Shtohet një seancë në kalendar për gjykimin ndaj ish krerëve të UÇK-së, arsye dëshmia e Wesley Clark

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është shtuar në kalendarin e gjykatës edhe një seancë për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo ka ndodhur për shkak të dëshmisë së gjeneralit dhe ish-komandantit Suprem të NATO-s, Wesley Clark- pasi ai mund të fillojë të dëshmojë vetëm pasditen e 18 nëntorit.

Si rrjedhojë, në kalendar u shtua seancë për datën 21 nëntor 2025, e që është e premte, në mënyrë që Clark të përfundojë dëshminë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin e njëjtë, i cili është i datës 4 nëntor 2025, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që dëshmia e Clark të shtohet në listën e provave. Mbrojtja u obligua që deri më 11 nëntor 2025 ta paraqesë listën e ndryshuar të provave.

Dëshminë e Clark, trupi gjykues e ka quajtur të rëndësishme, duke thënë se ai është një ish-oficer i lartë ushtarak i cili ka shërbyer në kapacitete të ndryshme gjatë 1997-ës deri në vitin 2000.

“Paneli vëren se Mbrojtja e Thaçit synon të mbështetet në Deklaratën e 1DW-007 në lidhje me: (i) përpjekjet e NATO-s për zbatimin e Marrëveshjes Holbrooke-Millosheviq të tetorit 1998, dhe Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, (ii) fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave; (iii) dislokimin e forcave të NATO-s në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, dhe përpjekjet e NATO-s për të mbikëqyrur çmilitarizimin dhe transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”); (iv) vetëdijen dhe kuptimin e dëshmitarit për valën e dhunës në Kosovë në verën e vitit 1999; dhe (v) ndërveprimet e dëshmitarit me UÇK-në dhe përshtypjet e tij për strukturën komanduese të UÇK-së dhe kuptimin e tij për rolin dhe përgjegjësitë e z. Thaçi”, thuhet në vendim.

Po ashtu me kërkesë të mbrojtjes së Thaçit, trupi gjykues ka autorizuar masa sipas Rregullës 107 për dëshminë e Wesley Clark. Sipas vendimit, këto i ka kushtëzuar ofruesi i informacionit e që është institucioni ku më parë ka punuar Clark. Këto masa nuk ishin kundërshtuar nga palët.

“Këto masa janë si vijon: (i) qëllimi i dëshmisë së dëshmitarit është i kufizuar në tema të përcaktuara si përfshirja e tij në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, siç pasqyrohet në deklaratën e dëshmitarit, vëzhgimet dhe përfshirja e tij në Konferencën e Rambujesë, pasojat e saj dhe rolet e UÇK-së dhe z. Thaçi, çmilitarizimi i UÇK-së pas luftës, takimet dhe bisedat e dëshmitarit me z. Thaçi, njohuritë e tij për strukturën dhe organizimin e UÇK-së, vëzhgimet e tij mbi nivelin e kontrollit të z. Thaçi mbi UÇK-në, përshtypjet e tij për zinxhirin komandues të UÇK-së, njohuritë e tij për aktet e dhunës brenda Kosovës nga forcat serbe dhe shqiptarët e Kosovës, dhe pikëpamjet e tij mbi aftësinë e UÇK-së, komandantëve të saj dhe z. Thaçi për të parandaluar dhe kontrolluar aktet e dhunës”, thuhet në vendim.

Sa i përket sigurimit të dëshmitarëve, trupi gjykues sërish ka nënvizuar se mbrojtja ka dështuar që të përmbush urdhrin që dëshmitarët të thirren njëri pas tjetrit për të mos humbur kohë.

“Si rezultat i mosrespektimit të kësaj praktike nga mbrojtja e Thaçit, javë të tëra seancash gjyqësore janë dashur të anulohen. Pavarësisht sa më sipër, dhe për të siguruar përmbylljen e shpejtë dhe efektive të çështjes së mbrojtjes, Paneli do të planifikojë datën 21 nëntor 2025 si një ditë të mundshme seance. Megjithatë, Palët duhet të përpiqen të përfundojnë pyetjet ndaj 1DW-007 para kësaj date dhe të kufizojnë pyetjet ekskluzivisht në çështje vërtet relevante për këtë çështje”, thuhet në vendim.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Ëesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimat që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.