Sigurimet shëndetësore në Kosovë, një dekadë premtime dhe mangësi në zbatim

Kosova ende ballafaqohet me mungesën e sigurimit shëndetësor për qytetarët e saj.

Siguria shëndetësore mbetet një nga çështjet më të rëndësishme për qytetarët dhe punëtorët shëndetësorë, ndërsa mbrojtja ligjore dhe sigurimet shëndetësore janë premtuar prej dekadash, por që u gjet zbatim në praktikë. Në Kosovë, përballja me mungesën e sigurimeve dhe implementimin e vonuar të ligjit për sigurime shëndetësore po i ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve dhe pasigurisë së sistemit shëndetësor.

Më 28 qershor të 2024-së, ekzekutivi miratoi projektligjin për sigurime shëndetësore, ndërsa më 18 nëntor të po këtij viti, Ministria e Shëndetësisë njoftoi lansimin e planit të veprimit për sigurime shëndetësore 2024–2026. Megjithatë, një vit pas lansimit, zbatimi i këtij ligji duket i mangët, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur nga mungesa e mbrojtjes shëndetësore.

Njëherazi, ligji për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor, gati një vit pas miratimit, ende ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka marrë zbatim, duke krijuar një situatë të pafavorshme për qytetarët.

Sigurimet shëndetësore janë premtuar që nga viti 2004 dhe gjithmonë kanë qenë pjesë e programeve elektorale të partive, por asnjëherë nuk janë përmbushur nga qeveritë e kaluara. Kjo situatë e bën Kosovën vendin e vetëm në rajon ku qytetarët nuk përfitojnë nga sigurimet shëndetësore.

Albanian Post ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë rreth këtyre çështjeve. Ministria ka sqaruar se plani për Siguri Shëndetësore 2024–2026 është në implementim e sipër dhe se disa aktivitete janë zhvilluar gjatë viteve 2024 dhe 2025, ndërsa të tjera janë të planifikuara për vitin 2026.

“Këto përfshijnë ndërtimin e kapaciteteve të ndryshme, bashkëpunimin ndërsektorial dhe koordinimin, krijimin e procedurave standarde të operimit për emergjenca shëndetësore, promovimin dhe edukimin shëndetësor, mbajtjen e ushtrimeve dhe trajnimeve simuluese për emergjenca, nga të cilat janë realizuar 4, caktimi i pikës fokale për raportim sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit”.

Po ashtu edhe “monitorimi i konsumimit të antibiotikëve në kujdesin shëndetësor, fuqizimi i kapaciteteve laboratorike, mirëmbajtja e sistemit për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse, trajnimi i personelit për veprim në Qendrën Operative Emergjente të Shëndetit Publik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për AP.

E sa për se çfarë ka ndodhur me Ligji për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor, ende nuk ka asgjë të re.

Pasojat nga mungesa e sigurimeve shëndetësore

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, sqaroi për Albanian Post se situata mbetet shqetësuese për punëtorët shëndetësorë.

“Zbatimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në punë është një dështim i institucioneve. Ligji ekziston vetëm në letër, ndërsa në praktikë punëtorët vazhdojnë të punojnë në kushte të pasigurta dhe të rrezikshme”

“Institucionet përgjegjëse nuk kanë krijuar mekanizma mbikëqyrës, nuk kanë siguruar staf profesional dhe nuk kanë ndarë buxhet për masa mbrojtëse. Kjo neglizhencë po e rrezikon çdo ditë jetën dhe shëndetin e punëtorëve shëndetësorë”, deklaron Imeri per Albanian Post.

Imeri potencoi se moszbatimi i planit të veprimit një vit pas lansimit është papërgjegjësi institucionale.

“Vonesa po e lë sistemin shëndetësor tërësisht të pambrojtur, pa masa parandaluese dhe pa standarde funksionale. Punëtorët shëndetësorë janë të ekspozuar çdo ditë ndaj rreziqeve serioze, ndërsa qytetarët marrin shërbime në një sistem të pasigurt. Siguria shëndetësore nuk është luks dhe as çështje politike – është obligim ligjor dhe moszbatimi i saj përbën shkelje të rëndë të përgjegjësisë institucionale,” tha Imeri.

Ajo njoftoi se si FSSHK së fundmi është përballur me një vendim antiligjor.

“Së fundmi, jemi përballur me një vendim antiligjor të nxjerrë nga Drejtori i SHSKUK-së. Punëtorët, të cilëve u ishte njohur një të drejtë, ajo u është mohuar. Ky vendim është dërguar në Inspektoratin e Punës si autoritet kompetent, duke dëshmuar se edhe sot në institucionet shëndetësore nxirren vendime pa bazë ligjore dhe në dëm të punëtorëve”.

Sipas këtij raporti të Inspektoratit të Punës, ShSKUK ka shkelur dispozitat kyçe të ligjit për siguri dhe shëndet në punë.

“Ankuesit: pretendojnë se, u takon si masë tranzitore të aplikohet orari i shkurt i punës prej dy orëve më pak (nga 08:00 deri 14:00), ose orari i reduktua prej 30 orëve në javë për shkak të Rrezikshmërisë së lartë në punë, i cili orare ishte i rregulluar me Qarkoren Informuese të vitit 2019. Njëherit edhe rritja orarit të kujdestarisë nga 16 orë siç ishte, në 24 orë pandërprerë e cila është në kundërshtim me dispozitat ligjore, e cila vë në rrezik jo vetëm ankuesit (punonjësit) por edhe pacientët.”

Inspektorati konstatoi se vendimi i kontestuar bie në kundërshtim me detyrimet ligjore që kërkojnë masa parandaluese, kontrollime mjekësore periodike, dokumentim të vlefshëm të rrezikut dhe respektim të orarit të punës për pozitat me ekspozim të lartë.

Në këtë kontekst, institucioni përgjegjës detyrohet që brenda 30 ditëve të rishqyrtojë vendimin, të kryejë vlerësimet e munguar të rrezikut, të kthejë orarin e punës sipas qarkores së vitit 2019 dhe të ndërmarrë masa konkrete për garantimin e sigurisë së stafit.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.