Investigimi i brendshëm e shfajësoi këshilltarin e sigurisë kombëtare, Mike Waltz, por gabimi ishte bërë disa muaj përpara.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Donald Trump, Mike Waltz përfshiu një gazetar në grupin e bisedës Signal rreth planeve për sulme të SHBA-ve në Yemen.
Por, mesa duket Waltz e kishte ruajtur gabimisht numrin e tij muaj më parë nën kontaktin e dikujt tjetër që zyrtari amerikan synonte të shtonte.
Kështu bën të ditur gazeta britanike The Guardian, duke cituar tre persona të informuar për këtë çështje.
Ky ishte një ndër hapat e gabuar që dolën në dritë nga investigimi i brendshëm të Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë tij, u zbuluan një seri gabimesh të ndërlikuara që filluan gjatë fushatës së 2024-ës dhe kaluan pa u vënë re derisa Waltz krijoi grupin e bisedës muajin e kaluar.
Trump mendoi fillimisht të pushonte Waltz-in për episodin, më shumë i zemëruar nga fakti që ai kishte numrin e Jeffrey Goldberg, kryeredaktorit të The Atlantic – një revistë që ai e përbuz.
Zbulimet megjithatë shkaktuan një “shqyrtim mjeko-ligjor” nga zyra e teknologjisë së informacionit të Shtëpisë së Bardhë.
Aty doli në pah se telefoni i Waltz kishte ruajtur numrin e Goldberg si pjesë e një serie ngjarjesh të pamundura që nisën kur kryeredaktori i dërgoi email fushatës së Trump tetorin e kaluar.
Sipas tre personave të informuar për hetimin e brendshëm, Goldberg i kishte dërguar me email fushatës për një artikull që kritikonte Trump për qëndrimin e tij ndaj anëtarëve të plagosur të shërbimit.
Për të kundërshtuar shkrimin, fushata kërkoi ndihmën e Waltz-it.
Email-i i Goldberg iu përcoll zëdhënësit të atëhershëm të Trump, Brian Hughes, i cili më pas kopjoi dhe shpërndau përmbajtjen e emailit – duke përfshirë bllokimin e nënshkrimit me numrin e telefonit të Goldberg – në një mesazh me tekst që ai i dërgoi Waltz-it, në mënyrë që ai të informohej për artikullin e ardhshëm.
Waltz nuk e telefonoi përfundimisht Goldberg, thanë njerëzit, por pa dashje ai përfundoi duke ruajtur numrin e Goldberg në iPhone-in e tij – nën kontaktin për Hughes, tani zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, numri u ruajt gabimisht gjatë një “përditësimi të sugjerimit të kontaktit” nga iPhone i Waltz, të cilin një person e përshkroi si funksionin ku një algoritëm iPhone shton një numër të panjohur më parë në një kontakt ekzistues që zbulon se mund të jetë i lidhur.
Gabimi kaloi pa u vënë re deri në muajin e kaluar kur Waltz kërkoi të shtonte Hughes në grupin e bisedës Signal – por përfundoi duke shtuar numrin e Goldberg në zinxhirin e mesazheve të 13 marsit të quajtur “Houthi PC small group”, ku disa zyrtarë të lartë amerikanë diskutuan planet për sulme kundër Houthi-ve.