetësisë së Musso, përmirësimit të Giuliano, Lookman na riktheu në lojë… Në pjesën e dytë u barazua gjithçka, e dinim që Barcelona do të binte fizikisht pas ndeshjes së së shtunës dhe ne morëm energji nga zëvendësimet. Nxorëm planin B të dyja palët, ata me Araujo dhe Lewandowski, ne me Sorloth, Nico, Baena… Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme që nisëm ta fitonim qysh kur pamë tifozët nga autobusi. Janë 14 vite dhe ende emocionohem. I falënderova lojtarët për besimin, zemrën dhe shtysën.

Lookman po bëhet vendimtar…
Është në zhvillim të plotë, po përmirësohet shumë në mbrojtje dhe ka më shumë peshë në ekip. Cilësitë sulmuese i ka të gjitha. Nuk kemi pasur lojtarë të këtij niveli. Lookman krijon frikë, ka edhe më shumë potencial, këtë dua prej tij.

A besoni te fitimi i Champions-it?
Vazhdojmë përpara me entuziazmin për tri ndeshjet që na mbeten, me respekt dhe përulësi, por duke e ditur çfarë duam. Patjetër do ta kërkojmë suksesin.

Llorente dhe Ruggeri…
Ndonjëherë nuk duhet thënë më shumë, Mateo markoi Yamal, që është i jashtëzakonshëm. Ajo që bën Marcos është e pabesueshme, luan gjithçka, është zhvilluar si lojtar dhe si njeri.

Po Griezmann?
Kemi folur shumë për të…, e di sa shumë e dua dhe është një gjeni. Do ta kuptojmë çfarë kemi pasur me kalimin e kohës. Shpresoj që Zoti dhe fati t’i japin atë që i mungon.

Te Barcelona ia ulën meritat…
A e dini sa bukur është të jesh në gjysmëfinale të Champions-it? Të jesh mes katër më të mirëve në Europë. E mrekullueshme!

Si ju duk loja?
Çdo ekip ka modelin e vet. Ne kemi evoluar dhe e dimë çfarë duam. Sulmojmë më mirë sesa mbrojmë dhe kemi nevojë të sulmojmë.

Reagimi juaj pas vërshëllimës finale…
Nuk e mbaj mend mirë, mendoj se vrapova dhe përqafova Barrios. Nuk është e lehtë ta eliminosh Barcelonën tri herë. Shpresoj që lojtarët të pushojnë dhe të bëjnë një ndeshje të madhe të shtunën.

Si u afruat me ekipet kryesore?
Me gola.

Një vlerësim për Musso…
E kam thënë edhe më parë, kam komunikim shumë të mirë si me Jan, ashtu edhe me Juan. Kërkoj më të mirën për ekipin, kemi nevojë për të dy, janë të jashtëzakonshëm.

 

The post Simeone: Na mungojnë edhe tri ndeshje, e dimë çfarë duam dhe si ta kërkojmë appeared first on Telesport.