Si mos më keq: 20 momentet kur gazetari i RTK-së tregoi servilitet të turpshëm ndaj Albin Kurtit

Gazetari i cili së fundmi u emërua U.D i kryeredaktorit në RTK, Blerim Haxhiaj, më shumë se gazetar, në intervistën e fundit, kishte rolin e zëdhënësit të Vetëvendosjes.

Në intervistën si mos më keq të Albin Kurtit në televizionin publik, vendin ku e ka emëruar ish-anëtarin e partisë si drejtor, Haxhiaj ka lënë për të dëshiruar.

Në intervistën që zgjati 50 minuta, Nacionale ka analizuar 20 momente, pyetje e konstatime nga Haxhiaj, të cilat më shumë se gazetar që paguhet nga taksat e qytetarëve në RTK, del simpatizant i partisë në pushtet.

Këto janë 20 momentet e turpshme dhe të sikletshme të kësaj interviste:

1.Qysh me fjalinë e parë, sapo të hapet intervista, Haxhiaj shpërfaq lumturinë për intervistën me Kurtin. “ Përshëndetje, mirë se takohemi në këtë speciale, që është speciale më e veçantë se specialet e tjera”, thotë ai.

2.E në pyetjen e parë, Haxhiaj ia kujton publikut atë që të gjithë e dinë, madje duke konstatuar: “Deputetët nuk po e votojnë kandidaten e partisë tuaj, që është partia fituese e zgjedhjeve, e para, zonjën Albulena Haxhiun”, shprehet ai.

3.Pas pyetjes së parë që ia drejtoi, Albin Kurti e pati ‘autostradë’ rrugën përpara. Foli për plot 6 minuta e 45 sekonda, pa asnjë ndërhyrje. Pa asnjë nënpyetje, pa iu kërkuar asnjë llogari, Kurti fajësonte të gjithë, por gazetari nuk ndërhynte. Me një letër në dorë, ku dukeshin disa shkronja të mëdha, Haxhiaj nuk ndërhyu për asnjë moment.

4.Kur tema doli te votimi i fshehtë, Haxhiaj nuk harroi t’ia mbante pak krahun, sërish VV-së, madje duke konstatuar. “Çështja ka mbetur te komisioni i fshehtë, një metodë demokratike që e parasheh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo është e qartë”, tha ai.

5.Edhe në një moment tjetër, Haxhiaj sërish u kujdes të ‘laritej’ ndaj Kurtit. Ia përmend sërish se i fitoi zgjedhjet. “Duket një lloj sfidimi i partive të tjera, që nuk kanë arritur të fitojnë zgjedhjet, që duan të bëjnë përpjekje për të marrë pushtetin nëse iu vjen rendi”, tha Haxhiaj.

6.Narracioni i VV-së nga Haxhiaj, përdoret edhe për rastin e nënkryetarëve të Kuvendit. Deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes, se edhe ata mund të mos i votojnë nënkryetarët, përdoret nga Blerim Haxhihaj nën petkun e gazetarit. “Po, është e qartë, edhe ju mund të mos i votoni nënkryetarët e Kuvendit pastaj”, tha ai gjatë intervistës.

7.Në një tjetër moment, Haxhiaj teksa flet për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, akuzon partitë e kalaura për pazare, përderisa tash, thotë se ka situatë tjetër politike. Edhe këtu, konstatim. “Gjykata Kushtetuese krijoi precedentin ligjor, në diçka që ishte e paqartë. Partisë fituese i takon kryetarit të Kuvendit, dhe në këtë histori, partia që ka fituar e ka zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Deri këtu jemi OK. Kishim ato pazaret politike në të kaluarën, tash jemi në situatë politike tjetër”, thotë ai gjatë intervistës.

8.E triumfin e VV-së në zgjedhje, sërish e përmend Blerim Haxhiaj, e jo Kurti. “Nuk është kaq e thjeshtë kur merr rreth 50 deputetë, i bie që populli ka folur. Por, sovrani ka thënë se ju duhet të bëni partneritet”, deklaron gazetari i RTK-së që paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

9.Situata shkonte duke eskaluar. Blerim Haxhiaj, edhe pse Kurti ka 5 vjet gati në pushtet, thotë se shpresa te Kurti është që do t’i jep fund mbushjes së xhepave për politikanë. Nuk lë pa akuzuar, sërish, partitë e tjera. “Në të kaluarën ka pasur pazare nga më të ndryshmet, lufta për pushtet është shumë e ashpër. Jo gjithnjë në historinë politike kjo ka qenë për të shërbyer qytetarëve, por për të mbushur xhepat e politikanëve. Shpresa te ju është se ju do t’i jepni fund kësaj praktike”, thotë ai.

10.Teksa komentonte për opozitën, dhe ia drejtoi Kurtit një pyetje për Lumir Abdixhikun, Haxhiaj tenton ta kujtojë faktin që Abdixhiku ka qenë ministër i qeverisë LDK-VV. Por, Kurtit i thotë se “ Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilin e keni pasur ministër”.

11.Haxhiaj sërish konstaton, dhe del në vendin e Kurtit. Thotë se tre deputetë të Limajt mund të jenë të mirëseardhur. “Ju keni takuar Fatmir Limajn,i cili u kthye me tre deputetë. Tre deputetë kur ka probleme me numrat janë të mirëseardhur”, thotë gjatë intervistës Blerim Haxhiaj.

12.Kur flet për votat e komuniteteve, gazetari i RTK-së përkujdeset që të tentojë t’i kritikojë edhe ata, duke thënë se është jolegjitime të bëhesh deputetë me 200-300 vota. “Ju e dini në politikë ata vinë me 200-300 vota bëhen deputetë, kështu e mundëson Kushtetuta, është jolegjitime, por legale. Dhe ata vinë me kërkesa, dikush do një komunë”, thotë Haxhiaj.

13.Situata po vazhdonte të nxehej. Haxhiaj sërish sulmon opozitën, duke thënë se në të kaluarën e pritnin Listën Serbe për vota. “Në të kaluarën janë pritur votat e Listës Serbe, për të bërë një qeveri në Kosovë, tani nuk pret njeri”, thotë ai.

14.Kur flasin për Listën Serbe, Kurti gënjen publikisht duke thënë se opozita nuk po e mohon që mund të bëjë koalicion me Listën Serbe. Edhe kryetari i PDK-së, edhe i LDK-së, kanë mohuar kategorikisht, disa herë, këtë mundësi. Por, gazetari i ‘pavarur’ i RTK-së nuk e ballafaqon Kurtin, zgjedh heshtjen.

15.Blerim Haxhiaj në një moment bëhet edhe parashikues i së ardhmes. Në kohën kur duket se Kurti nuk i ka votat as për kryetar të Kuvendit, ai e pyet se si do të duket qeveria e ardhshme. “A do të jetë ekip tjetër ai që do e bëni qeverinë e ardhshme?”, pyeti Haxhiaj.

16.Fundi i intervistës bëhet më dramatik. Jo për ta sfiduar Kurtin, por për t’iu nënshtruar edhe më shumë. Blerim Haxhiaj flet për rritjen e çmimeve dhe inflacionin, por thotë se inflacioni ka goditur gjithë botën, e lëre më Kosovën. Më vonë, i thotë Kurtit edhe pse ka premtuar ulje të çmimeve, është tregu ai që imponon çmimet, jo qeveria. Pra, në rolin e avokatit. “Ju i keni të bazuara ato rritjet në statistika. Nuk e di nëse shkoni në dyqane, por inflacioni ka qenë i tmerrshëm që ka goditur krejt botën, e lëre më Kosovën një vend i pafuqishëm ekonomikisht. Rritet çmimi i rrymës, ankohen bizneset, jemi në një situatë ku kërkohet përgjegjësi, dhe përgjegjësia është e juaja që keni fituar zgjedhjet. Pasi dikur keni premtuar që do të ulen çmimet, por tregu është ai që imponon çmimet”, pyet Blerim Haxhiaj.

17.Nuk u ndal me kaq. Haxhiaj i përmendi Ligjet ‘e mira’ që i ka bërë Kurti, duke thënë se kanë përfunduar në Kushtetuese. Kurti vetëm hapi duart, në shenjë aprovimi. “Ju keni propozuar një Ligj për Çmimet Tavan ai ligj ka përfunduar në Kushtetuese. Procesi i shumë premtimeve, kur kalon në filtrin juridik, zvarrit plot gjëra, siç është Byroja”, pyeti Haxhiaj.

18.E fundi, solli një sulm të paprecedent nga një gazetar i televizionit publik ndaj mediave private. Ai thotë se mediat po e sulmojnë Kurtin. Përmend edhe raportin e Reporterëve pa Kufij, duke argumentuar se Kosova nuk është më keq se Serbia e Shqipëria. Sërish, gazetari në rolin e avokatit. “Ta përmbyllim për çështjen e mediave, periudhë kur një pjesë e madhe e mediave iu sulmojnë shumë, ju hezitoni të jeni prezent. Raporti i Reporterëve pa Kufij na nxori më keq se Serbia e Shqipëria, në këto dy vende ku mediat kontrollohen nga pushteti”, tha Blerim Haxhiaj.

19.Blerim Haxhiaj, sikur Dimal Basha i VV-së, i thotë Kurtit se ua ka ndalur financimin mediave. “Cili është komenti për raportin e mediave me pushtetin, kujtojmë se në pushtetin tuaj mediat nuk kanë marrë financim?”, pyet Haxhiaj.

20.Sulmi brutal ndaj mediave private finalizohet duke thënë se ato kanë raportuar njëanshëm gjatë zgjedhjeve. “Tani ishte një raport i BE-së për mbulimin e zgjedhjeve, për RTK-në vlerësimi më pozitiv që ka ndodhur. Nuk ishte lajm në asnjë media. Mbulimi ka qenë korrekt, mbulimi në mediat private ka qenë i njëanshëm”, tha Blerim Haxhiaj.