Faqja online e Institutit të Kërkimeve Shkencore për Kimi të Aplikuar të Rusisë (NIIPH) ka shumë fotografi të fishekzjarrëve dhe njërës prej pajisjeve që e prodhon: fishekzjarrë në pako të zbukuruara me vizatime të një peme festive, një figurë të babagjyshit dhe fëmijë e krijesa të lezetshme.
Mirëpo, ky institut i sanksionuar nga Perëndimi, që gjendet në një qytezë jashtë Moskës, ka lidhje të forta me prodhimin dhe zinxhirin e furnizimit të ushtarëve me granata dhe armë tjera, të cilat i përdorin ata në luftën kundër Ukrainës.
Raportimet e Skemave, njësitit hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, tregojnë se si Rusia është duke prodhuar granata RG-Vo dhe po i sulmon me to ushtarët ukrainas – pavarësisht sanksioneve dhe konventave ndërkombëtare që e ndalojnë përdorimin e tyre në fushëbetejë.
Hulumtimi i Skemave nxjerr në dritë më shumë hollësi për lidhjet në mes të kompanive kineze dhe përdorimit të këtyre armëve nga forcat ruse në zonat e civilëve, vepër e ndaluar.
E furnizuar me përbërës kryesorë prej fabrikave ruse që nuk janë ndëshkuar me sanksione prej Perëndimit për luftën në Ukrainë, NIIPH është duke prodhuar RG-Vo, një lloj granate me gaz toksik, e cila sipas ekspertëve është përdorur shpesh nga forcat ruse, sidomos prej fundit të vitit 2023.
Instituti importon materiale edhe prej jashtë, përfshirë fosforin e kuq prej kompanive kineze.
Fosfori i kuq mund të shndërrohet në fosfor të bardhë, armë potencialisht vdekjeprurëse, të cilën forcat ruse janë akuzuar se e kanë përdorur vazhdimisht prej nisjes së luftës më 2022. Përdorimi i tij në zona të banueshme nuk guxon të përdoret.
Skemat i kanë identifikuar edhe njësitet ruse që i kanë përdorur këto granata toksike, të cilat barten me dronë dhe e kanë mbishkrimin RG-Vo me shkronja cirilike – shkurtesë për mbishkrimin “granatë dore – substancë helmuese”.
Ato mund të përmbajnë lëndë të gazit lotsjellës, që përdoren shpesh nga agjentët kundër trazirave, mirëpo përdorimi i tyre ndalohet “si mjet lufte” sipas Konventës së Armëve Kimike, të cilën e kanë nënshkruar edhe Rusia, edhe Ukraina.
“Nuk mund të marrësh frymë”
Por, kjo është pikërisht ajo që ka bërë Rusia gjatë luftës, sipas Kievit, përkrahësve ndërkombëtarë, Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe ushtarëve ukrainas të plagosur, të cilët janë goditur me gaz për t’iu ekspozuar më vonë zjarrit përvëlues.
“Ne kemi shkuar në pozicionet tona dhe gazi na është lëshuar pas 4-5 ditësh”, ka thënë ushtari Oleksandr Nyahu, njësiti i të cilit është goditur këtë verë duke mbrojtur fshatin Vodjane Druhe në rajonin e Donjeckut.
“Djeg aq shumë. Sytë lotojnë, fytyra të digjet”, ka thënë Nyahu, njëri prej shumë ushtarëve që janë rehabilituar në spital në rajonin fqinj Dnjipropetrovsk pas sulmit.
“Nuk mund të marrësh frymë, sapo nis të marrësh frymë fillon dhe kollitesh”, ka thënë ai për Skemat.
“Kjo është praktika e tyre ditëve të sotme, dronët me armë kimike që janë të padukshme”, ka thënë ushtari tjetër, Ihor Kozarenko.
“Qan dhe belbëzon, mund t’i kesh të gjitha simptomat. Por, duhet të qëllosh mbrapsht. Nuk ekziston mundësi tjetër”.
“Ky është krim lufte – kryerja e operacioneve luftarake duke përdorur metoda barbare”, ka thënë Amil Omarov, kryeprokuror i rajonit të Harkivit në Ukrainë, teksa e ka përshkruar përdorimin e lëndëve kimike nga Rusia, për t’i larguar ushtarët ukrainas nga vija e frontit.
Udhëzues toksik
Në maj të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e kanë vërtetuar që Rusia “ka përdorur armën kimike kloropikrinë kundër forcave ukrainase” dhe që “i ka angazhuar agjentët për kontrollim trazirash si metodë për kryerje të luftës në Ukrainë” – të dyja shkelje të Konventës së Armëve Kimike.
“Përdorimi i armëve kimike nuk është incident i izoluar dhe me siguri është nxitur nga dëshira e forcave ruse për t’i dislokuar forcat ukrainase prej pozicioneve të fortifikuara dhe për të bërë më shumë përparim në fushëbetejë”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
“Shkelja e vazhdueshme e obligimeve që rëndojnë ndaj Rusisë është pjesë e udhëzuesit të njëjtë me operacionin për helmim të Aleksei Navalnyt, dhe Sergei e Yulia Skripalit me agjentin nervor, Noviçok”.
Helmimet gati vdekjeprurëse ndaj ish-agjentit të dyfishtë Skripal në Britani më 2018, dhe Navalnyt në Rusi më 2020, kanë rritur vëmendjen e qeverive të Perëndimit ndaj atij që e përshkruajnë si program i padeklaruar rus i armëve kimike.
Rusia nuk e ka pranuar kurrë përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Mirëpo, në fund të majit të vitit 2024, kanali shtetëror rus RT, e ka publikuar një raport në Telegram, në të cilin një bloger ushtarak përshkruan atë që duket se është granatë RG-Vo e përdorur nga forcat ruse në rajonin e Donjeckut, ku trupat ushtarake ruse i kanë larguar ushtarët ukrainas në dhjetor të vitit 2023.
Po të njëjtin muaj është shënuar hera e parë që Ukraina ka regjistruar përdorimin e një lloji të ri granate RG-Vo nga rusët.
Në fund të vitit 2023, një bloger rus pro luftës e ka prezantuar atë që ka sugjeruar të ketë qenë produkt i ri i industrisë ushtarake ruse: “Njoftohuni me RG-Vo. Granatë gazi shumë efektive”, ka shkruar ai.
Shumë shpejt, fotografi të shumë granatave të reja kanë nisur të qarkullojnë në forume ruse online.
Të paktën gjashtë ushtarë janë vrarë nga gazi prej granatave RG-Vo, sipas kryetarit Alla Asaulenko, zyrtar i shërbimeve mjekësore i forcave të armatosura ukrainase.
Në gusht, Shërbimi ukrainas i Sigurisë ka thënë se Kievi i ka regjistruar më shumë se 10.000 sulme kimike ruse prej nisjes së luftës më 2022.
Në korrik, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se forcat ruse “janë duke përdorur secilën herë e më shumë armë kimike”.
“Kjo tregon se Rusia dëshiron të shkaktojë sa më shumë dhimbje dhe vuajtje ndaj Ukrainës, prandaj edhe i marrin gjithë këta hapa”, ka thënë Kallas, duke iu referuar sanksioneve kundër njerëzve dhe organizatave që besohet se janë përfshirë në zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike.
“Shënjestër e lehtë”
Mirëpo, sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerët, nuk e kanë ndalur Institutin NIIPH që të prodhojë granata RG-Vo me ritëm të shpejtë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
“E shohim se shkalla e prodhimit është e lartë, sepse granatat e gazit po përdoren në sasi që mund të përdoren nga pothuajse i gjithë fronti i luftës”, ka thënë koloneli Artem Vlasyuk, shef i Departamentit për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Armët Kimike e Biologjike në komandën e ushtrisë ukrainase, në disa përgjigje për Skemat.
I themeluar më 1945, NIIPH tani ndihmon në furnizimin e forcave ruse me armë për luftën më të madhe në Evropë prej atij viti.
Duke qenë pjesë e Rostecut, konglomentit shtetëror të industrisë ushtarake, instituti gjendet rreth 70 kilometra në verilindje të Moskës.
Në faqen online të institutit përmenden vetëm produkte civile sikurse fishekzjarrët dhe pajisjet për gjueti apo për ndonjë sport të ngjashëm. Mirëpo, më 2022, drejtori i atëhershëm, Nikolai Varyonykh, i ka thënë një televizioni lokal se prioritet i institutit janë “urdhrat shtetërore” dhe “krijimi i armëve më moderne për ushtrinë ruse”.
Granatat RG-Vo janë përdorur për herë të parë nga forcat ruse në Ukrainë në dhjetor të vitit 2023 dhe mund të jenë më të dëmshme sesa versionet paraprake, sipas ekspertëve, pasi mund të kenë në përbërje gazra shumë të dëmshëm.
“Një person që thith ndonjë dozë prej kësaj granate gazi çorientohet menjëherë, humb aftësinë për të vepruar dhe bëhet shënjetër e lehtë”, kanë thënë ekspertët ukrainas.
Në listën e sanksioneve kundër NIIPH përfshihen edhe masat të vendosura nga Britania e Madhe në korrik për furnizimin e ushtrisë me granata RG-Vo. Megjithatë, Skemat kanë ardhur në përfundim se masat nuk e kanë goditur institutin shumë ashpër, sepse përbërësit për granata i siguron brenda Rusisë, nga të paktën dy kompani që nuk janë të sanksionuara nga Perëndimi – Centrali mekanik Saransk dhe Eurocheminvest.
Centrali Saransk e pozicionon veten si prodhues i pajisjeve sikurse ato për biçikleta, pajisje shtëpiake dhe tjera për grill. Mirëpo, informacioni i siguruar nga Skemat prej bazës së të dhënave të taksave në Rusi, tregon se më 2024, NIIPH i ka blerë dy lloje të pajisjeve piroteknike prej tij, të cilat ndihmojnë në shpërthimin e granatave.
Të dhënat kanë treguar se NIIPH ka siguruar nga Eurocheminvest disa përbërës kryesorë për prodhim të granatave.
Pavarësisht kësaj, asnjëra prej kompanive nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Lidhjet me Kinën
Në listën e sanksioneve nuk janë as disa kompani kineze të cilat, sipas Skemave, e kanë furnizuar institutin NIIPH me fosfor të kuq. Kjo lëndë kimike përdoret për të prodhuar fosforin e bardhë – substancë që kur është në kontakt me oksigjenin arrin shkallën e djegies në 800 gradë Celsius.
“Ai shkakton vdekje apo dëme të rënda që barten gjatë gjithë jetës”, ka shkruar organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch.
Ukraina dhe të tjerët e kanë akuzuar Rusinë se e ka përdorur fosforin e bardhë si municion përgjatë luftës, përfshirë në operacionin e pasuksesshëm për të hyrë në Kiev, e deri te betejat në Bahmut, Mariupol dhe Donjeck.
Sipas të dhënave të doganave ruse, NIIPH ka blerë fosfor të kuq në vlerë të 1 milion dollarëve në periudhën 2022-23, në sasi prej 100 tonëve.
Të dhënat tregojnë se fosfori i kuq është blerë prej kompanisë Yunnan Phosphorus, e cila është në pronësi të kompanisë tjetër kineze, Dongguan Haofei. Asnjëra prej kompanive nuk kanë qenë të qasshme për koment.
Sanksionet amerikane dhe ato të Bashkimit Evropian ia kanë pamundësuar Rusisë furnizimin me pjesë të ndryshme për mbrojtje, prej nisjes së luftës. Prej vitit 2024, sanksionet perëndimore e kanë ndaluar edhe eksportin e fosforit të kuq në Rusi.
Në fushëbetejë
Përveç informacionit për prodhimin, Skemat kanë siguruar të dhëna edhe për përdorimin e granatave nga dy njësite ruse që luftojnë në Ukrainë – 114-ta dhe 136-a.
“Ja ku janë granatat e gazit që i kemi gjuajtur”, ka thënë një bloger ushtarak rus në një video të publikuar nga faqja e televizionit RT në maj të vitit 2024.
“Më vonë kanë ardhur trupat tanë si stuhi”.
Në disa komunikime të pranverës dhe verës së këtij viti mes ushtarëve të Brigadës 136 në rajonin e Harkivit, të cilat i ka siguruar Shërbimi ukrainas i Sigurisë dhe u është ofruar qasje Skemave në to, vërtetohet se ushtarët kanë përmendur “gazin” dhe specifikisht granatat RG-Vo.
“Materiali që kemi pranuar na ka mundësuar të kuptojmë që për gjashtë muaj, çdo ditë, ata kanë pranuar urdhra dhe i kanë përdoruar këto granata kimike”, ka thënë një hetues ukrainas në rajonin e Harkivit, në kushte anonime, duke iu referuar Brigadës ruse 136.
Në korrik, agjencia e inteligjencës ushtarake në Ukrainë e ka publikuar atë që e ka quajtur fragment të një bisede të siguruar, në të cilën një komandant rus i paidentifikuar në Ukrainë, u tregon ushtarëve një plan për t’i vrarë ushtarët ukrainas që kanë qenë duke u strehuar në një bodrum.
“Tani do ta lëshoj gazin në bodrum”, dëgjohet duke thënë komandanti.
“Nëse nuk mund ta bëj këtë vetë, ata do ta kenë fundin me gaz, teksa kolliten dhe pështyjnë dhe nuk mund të shohin asgjë”.