Shukrije Ramadani: Agimit ia ndalën telefonin, kontaktet i kemi vazhduar përmes telefonit të Nasim Haradinajt
Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, në vitet 90-ta, Bujar Bukoshi ka mohuar të ketë pasur ‘gisht’ në ndaljen e telefonit satelitor që në atë kohë, Agim Ramadani e barte me vete në betejën e Koshares.
Bukoshi në një prononcim për Indeksonline, është shprehur se këto deklarime nuk janë të vërteta. Ai është përgjigjur në deklaratat e gruas së Agim Ramadanit, Shukrije Ramadanit e cila mbrëmë tha se telefoni satelitor që barte me vete bashkëshorti i saj i ishte ndalur nga Bujar Bukoshi.
“Nuk kam çfarë të shtoj asgjë në këtë, vetëm mund të them se nuk është e vërtetë që ia kam ndalur telefonin satelitor Agim Ramadanit. Natyrisht me respektin kulmor për Agim Ramadanin dhe për kontributin e tij, këto dy fjali janë që unë mund ti them”, ka thënë Bukoshi.
Ndërkaq Shukrije Ramadani në rrëfimin e saj për bashkëshortin që pati mbrëmë në emisionin ‘Politika’ në Tribuna, ka thënë se nuk i di arsyet se përse iu ndal telefoni Agim Ramadanit i cili në atë kohë ishte në Koshare.
“Kam mbajtur kontakte të vazhdueshme me Agimin, kur në atë kohë ai ishte në kufirin Shqipëri-Kosovë, por më pas telefoni satelitor i është ndalur Agimit. Këtë e ka bërë Bujar Bukoshi, unë nuk e di pse. Më pas kontaktet i kemi vazhduar përmes telefonit të Nasim Haradinajt i cili në atë kohë ishte në atë pjesë”, ka thënë ndër të tjera në rrëfimin e saj Shukrije Ramadani. /Indeksonline/