Shtrenjtimi i rrymës, Çitaku: Kështu operon VV-ja, nënshtron qytetarin për ta sunduar më lehtë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Çitaku ka thënë se nuk ishte aspak e befasuar me vendimin sepse pushteti shmang dialogun dhe konsultimet me qytetarët dhe bizneset.

Ajo ka thënë sepse kjo është mënyra se si operon Lëvizja Vetëvendosje.

“Refuzon dialogun, qoftë social, qoftë politik, me këdo dhe për çkado”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Sipas saj, VV-ja arrogancë të njëjtë ka shfaqur edhe ndaj sindikatave, mediave, opozitës dhe bizneseve.

“Kjo kastë politike e dëshiron qytetarin të varfëruar dhe të nënshtruar, sepse beson se vetëm ashtu mund ta sundojë më lehtë”, ka thënë ajo.

“E më ironikja? Kjo parti politike, në mënyrë radikale – dhe shpeshherë edhe dhunshëm, ka kundërshtuar çdo përpjekje tonën për rritjen e kapaciteteve energjetike të Republikës. Konsistentë në destruktivitet, kjo është e vetmja politikë që njohin”, ka thënë Çitaku.

Ani pse pati reagime të shumta kundër propozimit, ZRrE-ja të mërkurën ka vendosur për shtrenjtimin e energjisë elektrike.