Si u besua fotografia e rreme e “Fantazmës së Prishtinës”? Ekspertët flasin për rrezikun e imazheve të gjeneruara nga AI

Rasti i fundit i “Fantazmës së Prishtinës”, e cila ishte një fotografi e fabrikuar u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa media pa verifikim të fakteve, ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) dhe ndikimin e tyre në perceptimin e publikut për realitetin.

Ky rast, tregoi se sa lehtë një përmbajtje e rreme vizuale mund të merret si e vërtetë dhe të prodhojë dezinformim masiv.

Lidhur me këtë rast, për Telegrafin kanë folur Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID, dhe Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike dhe zhvillues i softuerit për kompaninë amerikane The Daily Wire, të cilët shpjegojnë pse imazhet e gjeneruara nga AI janë gjithnjë e më bindëse dhe pse publiku shpesh u beson atyre.

Sipas Rizanajt, besueshmëria e fotografive të krijuara nga AI varet shumë nga tema që ato paraqesin.

“Kjo varet nga përmbajtja që publikohet. Nëse përmbajtja lidhet me tema për të cilat ka shumë informacion vizual në internet, atëherë mundësia që këto foto të duken origjinale, reale dhe më të besueshme është shumë më e madhe. Megjithatë, ekzistojnë edhe raste kur gjenerohen përmbajtje me cilësi të ulët, të njohura si ‘slop AI’,” thotë ai.

Edhe Fetahaj thekson se zhvillimi teknologjik e ka bërë dallimin mes reales dhe të rremes gjithnjë e më të vështirë.

“Fotot dhe videot e gjeneruara nga AI mund të duken shumë të besueshme, sidomos për një sy të patrajnuar. Teknologjia ka avancuar ndjeshëm dhe në shumë raste e bën të vështirë dallimin mes përmbajtjes së gjeneruar dhe asaj reale, veçanërisht kur imazhet shihen shpejt dhe pa verifikim,” shprehet ai për Telegrafin.

Një nga arsyet pse raste si “Fantazma e Prishtinës” arrijnë të bindin një pjesë të publikut lidhet me mënyrën se si njerëzit e përpunojnë informacionin.

Rizanaj shpjegon se “forma e komunikimit përmes imazheve është më e lehtë sepse nuk kërkon shumë angazhim të trurit për t’u kuptuar, ndërsa teksti i shkruar kërkon përqendrim dhe analizë për të kuptuar faktet që përmban”.

Në të njëjtën linjë, Fetahaj vëren ndikimin e rrjeteve sociale në këtë sjellje.

“Sot është bërë trend që informacioni të merret më shumë nga imazhet dhe videot sesa nga artikujt e shkruar. Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në këtë sjellje, sidomos platformat me përmbajtje të shpejtë si TikTok, ku njerëzit konsumojnë informacion në pak sekonda dhe rrallë ndalen të lexojnë burime të plota”, ka theksuar Fetahaj për Telegrafin.

Sa i përket ndikimit në perceptimin e ngjarjeve reale, hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj thekson se besimi i publikut shpesh lidhet me bindjet personale.

“Varet nga rastet. Për shembull, në aspektin politik, nëse përmbajtja i përshtatet bindjeve ose qëndrimeve të personit që e sheh, atëherë mundësia për t’i besuar është më e madhe. Po ashtu, edhe në raste të krizave të caktuara, kur publikohen imazhe që lidhen me ngjarjen, besueshmëria e tyre mund të rritet,” thotë ai.

Ndërkaq inxhinieri i kibernetikës, Kastriot Fetahaj paralajmëron se pasojat mund të jenë serioze.

“Këto imazhe mund të shkaktojnë konfuzion dhe të deformojnë perceptimin e publikut, sepse shumë njerëz nuk e marrin mundin të lexojnë kontekstin, burimin apo sqarimet. Shpesh, ajo që shohin e marrin si ‘informacionin e parë’ dhe kanë prirje t’i besojnë, edhe kur është e rreme ose e manipuluar”, ka shtuar Fetahaj.

Të dy ekspertët pajtohen se nevojiten mekanizma rregullues, por qasjet dallojnë. Rizanaj thekson domosdoshmërinë e rregullimit dhe transparencës.

“Po, duhet të ketë rregullim të qartë për përmbajtjet e krijuara nga AI, sidomos në platformat e mediave sociale, duke kërkuar që ato të identifikohen dhe etiketohen si përmbajtje të gjeneruara nga AI. Përveç kësaj, është e nevojshme të ketë edhe edukim për publikun, për ta njohur dhe kuptuar natyrën e këtyre përmbajtjeve”, ka deklaruar Rizanaj.

Ndërsa Fetahaj vlerëson se kufizimet ligjore janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.

“Vendosja e kufizimeve ligjore është e vështirë, sepse edhe identifikimi i imazheve të gjeneruara nga AI nuk është gjithmonë i lehtë dhe shpesh kërkon analiza të detajuara ose mjete të specializuara,” thotë ai.

Fetahaj ka shtuar se një qasje më efektive mund të jetë ndalimi dhe penalizimi i shpërndarjes mashtruese (kur paraqitet si e vërtetë), si dhe përmirësimi i raportimit dhe heqjes së shpejtë të përmbajtjes nga platformat sociale sapo identifikohet.

Në fund, çështja e përgjegjësisë mbetet kyçe. Rizanaj thekson se përgjegjësinë duhet ta mbajë faqja ose llogaria në mediat sociale që e publikon imazhin duke nënvizuar vështirësinë e identifikimit të autorëve të vërtetë.

“Për këtë arsye, rregullime ligjore dhe mekanizma mbikëqyrës janë të nevojshme për të siguruar që përmbajtjet mashtruese të jenë të ndëshkueshme dhe për të mbrojtur publikun nga dëmet që mund të shkaktojnë”, shprehet ai.

Kurse Fetahaj shton se përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë personi që e shpërndan imazhin duke e paraqitur si të vërtetë, sidomos kur kjo shkakton dëm, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh mes institucioneve të sigurisë dhe platformave sociale.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me platformat e rrjeteve sociale për të ndalur përhapjen, për të kërkuar të dhëna kur ka raste dëmi, dhe për të mundësuar identifikimin e personave përgjegjës. Në praktikë, kjo nuk po funksionon gjithmonë si duhet, dhe në shumë raste institucionet kanë qenë të kufizuara ose joefektive për të ndërmarrë veprime konkrete”, u shpreh inxhineri i kibernetikës.

Rasti i “Fantazmës së Prishtinës” mbetet një shembull konkret se si mungesa e verifikimit dhe fuqia e imazheve të rreme mund të çojnë në dezinformim, duke nxitur debat për përgjegjësinë e mediave, platformave dhe vetë publikut në epokën e inteligjencës artificiale.