Si u kapën 1 milion euro në kufi?

Rreth 1 milion euro janë kapur në pikëkalimin kufitar në Merdar të martën nga Dogana e Kosovës, pas një kontrolli në një automjet.

Dogana njoftoi se në hyrje të Kosovës nga Serbia, vetura fillimisht u kontrollua përmes skanimit me rreze X, që identifikoi ekzistimin e një hapësire të dyshimte të modifikuar në dysheme.

Pas këtyre sinjaleve, dogana kërkoi asistencë nga Policia që përmes pajisjes fibroskopike konfirmoi se në veturë janë fshehur rreth një milion euro, që nuk ishin të deklaruara.

Më vonë gjatë ditës, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se i ka ndaluar për 48 orë tre persona, që dyshohen për veprën penale “shpëlarja e parave”.

Ndërkaq mediat në Shqipëri kanë raportuar se në mesin e të arrestuarve është një polic nga Tirana.