Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë, shkruan Demokracia.com.
PDK ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të rënda procedurale në procesin e verifikimit të 105 kutive të votimit në Mitrovicën e Jugut, duke e cilësuar gjithë veprimin si të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e zgjedhjeve të ndershme.
Këto pretendime janë paraqitur tashmë në Gjykatën Supreme, si pjesë e ankesës së PDK-së kundër vendimit të PZAP-it.
Sipas PDK-së, PZAP i ka besuar një komisioni të përbërë nga tetë zyrtarë të Sekretariatit të KQZ-së, i cili sipas tyre ka kryer një verifikim të pamundur, jo transparent dhe pa prezencën e palës ankuese.
Partia rendit disa shkelje që, siç thotë, e komprometojnë të gjithë procesin:
Verifikim i pamundur brenda dy ditësh.
Sipas ankesës, komisioni nuk ka pasur kapacitet objektiv të hapë dhe të verifikojë 105 kuti votimi për shkak të volumit të madh të punës dhe procedurave të detyrueshme për kontrollin e fletëvotimeve.
PDK nuk është njoftuar dhe nuk është lejuar të jetë e pranishme.
Partia thotë se duhej të ishte e pranishme gjatë hapjes dhe verifikimit të kutive, meqë ankesa drejtohej pikërisht kundër veprimeve të KQZ-së. Përjashtimi i saj nga procesi, sipas PDK-së, e bën verifikimin të pavlefshëm.
Konflikt i qartë interesi në përbërjen e komisionit.
PDK pretendon se disa nga anëtarët e komisionit kanë pasur role të tjera gjatë procesit zgjedhor – si menaxherë të shpërndarjes së fletëvotimeve apo mbikëqyrës kontratash – duke krijuar konflikt interesi dhe duke mos pasur as ekspertizën e nevojshme për një hetim të tillë.
PZAP i ka lejuar KQZ-së të vlerësojë vetveten.
Partia kritikon ashpër edhe PZAP-in, duke thënë se ka pranuar gjetjet e një organi ndaj të cilit ishte ngritur ankesa, duke cenuar parimin e paanshmërisë.
Dyshime se votat mund të jenë prekur.
PDK argumenton se mënyra e ngritjes së komisionit dhe mungesa e palës ankuese ngrenë dyshime të forta se votat mund të jenë prekur gjatë procesit.
Në dokument, partia thekson se hetimin duhej ta kryente vetë PZAP-i, ashtu siç e autorizon ligji, e jo KQZ-ja, e cila sipas PDK-së, është palë në këtë proces.
PDK kërkon nga Gjykata Supreme një vendim që të rikthejë integritetin e procesit zgjedhor dhe të garantojë, siç thuhet në ankesë, “vullnetin real të qytetarëve të Mitrovicës së Jugut”. /Demokracia.com/












