Procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut është bllokuar pas konfirmimit të problemeve serioze me fletëvotimet e përdorura në balotazhin e së dielës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëhet fjalë për një gabim teknik në shtypjen e fletëvotimeve, por ky rast është interpretuar nga shumëkush si dyshim për manipulim të votave në këtë komunë.
Në garë për të parin e Mitrovicës së Jugut janë, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
Pas skandalit me votat në Mitrovicë, në opinion është rikthyer një detaj i rëndë nga e kaluara politike e Faton Pecit, ai kishte mbajtur në kabinetin e tij një person të dënuar për falsifikim të rezultateve të votimit.
Gazetari Parim Olluri ka reaguar për këtë rast duke kujtuar se “vjedhja e votave është bërë normale në Vetëvendosje”.
“Faton Peci me vite e ka mbajtur për këshilltar një hajn të votave. Edhe pse ky në gjyq e pranonte fajësinë, Peci nuk e shkarkonte. Mbledhte informacione ‘përtej gjykatës’. Paramendojeni! Kur është puna për me mbrojtë vjedhjen e votave, këta nuk i besojnë as gjykatave e as kurrkujt”, ka shkruar Olluri në Facebook.
Vetëm pas presionit publik, ministri Faton Peci ishte detyruar ta largojë nga kabineti i tij këshilltarin Enis Osmani, i cili kishte pranuar fajësinë për manipulim votash.
Sipas aktgjykimit, Osmani kishte falsifikuar rezultatet në zgjedhjet e vitit 2017 në vendvotimin 1115B/02d në shkollën fillore “Xhevat Jusufi” në Mitrovicë.
Ai kishte hequr dhe shtuar vota për disa subjekte politike – gjithsej 246 vota të regjistruara gabimisht: 228 të shtuara dhe 18 të hequra.
Nga këto, ishin 56 vota për PDK-në, 112 për LDK-në dhe 60 për Vetëvendosjen, ndërsa kishte hequr 8 vota për PDK-në dhe 10 për LDK-në.
Osmani u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Sidoqoftë, për të garantuar integritetin e procesit të numërimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë gjithë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit.
“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhej në njoftim.










