S’i mjaftuan katër vjet: Kurti bën fushatë me vendime që i mori pa mandat dhe pa legjitimitet demokratik

Në përfundim të ciklit qeverisës katërvjeçar të qeverisë Kurti II, i cili nuk arriti të prodhonte transformimin e premtuar socio-ekonomik, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pasi i skadoi mandati dhe u betua si deputet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, iu rikthye karriges së kryeministrit për të marrë vendime që opozita, odat ekonomike dhe shoqëria civile i cilësuan gjerësisht si cenim flagrant të legjitimitetit demokratik.

Vetëm një tremujor më parë, Gjykata Supreme konstatoi antikushtetutshmëri në rastin e ushtrimit të funksioneve të dyfishta (deputet dhe ministër) nga ish zyrtarët e qeverisë Kurti II. Pavarësisht këtij vendimi dhe kufizimeve që burojnë nga të qenit një qeveri në detyrë, Kurti dhe ministrat e tij nuk i ndalen vendimet që tejkalojnë mandatin, siç e parasheh Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pikërisht në mesin e zgjedhjeve lokale dhe tash atyre parlamentare, qeveria në detyrë vendosi të ndërhyjë në tregun e punës përmes rritjes së pagës minimale nga 350 në 500 euro, një masë e cila do të aplikohet në dy periudha kohore. Oda Ekonomike Amerikane i kishte kujtuar Kurtit pas vendimit se “Legjislacioni aktual qartazi kufizon fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime të reja afatgjata për financat publike.”

Vendimi, që njohësit e konsiderojnë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, bie gjithashtu ndesh me çdo logjikë ekonomike. Ai u mor në një kohë kur indikatorët makroekonomikë sugjerojnë stagnim, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare — përfshirë Bankën Botërore dhe FMN-në — projektojnë tkurrje të rritjes ekonomike të Kosovës krahasuar me vitin paraprak.

Por, aspekti më flagrant i këtij vendimi mishërohet në figurën e Ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ish-ministri i Financave argumentonte me tone akademike se një pagë minimale prej 500 eurosh ishte ekonomikisht e paqëndrueshme kur një gjë e tillë propozohej nga partitë e tjera, “mbi mesataren rajonale” dhe e paprecedentë në praktikat globale.

Ndërsa Kosova i afrohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video-adresim ku Kurti promovon pikërisht vendimin i cili kritikohej kur propozohej nga partitë e tjera. Në të, Kurti madje deklaron në mënyrë të pasaktë se rritja në 425 apo 500 euro po bëhet “brenda një mandati”, ndonëse Qeveria Kurti II e përfundoi mandatin e saj në fund të vitit 2024.

“Nga muaji i ardhëm paga minimale bëhet 425 euro bruto, nga 350 euro sa është tash. Kurse nga një korriku, fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, ashtu siç e kemi paraparë si qeveri e Republikës. Pagën minimale e gjetëm 130, përkatësisht 170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë. Brenda një mandati, po e rrisim për të tretën herë. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje” – u shpreh Kurti.

Pas vitit 2022, ritmi i rritjes ekonomike të Kosovës ka stagnuar: rritja rrallë e kalon 4.3%, ndërsa për dekadën 2025–2030 parashikimet flasin për vetëm 3–4% – shumë më poshtë se norma që do të duhej për atë që njihet si konvergjencë reale ekonomike me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian,.

Në raport me qeveritë e mëparshme, rrjedha e rritjes ekonomike është e zbehur ndjeshëm. Edhe nëse 2025 sjell “rritjen më të lartë në rajon”, ajo do të ndodhë në një vit të dobët për gjithë Ballkanin , një “fitore” që makson një fakt tepër të thjeshtë: Rritja ekonomike e Kosovës ka stagnuar në 4 për qind.