Gjatë vitit 2025, veriu i Kosovës ka kaluar një periudhë relative stabiliteti në aspektin e sigurisë, por pa arritur ende në një normalizim të plotë dhe të qëndrueshëm.
Ndonëse nuk janë shënuar përshkallëzime të mëdha të dhunës si në vitet paraprake, tensionet kanë mbetur të pranishme, ndërsa rreziku nga strukturat ilegale dhe ndikimet e jashtme vazhdon të perceptohet si real.
Stabiliteti në këtë pjesë të vendit është mbajtur kryesisht falë pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës, angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it dhe vëmendjes së rritur të bashkësisë ndërkombëtare, e jo si rezultat i një konsolidimi të brendshëm institucional apo të besimit ndëretnik.
Në këtë kontekst, BE-ja, KFOR-i dhe njohës të fushës së sigurisë vlerësojnë se viti 2025 ka dëshmuar se veriu i Kosovës mund të menaxhohet nga aspekti i sigurisë, por paqja e qëndrueshme dhe siguria e barabartë për të gjitha komunitetet ende nuk janë të garantuara dhe kërkojnë përgjegjësi politike, sundim të ligjit dhe angazhim të vazhdueshëm vendor e ndërkombëtar.
BE: Situata në veri stabile, por mbetet e ndjeshme dhe kërkon përgjegjësi politike
Bashkimi Evropian vlerëson se situata politike dhe e sigurisë në veri të Kosovës gjatë vitit 2025 ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme, por mbetet e ndjeshme dhe kërkon lidership të përgjegjshëm si dhe respekt të plotë për proceset demokratike dhe sundimin e ligjit.
Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Bashkimit Evropian për FrontOnline, duke folur për zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri gjatë këtij viti.
“Situata politike dhe e sigurisë në veri të Kosovës është përgjithësisht e qëndrueshme, por mbetet e ndjeshme, duke kërkuar lidership të përgjegjshëm dhe respekt të plotë për proceset demokratike dhe sundimin e ligjit’’, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht zhvillimin e zgjedhjeve lokale, veçanërisht në komunat veriore të Kosovës.
“Ne kemi mirëpritur zhvillimin paqësor dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale, veçanërisht në veri të Kosovës’’, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka mirëpritur dorëzimin pa probleme të qeverisjes lokale në katër komunat veriore.
“Ne e kemi mirëpritur po aq mirëpritur dorëzimin pa probleme të qeverisjes lokale në 4 komunat veriore të Kosovës’’, ka deklaruar zëdhënësi I BE-së
Sipas Bashkimit Evropian, nga kryetarët e rinj të komunave pritet që të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve dhe të veprojnë në përputhje me ligjin e Kosovës.
“Ne presim që kryetarët e rinj të komunave të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve në përputhje me ligjin e Kosovës, njësoj si për çdo komunë tjetër në Kosovë’’, është shprehur ai.
Në deklaratë thuhet se BE-ja ka mirëpritur gjithashtu pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në proceset zgjedhore gjatë vitit 2025.
“BE-ja mirëpret pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë në vitin 2025’’, ka deklaruar zëdhënësi.
Duke folur për pritjet për vitin e ardhshëm, Bashkimi Evropian ka theksuar nevojën për hapa konkretë drejt ri integrimit institucional.
“Në vitin 2026, presim hapa të mëtejshëm drejt një ri integrimi transparent, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke filluar me gjyqtarët, prokurorët, stafin administrativ dhe policinë’’, ka thënë zëdhënësi i BE-së .
Zëdhënësi i BE-së ka theksuar gjithashtu pritjet për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve komunale dhe atyre qendrore, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit dhe formimit të qeverisë së re.
“Me autoritetet e reja komunale në vend, ne presim një angazhim konstruktiv midis autoriteteve komunale dhe qendrore, duke përfshirë edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme më 28 dhjetor dhe formimin e një qeverie të re në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm,” ka shtuar ai.
Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, BE-ja vlerëson se, pavarësisht situatës sfiduese institucionale gjatë vitit 2025, janë shënuar disa hapa praktikë përpara.
“Pavarësisht situatës sfiduese institucionale në vitin 2025, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ka çuar në disa hapa praktikë përpara, veçanërisht në ruajtjen e kanaleve të komunikimit dhe avancimin e marrëveshjeve teknike’’, ka deklaruar zëdhënësi.
Në fund, Bashkimi Evropian ka nënvizuar se niveli i besimit për siguri të qytetarëve në institucionet e Kosovës do të reflektohet përmes zgjedhjeve.
“Varet nga popullsia lokale të shprehë nivelin e besimit të saj në institucionet e Kosovës, veçanërisht me zgjedhjet që po vijnë më 28 dhjetor’’, përfundon deklarata e zëdhënësit të BE-së.
KFOR: Jemi të pozicionuar dhe pajisur mirë, të gatshëm për çdo zhvillim që rrezikon sigurinë në Kosovë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, në një prononcim për Front Online ka vlerësuar se mbetet i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’u përballur me çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë apo stabilitetin rajonal, duke mbajtur një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë territorin e vendit.
Sipas KFOR-it, misioni vazhdon të veprojë në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar çdo ditë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).
‘’KFOR-i është i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’u përballur me zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë ose stabilitetin rajonal, dhe mban një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën. Sipas mandatit të gjatë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i ka kontribuar – çdo ditë – në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes;’’, thonë nga KFOR-i për FrontOnline.
KFOR-i ka bërë të ditur se mban bashkëpunim të rregullt dhe komunikim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë, si dhe me Forcat e Armatosura Serbe, përfshirë kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet komandantëve ushtarakë, në kuadër të mekanizmave ekzistues të koordinimit.
‘’ KFOR-i ka kontribuar – çdo ditë – në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes; në mënyrë të paanshme; dhe në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ne gjithashtu mbajmë bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura Serbe, duke përfshirë edhe përmes komunikimeve të rregullta midis Komandantit të KFOR-it (Gjeneral Major Ulutas) dhe Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe (Gjeneral Mojsilovic)’’, thuhet në përgjigjen e KFOR.
KFOR-i për FrontOnline ka thënë se pas rritjes së dhunës në vitin 2023, misioni i NATO-s në Kosovë është përforcuar me rreth 1,000 trupa shtesë dhe me një prani të shtuar patrullimi përgjatë Vijës Kufitare Administrative, duke përfshirë patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës në veri të vendit dhe patrullime të sinkronizuara në të dyja anët e vijës kufitare.
Në lidhje me sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok më 29 nëntor 2024, KFOR-i ka njoftuar se ka reaguar menjëherë duke ofruar siguri për infrastrukturën kritike dhe zonat përreth, si dhe duke vënë në dispozicion mbështetje logjistike dhe inxhinierike për institucionet e Kosovës. Misioni ka sqaruar se nuk ka mandat për zbatimin e ligjit dhe se hetimi i plotë i rastit u takon institucioneve kompetente të Kosovës.
‘’ KFOR-i reagoi menjëherë ndaj sulmit kundër kanalit të ujit në Zubin Potok më 29 nëntor 2024, duke ofruar siguri për kanalin dhe zonat përreth. KFOR-i ofroi të ofrojë mbështetje logjistike, asgjësimin e municioneve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë; dhe vendosi personel për të mbrojtur pikat kritike të infrastrukturës në Kosovë. KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit. Është e rëndësishme që të gjitha faktet në lidhje me sulmin të përcaktohen dhe ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë’’, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.
Ish-zëvendës ministri Hoxha : Mekanizmat e sigurisë dhe KFOR-i e mbajtën veriun nën kontroll në 2025, por kërcënimi destabilizues ende nuk ka kaluar
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, vlerëson se gjatë vitit 2025 situata e sigurisë në veri të Kosovës ka qenë në përgjithësi stabile dhe nën kontroll të mekanizmave të sigurisë, pavarësisht sfidave të vazhdueshme nga struktura kriminale të organizuara.
‘’Gjatë vitit 2025 në përgjithësi situate e sigurisë në veriun e vendit ka qenë kryesisht stabile dhe nën kontroll të mekanizmave të sigurisë’’, tha Hoxha për FrontOnline.
Sipas Hoxhës sulmet me karakter destabilizues ndaj rendit kushtetues, infrastrukturës kritike dhe institucioneve të sigurisë, të regjistruara edhe në vitet e fundit, kanë paraqitur rrezik serioz për sigurinë, por këto skenarë janë penguar falë veprimit të koordinuar të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë KFOR-in.
‘’Sulmet kundër rendit kushtetues me natyrë terroriste, sulmet ndaj infrastrukturës kritike, sulmet ndaj organeve të sigurisë vendore e ndërkombëtare nga struktura kriminale të mirë financuara e trajnuara, që kanë ndodhur të paktën dy vitet e fundit, e kanë sfiduar vazhdimisht mbajtjen e situatës së sigurisë nën kontroll të plotë, por fatmirësisht mekanizmat e sigurisë si policia, AKI-ja si dhe mekanizmat e sigurisë të partnerëve ndërkombëtar me theks të veçantë KFOR-i, kanë arritur që përkundër vështirësive dhe specifikave të sigurisë në atë pjesë të vendit, t’ia dalin duke prishur me sukses skenarin de stabilizues të grupeve kriminale’’, tha ish zëvendës ministri Hoxha.
Ai vë në pah se konfiskimi i një sasie të madhe armësh, municionesh dhe mjetesh luftarake në veri mbetet një nga treguesit kryesorë të rrezikut latent, ndërsa paralajmëron se ende ekzistojnë struktura ilegale dhe kërcënime serioze për sigurinë publike.
‘’Sfidë e vazhdueshme ishte po ashtu edhe numri I madh I armëve, municioneve dhe mjeteve luftarake të konfiskuara nga policia në veri të vendit e që dyshohet se ju përkasin grupeve kriminale që kanë cak de stabilizimin e veriut të Kosovës’’, tha Hoxha.
Sipas ish zëvendës ministrit Hoxha përfshirja e grupeve të mire trajnuara dhe të mirë financuara, të lidhura me struktura paramilitare apo ushtarake të një shteti tjetër, përbën rrezik të vazhdueshëm për stabilitetin në veri, prandaj kërkohet vigjilencë e shtuar, veprime policore të bazuara në inteligjencë dhe koordinim i pandërprerë me KFOR-in, prania e të cilit mbetet thelbësore për ruajtjen e paqes.
‘Fatkeqësisht ende nuk ka kaluar rreziku i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të vendit dhe kjo duke u bazuar edhe në provat e siguruar nga mekanizmat shtetëror të vendit tone për involvimimin e grupeve dhe individëve të mirë trajnuar dhe mire financuar e që dyshohet se iu përkasin edhe strukturave qoftë paramilitare apo edhe ushtarake të një shteti tjetër që në këtë rast mund të jetë Serbia, pra ende ekzistojnë struktura ilegale’’, tha Hoxha për FrontOnline
Elezi: Veriu ende nuk mund të konsiderohet plotësisht i sigurt dhe i barabartë për të gjitha komunitetet
‘’Situata e sigurisë në veriun e Kosovës gjatë vitit 2025 ka qenë e menaxhuar, por jo e konsoliduar plotësisht përgjatë vitit 2025’’. Kështu vlerëson eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në një prononcim për Front Online.
“Situata e sigurisë në veriun e Kosovës gjatë vitit 2025 ka qenë e menaxhuar, por jo e konsoliduar plotësisht. Nuk kemi pasur përshkallëzim të hapur të dhunës si në vitet e mëhershme, por tensionet latente kanë mbetur të pranishme”, tha Elezi.
Elezi vlerëson se siguria ka qenë funksionale kryesisht falë angazhimit të vazhdueshëm të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, e jo si rezultat i një normalizimi real të situatës në terren.
“Siguria ka qenë funksionale kryesisht falë angazhimit të vazhdueshëm të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, e jo si rezultat i një normalizimi real të situatës në terren’’, shprehet ai.
Duke krahasuar vitin 2025 me periudhën 2022–2023, Elezi thotë se mund të flitet për një përmirësim relativ, por jo për stabilitet të qëndrueshëm.
“Në raport me vitet 2022–2023, mund të flasim për një përmirësim relativ operacional, por jo për një përmirësim strukturor. Incidentet serioze janë reduktuar, por burimet e pasigurisë nuk janë eliminuar’’, deklaroi Elezi.
Sipas Elezit, stabiliteti aktual është i brishtë dhe i lidhur ngushtë me praninë ndërkombëtare, veçanërisht të KFOR-it.
“Stabiliteti aktual është më shumë i prodhuar nga prania e shtuar e KFOR-it dhe vëmendja e lartë ndërkombëtare, sesa nga një transformim i brendshëm i situatës së sigurisë”, deklaroi Elezi.
Eksperti i sigurisë liston disa nga sfidat kryesore gjatë vitit 2025, përfshirë strukturat ilegale dhe rrjetet kriminale me prapavijë politike, ndikimin e vazhdueshëm të Serbisë përmes mekanizmave joformalë, luftën hibride, dezinformimin dhe mosbesimin e një pjese të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës.
“Strukturat ilegale nuk janë zhdukur plotësisht. Ato janë adaptuar, janë bërë më pak të dukshme, por vazhdojnë të ekzistojnë si rrezik potencial për rendin publik dhe sigurinë kombëtare”, tha Bedri Elezi.
Në përfundim, ai vlerëson se viti 2025 ka dëshmuar se veriu i Kosovës mund të menaxhohet nga aspekti i sigurisë, por paqja afatgjatë ende nuk është e siguruar.
“Viti 2025 ka treguar se veriu i Kosovës mund të menaxhohet nga aspekti i sigurisë, por paqja e qëndrueshme ende nuk është e garantuar”, tha Elezi./Front Online










