Shumë gjenialitet, pak logjikë…; Manchester City paguan edhe “bastet” e Guardiolës

Nga Endrit Këmbaci*
Ekziston një vijë shumë e hollë mes gjenialitetit dhe kokëfortësisë. Ndoshta, sot më shumë se kurrë, Pep Guardiola lëviz pikërisht në këtë kufi. Eliminimi i rëndë ndaj Real Madridit nuk është vetëm një humbje sportive, por kapitulli i radhës i një narrative përçarëse që e shoqëron teknikun katalanas prej vitesh. Ajo e trajnerit që, në momentet vendimtare, ndjen nevojën të ndryshojë gjithçka, të surprizojë. Ndonjëherë edhe tepër.

Në prag të ndeshjes në “Etihad”, ku Haaland dhe shokët duhej të bënin një mrekulli për të përmbysur 3-0 e ndeshjes së parë, pritej përgatitje taktike dhe tension maksimal. Megjithatë, Guardiola i dha skuadrës një ditë pushimi. Një zgjedhje simbolike, pothuajse provokuese, që tregon shumë për natyrën e tij. E njëjta natyrë që e ka bërë një nga më të mëdhenjtë, por që sot ushqen dyshime reale.

Nuk është hera e parë. Në finalen e Champions-it 2021 ndaj Chelsea, heqja dorë nga një mesfushor mbrojtës i mirëfilltë, me Gündogan të përshtatur para mbrojtjes, prishi ekuilibrat e një skuadre perfekte. Një rrezik i paguar shtrenjtë, skenar që është përsëritur shpesh. Edhe ndaj Realit, në “Bernabeu”, Guardiola rrëzoi siguri të konsoliduara: mbrojtje e re, mesfushë e çrregullt, skemë ultra-ofensive. Rezultati? Një skuadër e gjatë, e brishtë, lehtësisht e depërtueshme. Pikërisht ajo që donin “Los Blancos”.

Paradoksi është i qartë: City më i mirë, ai që fitoi gjithçka më 2023, ishte ndërtuar mbi vazhdimësinë, jo mbi të papriturat. Më pak eksperimente, më shumë kontroll. Guardiola e di dhe e ka pranuar: “Nëse fiton je gjeni, nëse humb të shkatërrojnë të gjithë”. Sidoqoftë, në këtë nivel nuk është vetëm çështje rezultati. Është ndjesia se disa humbje janë, të paktën pjesërisht, të vetëshkaktuara.

Dhe pyetja mbetet: a e ka humbur Guardiola magjinë? Ndoshta jo. Ai mbetet revolucionar futbolli, por pikërisht mendja e tij brilante, kur kërkon idenë perfekte në momentin e gabuar, rrezikon të bëhet limiti i tij më i madh. Sepse në futboll, diferenca mes gjeniut dhe kaosit është minimale. Dhe City duket se është përhumbur pikërisht aty, pavarësisht milionave të shpenzuara pas një sezoni pa objektiva. Rreziku për ta përsëritur sezonin duarbosh është i lartë dhe mund të bëhet fundi i një aventure të Guardiolës, gjithsesi të jashtëzakonshme.
* Trajner profesionist futbolli

The post Shumë gjenialitet, pak logjikë…; Manchester City paguan edhe “bastet” e Guardiolës appeared first on Telesport.