Si e përzuri Trumpi – Zelenskyn?

Pasi presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelneksy u përfshinë në përplasje në takim, Trump u mblodh me njerëzit kryesorë të tij në Zyrën Ovale.

Trumpi ka konsultuar zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarë të tjerë, pak pasi Trumpi dhe Vance e akuzuan Zelenskyn se është jofalënderues për ndihmat e SHBA-së, ka raportuar CNN bazuar në deklaratat e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Ky ishte momenti kur ekipi vendosi që “Zelensky nuk është për të negociuar”.

Ai udhëzoi Rubion dhe këshilltarin për siguri, Mike Waltz, t’ia përcjellin Zelenskyt mesazhin: “Është koha të largoheni”.

Ukrainasit ndërkaq po qëndronin në një dhomë të ndarë, që është standarde për liderët që vizitojnë Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë ka thënë që ukrainasit protestuan dhe kërkuan të vazhdojnë bisedimet, por amerikanët ishin të prerë.

Pas kësaj, Zelensky doli pa përcjellje.