Me përfundimin e verifikimit dhe procesimit të të gjitha vendvotimeve brenda vendit, pasqyra e Kuvendit të ri të Kosovës është pothuajse e plotë. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një analize, ka shpjeguar se si pritet të lëvizin mandatet pas numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht.
Sipas Cakollit, bazuar në rezultatet aktuale nga vendvotimet e rregullta, ndarja e mandateve është tashmë e qartë: Lëvizja Vetëvendosje me 56 mandate, Partia Demokratike e Kosovës me 23, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.
Votat që nuk sjellin ndryshim
Ai theksoi se votat nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me kusht, pavarësisht trendeve të forta pro-LVV, nuk kanë fuqi matematikore për të ndryshuar numrat aktualë.
“Votat nga përfaqësitë diplomatike – pavarësisht përqindjes së lartë në favor të LVV-së, e ngjashme edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk prodhojnë asnjë ndryshim në numrin e mandateve. Njësoj, as votat me kusht, të cilat në përgjithësi ndjekin trendin e votimit në vend, nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve.” – shkroi ai.
Beteja për mandatin e 57-të
Faktori i vetëm që mund të ndryshojë ekuacionet, sipas Cakollit, janë votat me postë. Ai analizon se nga rreth 58 mijë dërgesa postare, LVV-së i duhet një dominim absolut për të fituar mandate shtesë.
“Edhe sikur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare të arrijnë në kohë dhe të jenë valide (çka historikisht nuk ka ndodhur dhe vështirë se pritet të ndodhë), LVV-së do t’i duhej rreth 80-85% e tyre për ta fituar mandatin e 57-të.
Ndërsa për një mandat të 58-të, Cakolli e cilëson si “skenar teorik”, pasi do të kërkonte që LVV të fitonte rreth 90% të këtyre votave, gjë që vështirë pritet të ndodhë.
“Në skenar teorik, për ta fituar edhe mandatin e 58-të, LVV do të duhej t’i fitonte rreth 90% të këtyre votave me postë. Lëvizja potenciale mes mandateve të PDK-së dhe LDK-së varet nga performancat e tyre – me logjikën që partia me koeficientin më të ulët, humbet mandatin e para.”
Duke u bazuar në trendet e deritanishme dhe ciklet e kaluara zgjedhore, Cakolli prezantoi skenarin më realist për përbërjen finale të Kuvendit:










