Partitë politike në Kosovë ndodhen në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon takimet me diasporën, duke premtuar sërish angazhime të reja për ta. Megjithatë, këto premtime ngjallin dyshime, duke qenë se shumë zotime nga strategjia e Qeverisë 2021-2025 për mërgatën nuk janë përmbushur deri më sot, shkruan Demokracia.com.
Strategjia e miratuar në vitin 2022 nga Qeveria parashikonte rritjen e rolit të mërgatës në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor të Kosovës.
Në të përfshihej ndërtimi i mekanizmave për transferimin e njohurive dhe burimeve nga diaspora, rrjetëzimi i profesionistëve të mërgatës dhe fuqizimi i identitetit kulturor përmes mësimit plotësues në diasporë. Gjithashtu, ishte premtuar lehtësimi i shërbimeve konsullore dhe mundësia për votim në misionet diplomatike, si dhe krijimi i një dialogu dypalësh ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Kosovës.
Nga këto zotime, deri më tani, i vetmi hap i dukshëm ka qenë mundësia e votimit nëpër konsullata dhe ambasada, një proces që ende përballet me sfida të shumta. Ndërkohë, pjesa tjetër e premtimeve, si ndërtimi i mekanizmave për rrjetëzim profesional, përfshirja në politikat zhvillimore dhe promovimi ekonomik i Kosovës përmes diasporës, mbeten të papërmbushura.
Për më tepër, qeveria pati premtuar se do t’i jepte fund “keqpërdorimit dhe injorimit të votës së mërgatës” duke i trajtuar ata si “ambasadorët më të mirë të vendit”. Por realiteti tregon se mërgata vazhdon të shërbejë më shumë si objekt fushate, sesa si partner strategjik në zhvillimin e vendit.
Kurti premtoi ndryshimin e Ligjit për Diasporën, por pas katër vitesh në Qeveri mbetet në fuqi ligji i vitit 2012. Por, që nga maji i vitit 2021 dhe deri më tani, kanë kaluar më shumë se tri vite dhe “ndryshimi i ligjit për diasporën” nuk është përmendur më nga kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Gjatë katër viteve të mandatit të tij qeverisës, Kurti ka reduktuar në masë të madhe përmendjen e mërgatës shqiptare. Kryesisht, Kurti është takuar me përfaqësues të diasporës dhe bashkatdhetarët vetëm për qëllime elektorale, por jo edhe për të bashkëbiseduar për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për diasporën, i cili është në fuqi që nga viti i largët 2012.
Nga muaji gusht 2024, Republika e Kosovës edhe zyrtarisht ka hyrë në procesin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe kjo ka ndikuar që kryeministri Kurti të “kujtohet” për diasporën shqiptare.
Ligji aktual në fuqi “Nr. 04/L -095 për diasporën dhe mërgatën” ishte hartuar nga Qeveria Thaçi në rrethana krejtësisht tjera politike dhe vetëm në vitet e para pas themelimit të Republikës së Kosovës.
Ndryshimi i tij do të ishte një zhvillim krejtësisht normal, pasi që nga miratimi i tij, Republika e Kosovës ka festuar edhe 12 përvjetor të tjerë të pavarësisë.
“Përfshirja e mërgatës dhe diasporës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës është një prej prioriteteve të rëndësishme të Qeverisë”, thuhet në hyrje te strategjisë te kapitulli për mërgatën. Megjithatë, kjo përfshirje duket se ka marrë trajtën e një premtimi të parealizuar, duke favorizuar më shumë militantët dhe mbështetësit politikë të partisë në pushtet sesa një qasje gjithëpërfshirëse. Në vend të rrjetëzimit të profesionistëve të mërgatës dhe krijimit të mundësive reale për angazhim, proceset deri tani janë karakterizuar nga përzgjedhje të njëanshme dhe mungesë transparence.
Përballë këtij bilanci, kryeministri Kurti vijon të bëjë premtime të reja për mërgatën, duke anashkaluar faktin se pjesa më e madhe e zotimeve të kaluara mbetet vetëm në letër. /Demokracia.com/
Strategjia e Qeverisë për rritjen e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendi: