Në një kohë kur Kosova është mburrur si dhe lavdëruar nga të tjerët për mbajtje të zgjedhjeve të drejta, demokratike dhe të lira, dyshimet për manipulime me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, kanë nxitur rinumërim të plotë të votave për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të hënën se do t’i rinumërojë të gjitha votat, pasi paraprakisht kishte vendosur t’i numëronte vetëm një të tretën e tyre.
Një hetim i Komisionit kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë dhe gjatë numërimit të pjesshëm u vërtetua se dallimet janë të mëdha në vota.
Si pasojë, prokurorët kanë filluar të mbledhin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa KQZ-ja ka shkarkuar përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren, ku dyshimet për manipulime janë të mëdha.
E gjithë kjo ka shkaktuar shumë reagime në vend në nivele të ndryshme, përfshirë nga vetë disa kandidatë të cilëve pas rinumërimit të pjesshëm u janë hequr nga dhjetëra deri në mijëra vota.
Ndër ta ka kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Më poshtë mund t’i lexoni reagimet e disa prej deputetëve të cilëve u janë hequr vota:
FETAH PAÇARIZI – PDK
Kandidati i Partisës Demokratike të Kosovës (PDK), Fetah Paçarizi, tha se ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave “është serioze dhe shqetësuese”.
Paçarizi, të cilit iu hoqën mbi 6 mijë vota deri tani, e mohon përgjegjësinë.
“Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë” shkroi Paçarizi në Facebook.
“Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, shtoi ai.
NAIT HASANI – PDK
Kandidati tjetër i PDK-së, Nait Hasani, e cilësoi dyshimet për manipulime si “cenim i rëndë vullneti i lirë i qytetarëve” dhe si “sulm i drejtpërdrejt dinjiteti im politik dhe kombëtar”.
“Me atë që pashë në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, shkroi Hasani në Facebook.
Hasani – të cilit iu kanë hequr deri tani mbi 3 mijë vota – tha se “unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit”.
LULJETA VESELAJ-GUTAJ – PDK
Ndërsa, Luljeta Veselaj-Gutaj, u ankua se “mu cenua integriteti im dhe i shtetit demokratik”, dhe bëri thirrje që personat e papërgjegjshëm të vihen para përgjegjësisë.
Asaj iu kanë hequr deri tani mbi 2 mijë vota.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor”, shkroi ajo në Facebook.
ANTON QUNI – LDK
Anton Quni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e mohoi çfarëdo përfshirje në manipulim me vota në një reagim në Facebook.
“Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve”, shkroi Quni.
Quni – të cilit iu kanë hequr deri tani rreth 500 vota – tha se kjo “ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore”.
Ai u shpreh “plotësisht i gatshëm” të bashkëpunojë me autoritetet për ta zbardhur “këtë skandal deri në fund”.
DRITON SELMANAJ – LDK
Kandidat për deputet dhe kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, tha se “distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të komunës sonë”.
“Kemi dyshimet tona që ky skenar ka qenë i mirë organizuar dhe ka përshirë të gjithë kandidatët dhe të gjitha partitë politike për ta balancuar dhe shpërndarë abuzimin tek të gjithë, në mënyrë që të mos identifikohet lehtë si problem”, shkroi Selmanaj në Facebook.
BURIM RAMADANI – AAK
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, tha se “kjo është e tmerrshme! E papranueshme! E gërditshme!”
“Më fyejnë e më terrorizojnë edhe votat e shtuara, edhe votat e hequra”, shkroi Ramadani në Facebook duke mohuar përfshirjen.
Ramadanit – i cili nuk arriti të fitonte vend në Kuvend – iu kanë hequr mbi 150 vota deri tani./REL









