Ish Komandanti i UÇK’së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja ka përfunduar intervistimin nga Gjykata Speciale. Intervistimi i tij ka zgjatur rreth 2 orë, ndërkohë që Buja pritet të kthehet në Kosovë ditën e nesërme.
Se Buja e ka përfunduar intervistimin në Hagë, e kanë bërë të ditur familjarë të tij për Express.
“Në 9 e 30 ka nis intervistimi dhe ka zgjatë dy orë. Ai pritet të kthehet nesër në Kosovë”, kanë thënë familjarë të Bujës për Express.
Gjatë intervistimit të pranishëm kanë qenë edhe avokati Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj.
Ndryshe, Buja ishte ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim më 17 korrik, por që me kërkesë të tij intervistimi ishte shtyrë për sot.
Buja kishte thënë se ‘kjo gjykatë është politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën’.
“Ju njoftoj se kam marrë ftese nga dhomat e specializuara, prokuroria e specializuar për t’u paraqitur në Hagë, me 17.010.2019. Pavarësisht qëndrimit tim se kjo gjykatë është politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën, do t’i përgjigjem kësaj ftese”, kishte thënë Buja.