Shtrenjtimi i rrymës rrezikon ikjen e bizneseve dhe nxitje inflacioni, thonë ekspertët

Paralajmërimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike, do t’i rrezikojë bizneset vendëse dhe do t’i detyrojë ato të largohen në vende të tjera, thonë për Ekonomia Online, njohës të çështjeve ekonomike.

Krahas mundësisë së largimit të bizneseve nga Kosova, ekonomistët thonë se shtrenjtimi i rrymës mund të krijojë edhe çrregullim të tregut dhe nxitje të një inflacioni.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, e quan paralajmërimin e ZRrE-së si befasues, andaj kërkon që aktorët relevantë t’i shohin rezervat e brendshme dhe të evitojnë një shtrenjtim të tillë.

Konsideron se një shtrenjtim i tillë mund të ketë pasoja të rënda në ekonominë vendëse.

“T’u them të drejtën paralajmërimi është befasues, unë nuk kam pritë që do të ketë një ngritje të tillë, 15 për qind është tepër e lartë, duke marrë parasysh edhe ecuritë në përgjithësi që janë në tregun botëror por edhe faktin se energjia që shitet pjesën më dërmuese mbi 80 për qind vjen prej prodhimit vendor ku çmimet janë shumë të volitshme dhe i japin një bazë edhe distribucionit edhe furnizimit që të mbesim me çmime racionale. Unë frikohem se me këto çmime do të ketë një çrregullim dhe një nxitje të një inflacioni dhe ma merr mendja se ka një hapësirë të madhe që ZRrE bashkë me aktorë tjerë në zinxhirin që krijojnë në krijimin e energjisë që t’i shohin rezervat e brendshme dhe të evitojnë një shtrenjtim të tillë”, thotë Mustafa, teksa mohon pretendimet e qeveritarëve se “rryma në Kosovë është më e lira në rajon”.

“Sigurisht se ata që vijnë çdo investitorë e sheh sa është çmimi i energjisë. Edhe pse themi se jemi me çmimin më të lirë në rajon, kjo nuk është e saktë, edhe nëse jemi më të lirë është për shkak se KEK-u e shet shumë lirë, energjinë ia shet shumë lirë KEDS-it edhe KESCO-s. Me këtë tarifën e lartë ne krahasohemi edhe me vendet evropiane jo veç me rajonin, por derisa nuk u ke sigurua njerëzve, nuk iu ke sigurua infrastrukturën, ti po e dënon një pjesë të popullatës që patjetër duhet ta përdorin rrymën për ngrohje, po e dënon me çmime të larta të energjisë dhe po ia rrezikon standardin”, u shpreh Mustafa.

Se shtrenjtimi i energjisë mund të sjellë pasoja tek bizneset kosovare, e thotë edhe profesori universitar, Artan Nimani, sidomos për shkak të deficitit të lartë tregtar.

“Kohë më parë kemi ngritë shqetësimin për heshtjen e Qeverisë në raport me kërkesat e operatorëve ekonomik për shtrenjtimin energjisë elektrike në emër të rregullimit të të hyrave vjetore dhe kjo padyshim që do të shkaktojë një varg të shqetësimeve jo vetëm të konsumatorëve individual por edhe të bizneset dhe në plan të parë te bizneset prodhuese të cilat edhe ashtu jemi në disbalancë tregtarë dhe kjo mund të ndikojë negativisht deri te marrja e një vendimi që thjeshtë edhe të mos operojnë në Kosovë dhe të largohen në një ambient më të përshtatshëm ku është klima e të bërit biznes”, thotë Nimani.

“Vet fakti i kërkesave të vazhdueshme për rritje të çmimit të energjisë elektrike për afër katër vite, kemi një ngritje mbi 130 për qind të lartësisë së çmimit të energjisë elektrike, vërtetë është e papërballueshme, është shqetësuese dhe madje impaktet e saj do të jenë jashtëzakonisht negative, jo vetëm në familje por edhe në tërë sistemin ekonomik të vendit”, thotë tutje Nimani.

Ai thotë se nga shtrenjtimi i energjisë, bizneset në Kosovë do të largohen në vendet e rajonit.

“Ky është problemi. Qeveria duhet të krijojë kushte të favorshme për të bërit biznes dhe jo të dekurajojë kompanitë që të largohen nga vendi. Kemi me dhjetëra raste që kompanitë nga Kosova janë shpërngulur në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, pikërisht për shkak të klimës së të bërit biznes. Unë njoh me dhjetëra njerëz të biznesit të cilët janë duke shqyrtuar mundësinë që të dalin jashtë territorit të Kosovës për të bërë biznes me aktivitete të veta. Kjo ka pasoja direkte”, u shpreh Nimani.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë. ZRrE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.